SPAK sekuestron 5512 m2 truall të “investitorit strategjik” Artan Gaçi, bashkëshortit të Olta Xhaçkës

SPAK i sekuestron 5512 m2 truall Artan Gaçit bashkëshortit të ish Ministres Olta Xhaçka. Sekuestro preventive është vendosur pasi po hetohet për falsifikim të aktit të marrjes së tokës në pronësi.

Kjo sipërfaqe rezulton të jetë një pjesë e tokës me të cilën z.Gaçi ka fituar statusin e investitorit strategjik pak kohë më parë.

Në mars 2022 Këshilli i Ministrave shpalli një vendimin për dhënien në përdorim të një zone bregdetare në Himarë për resortin “Dreamades Luxury Suites” për një periudhë 30-vjeçare.

Sipas këtij vendimi, kompanisë ‘AGTTC Hotel Management’ i jepej leje e përdorimit të brigjeve të detit dhe të zonës përkatëse të plazhit përballë kompleksit, që po ndërtohet në fshatin Gjilekë të bashkisë Himarë.

Në vendimin e qeverisë, ‘AGTTC Hotel Management’ sh.p.k, cilësohej si investitor strategjik. Në Qendrën Kombëtare të Biznesit, QKB, kjo kompani figuronte në pronësi të shtetases amerikane, Tawni Lin Grzych-Sutton.

“Bashkia Himarë ka detyrimin që brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës së investitorit strategjik “AGTTC Hotel Management” sh.p.k, me NUIS M11825022K, të lidhë kontratën përkatëse për lejimin e përdorimit të brigjeve të detit dhe të zonës përkatëse të plazhit përballë kompleksit, në përputhje me sipërfaqet e destinacionin e kërkuar nga subjekti, të lejuara me vendimin nr.3/5, datë 29.3.2021, të Komitetit të Investimeve Strategjike, të ndryshuar, dhe të konfirmuara më tej nga Bashkia Himarë,” shkruhej në vendim.

Megjithatë, të dhënat e siguruara nga BIRN treguan se kjo kompani ishte themeluar tre muaj pas vendimit për shpalljen e investitorit strategjik, që ndryshe nga sa sugjeron vendimi i Këshillit të Ministrave, është kompania me emër të ngjashëm, AG.TTC Sh.p.k – në pronësi 100% te ish-deputetit socialist dhe bashkëshortit të ministres së Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka.

“Unë jam investitor strategjik dhe po ndërtoj një hotel, nuk po ndërtoj vila siç bëjnë të tjerët,” tha Gaçi për BIRN dhe shtoi se sipas ligjit, “më takon zona e plazhit përballë hotelit për të vënë shezlongët”.

Shpallja si investitor strategjik nga Këshilli i Ministrave i bashkëshortit të Ministres së Punëve të Jashtme ngriti shqetësime për konflikt interesi. Gaçi i tha BIRN se për këtë arsye ai kishte futur në mes kompaninë ‘AGTTC Hotel Management’.

“Por, pikërisht për të shmangur këtë konflikt interesi, unë gjeta një kompani tjetër me përvojë në këtë fushë, e cila do të marrë në menaxhim hotelin dhe plazhin dhe unë jam thjesht investitori,” shjegoi Gaçi. “Kam folur me shumë juristë për këtë,” shtoi ai, ndërsa pranoi se kompaninë e Tawni Lin Grzych-Sutton e ‘ka përzgjedhur ai.’

Sipas Gaçit, mes kompanisë së tij dhe “AGTTC Hotel Management” bëri një kontratë, ku njëra do të bënte investimin dhe tjetra menaxhimin.

Gaçi këmbënguli se nuk kishte pse të penalizohej për të bërë biznes pse është bashkëshorti i ministres Olta Xhaçka, ndërsa theksoi se nuk e shihte si problem që kompanitë kishin të njëjtën juriste.

“Nuk ka lidhje, juristja ime Iris Erebare e ka asistuar kompaninë amerikane që të bëjë regjistrimin në QKB,” tha ai. “Nuk ka asnjë abuzim këtu, thjesht po vuaj pasojat që jam burri i ministres.”

Scroll to Top