Mark Krasniqi: Asimilimi i shqiptarëve u ndërpre me kalimin në fenë muslimane…para islamizimit shqiptarët e besimit ortodoks në kishë kanë dëgjuar lutjet vetëm në gjuhën serbe, maqedone ose greke..

Ilirët (shqiptarët) kanë filluar të kalojnë në krishterim shumë herët. Madje, dihet se edhe Shën Pjetri e Shën Pali, apostuj të krishtit, pra bashkohës të tij, kanë predikuar fenë e re ndër shqiptarë në Iliri. Por të dhënat historike dëshmojnë se krishterimin shqiotarët e përqafuan në shekullin e katërt. Pas ndarjes e krishterimit në kishën e lindjes – ortodokse dhe në kishën e katolike më 1054 shqiptarët mbetën me kishën ortodokse, sepse në trevat e tyre sundonte Bizanti (Greqia), e më vonë Serbia.

E tillë ka qenë gjendja, sidomos në Kosovë. Gjatë sundimit të Bizantisë e të Serbisë, shqiptarët janë asimiluar në përmasa shumë të mëdha nga presioni i pushtetit dhe i kishës greke në jug (Çamëri dhe në vise të tjera në Greqi), dhe presioni i Serbisë sidomos në Kosovë, në Maqedoni e në Mal të Zi, duke u sllavizuar perëndimit kështu një numër i madh.

Ky proces i asimilimit u ndërpre në shekullin XIV, me pushtimin turk të Ballkanit. Atëherë shqiptarët filluan të kalojnë në fenë myslimane, qoftë nga presioni i pushtetit turk, qoftë me qëllim që të ruajnë traditat e tyre, duke shpëtuar nga sllavizimi. Mirëpo, aristokracia shqiptare pranoi islamizmin për të ruajtur privilegjet që kishte dhe për të fituar të reja. Para islamizimit shqiptarët e besimit ortodoks në kishë kanë dëgjuar lutjet, ceremonitë etj., vetëm në gjuhën serbe, maqedone ose greke. Fëmijëve shqiptarë u viheshin vetëm emra sllavë e grekë, kështu që edhe në këtë mënyrë fshihej përkatësia e tyre kombëtare dhe bëhej asimilimi i plotë. Edhe në viset e veriut shqiptarët kanë qenë ortodoksë. Mirëpo, pas një marrëveshjeje që zhupani i Zetës, Mihali, e bëri më 1077 me papën e Romës, në këto vise filloi të përhapet katolicizmi. Po në këtë vit u krijua kryepeshkopata e Tivarit, e cila u lidh me Romën nëpërmjet Dubrovnikut. “Tivarit iu nënshtruan peshkopatat shqiptare të Shkodrës, Ulqinit, Drishtit, Shasit e Shurdhahut që ndodheshin nën sundimin e shtetit të Dioklesë, dhe që vareshin deri atëherë nga metropolia ortodokse e Durrësit.

Kryepeshkopata e Tivarit u bë mbështetje për përhapjen e katolicizmit në Shqipërinë e Veriut”.

Scroll to Top