free html hit counter

Ndahet nga jeta gazetari dhe publicisti Artur Zheji

Gazetari dhe publicisti i njohur Artur Zheji, është ndarë sot nga jeta në moshën 64-vjeçare.

Lajmi i hidhur u konfirmua për gazetën “Tema” nga spitali i Sarandës, ku burimet mjekësore konfirmuan se Zheji mbërriti pa shenja jete, si pasojë e një arresti kardiak.

Artur Zheji lindi më 29 gusht 1961 në Tiranë, në një familje të lidhur ngushtë me artin dhe kulturën shqiptare. Ishte djali i gjuhëtarit e përkthyesit të njohur Petro Zheji dhe i aktores së njohur Besa Imami. Ky formim familjar e shoqëroi gjatë gjithë jetës, duke i dhënë një dimension të veçantë intelektual e kulturor.

Karriera e tij shënoi dekada pune në gazetari, publicistikë dhe media. Ai ka qenë drejtues në Radio Televizionin Shqiptar dhe në gazetën “Mapo”, duke u dalluar për shkrimet analitike dhe stilin kritik. Ndërsa që nga viti 2017, emri i tij lidhej fort me emisionin “360 Gradë”, një nga platformat më të ndjekura të debatit politik e shoqëror, fillimisht në Ora News e më pas në ABC News.

Zheji njihej për qasjen e drejtpërdrejtë, integritetin dhe analizat e tij të thelluara mbi zhvillimet politike në vend. Për shumë kolegë dhe ndjekës, ai mbetet simbol i gazetarit që nuk iu shmang kurrë së vërtetës, edhe kur ajo ishte e hidhur.

Ndarja e papritur nga jeta e Artur Zhejit lë pas një boshllëk të madh në median shqiptare, por edhe një trashëgimi të pasur profesionale e intelektuale që do të kujtohet gjatë./TemA

Scroll to Top