Lahuta shqiptare jehon në Vatikan në aktivitetin për nder të Shën Terezës
Në kuadër të aktivitetit të zhvilluar për nder të Shën Terezës, ambientet solemne të Vatikanit u mbushën me jehonën e veçantë të Lahutës shqiptare, instrument i cili konsiderohet si ndër më të vjetrit në Evropë.
Nga malësitë e Shqipërisë, zëri i saj arriti deri në qendrën shpirtërore të Vatikanit, duke shënuar një çast të veçantë krenarie kombëtare dhe afirmimi të trashëgimisë kulturore, ndërsa publiku evropian dëgjoi zemrën e traditës shqiptare.
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi e cilëson momentin si historik, duke theksuar se tingulli epik i lahutës, një nga instrumentet më të lashta të traditës shqiptare, u përcoll përpara publikut europian në zemrën shpirtërore të botës.
“Nga malësitë e Shqipërisë, në zemrën shpirtërore të botës, lahuta dëshmoi se trashëgimia jonë jeton, flet dhe bashkon”, shkruan Peleshi.
Lahuta është shpallur zyrtarisht pasuri e trashëgimisë kulturore jomateriale në listën e UNESCO-s, për mbrojtje urgjente.

Një nga thesaret më të çmuara të identitetit tonë kulturor, arti i të luajturit, të kënduarit dhe bërjes së lahutës, është tashmë pasuri botërore.
Arti i të kënduarit, të luajturit dhe bërja e lahutës përfaqësojnë një element thelbësore të identitetit në hapësirën shqiptare rurale të kultivuar ndër shekuj në krahinat veriore dhe përtej që nga Malësia e Madhe, Dukagjini, Malësia e Gjakovës, Rugova, Drenica, Plava dhe Gucia.
Eposi i Kreshnikëve dhe balada të traditës shqiptare veriore, në duart e lahutarit kanë shprehur në shekuj virtytet e trimërisë, qëndresës, nderit, besës dhe mikpritjes.

