javascript hit counter Politikën e kap frika nga vrasja e gjyqtarit, dënojnë me vrap ngjarjen - Shqipet

Politikën e kap frika nga vrasja e gjyqtarit, dënojnë me vrap ngjarjen

Ngjarja tragjike në sallën e gjyqit, ku u vra gjyqtari Astrit Kalaja, duket se ka tronditur më shumë politikanët sesa vetë sistemin e drejtësisë. Brenda pak minutash nga publikimi i lajmit, politika shqiptare shpërtheu me një valë reagimesh, ku secili garonte për të qenë “më i tronditur” dhe “më i dënuari me fjalë” se tjetri.

Presidenti Bajram Begaj u shpreh se e dënon aktin “me fjalët më të rënda” dhe se bëhet fjalë për një “sulm ndaj drejtësisë”. Një deklaratë që në çdo vend normal do të kishte peshë, por në Shqipëri tingëllon si frazë protokollare e përsëritur për çdo ngjarje ku shteti dështon.

Nga Shkodra, kryebashkiaku Benet Beci kujtoi me respekt figurën e gjyqtarit, duke rreshtuar meritat dhe karrierën e tij, ndërsa shmangu me kujdes pyetjen e vetme që qytetarët bëjnë sot: si mund të hyjë një person me armë në sallën e gjyqit?

Nga ana e opozitës, Sali Berisha dhe Gazment Bardhi u kujdesën të dënonin me “forcën më të madhe” aktin dhe të kërkonin “dënimin më të rreptë ligjor”, sikur problemet e këtij vendi të zgjidheshin me superlativa.

Por përtej toneve të larta dhe ngushëllimeve publike, politika shqiptare sot duket e frikësuar, jo nga dhuna vetë, por nga mesazhi që ajo përcjell: njerëzit po humbasin çdo besim tek drejtësia dhe po e marrin atë në dorë vetë.

Kjo është arsyeja e vërtetë pse sot të gjithë “tronditen” me kaq nxitim. Sepse çdo plumb që bie mbi një gjyqtar, bie mbi fasadën e një shteti që prej kohësh ka lënë popullin pa mbrojtje dhe pa besim. Dhe kur populli fillon të kërkojë drejtësi jashtë ligjit, janë pikërisht ata, politikanët, që e ndjejnë frikën më shumë se kushdo.

Scroll to Top