“Të krishterët janë kripa e botës”, imzot Dodaj: Nuk shqetësohem për statistikat
Arqipeshkvi i Kishës Katolike për Tiranën dhe Durrësin, Arjan Dodaj tha në emisionin GoodMornng Albanians se për kishën katolike nuk ka rëndësi numri i besimtarëve por ndërgjegjësimi i tyre.
I pyetur lidhur me deklaratat e klerikëve të feve të tjera, të cilët në kuadër të censit kanë bërë thirrje për deklarimin e besimit fetar, ai tha se nuk e shqetëson fakti se sa janë në numër katolikët, por që të sensibilizohet ndërgjegjja e besimtarëve.
“Nuk jemi në një garë apo ndeshje, është i bukur fakti kur jemi të gjithë së bashku, sa keq do ishte sikur në familjet tona të mungonte një person i fesë tjetër. Nuk më shqetëson fare fakti sa jeni në numër. Jezusi thotë që duhet të jemi kripa e botës, kripa nëse është shumë, bëhet e dëmshme. Papa Benedikti thoshte që në botën perëndimore feja po kërkohet të kthehet në një faktor privat. Për ne nuk është i rëndësishëm numri po që të sensibilizohet ndërgjegjja e besimtarëve”, tha imzot Dodaj.