E godet me karrige, nxënësi i thyen krahun mësueses në Lezhë

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në shkollën e mesme “Hydajet Lezha” në qytetin e Lezhës. Mësuesja Majlinda Palushi është goditur me një karrige nga një nxënës brenda ambienteve të shkollës.

Ajo është dërguar me ambulancë në spitalin e Lezhës dhe mësohet se ka thyer krahun nga goditja me karrigen. Ndërkohë në shkollë kanë mbërritur forcat e policisë, të cilat kanë bërë të mundur shoqërimin në komisariatin e Lezhës të nxënësit të vitit të dytë, i cili goditi mësuesen.

Është e paqartë përse nxënësi e ka goditur mësuesen me karrige dhe policia po punon për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje. Mësimi është bojkotuar ditën e sotme nga mësuesit për shkak të kësaj ngjarjeje ndërsa pritet që të nesërmen të zhvillojnë një protestë lidhur me këtë situatë të vështirë nga sjellja e nxënësve.

Njoftimi i policisë:

Paraditen e sotme, në ambientet e gjimnazit “Hydajet Lezha”, një 16-vjeçar, nxënës i këtij gjimnazi, ka goditur me send të fortë (karrige), mësuesen në këtë gjimnaz, shtetasen M. P., e cila po merr asistencë mjekësore, në spital.

16-vjeçari është shoqëruar menjëherë në ambientet e Policisë, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.

Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes./abcnews.al

Scroll to Top