Niko Peleshi shpall Enver Hoxhën “Personalitet Kombëtar”: Hero i Popullit dhe Hero i Punës Socialiste
Instituti Parlamentar ka bërë publikë emrat e personaliteteve kombëtare që do të nderohen gjatë muajit tetor, por ajo që ka shkaktuar debat të fortë është përfshirja e ish-diktatorit Enver Hoxha në këtë listë.
Vendimi mban firmën e kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, i cili e ka renditur Hoxhën përkrah figurave të mëdha të letërsisë dhe historisë shqiptare, si Dritëro Agolli, Naim Frashëri dhe Sulejman Delvina.
Përfshirja e udhëheqësit komunist që mbajti Shqipërinë të izoluar për 45 vite, duke burgosur dhe internuar mijëra qytetarë, është parë si një fyerje e rëndë për viktimat e diktaturës. Kritikët e cilësojnë vendimin si dëshmi të nostalgjisë së thellë që një pjesë e mazhorancës socialiste mban ende për epokën e errët të komunizmit.
Ajo që ka ngjallur më shumë zemërim është përshkrimi zyrtar që Kuvendi i Shqipërisë i bën Hoxhës, duke e quajtur “Udhëheqës i Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare”, “Hero i Popullit” dhe “Hero i Punës Socialiste”.
Vendimi tashmë ka ndezur një tjetër debat të nxehtë mbi mënyrën se si qeveria e sotme po trajton trashëgiminë e diktaturës komuniste.