Dëshmia e vitit 1470, për gjendjen në Shqipëri: Mjerimi i shkaktuar nga osmanët, serbët dhe shqiptarët
Pjesa më e madhe e Shqipërisë veriore dhe qendrore ishte nën kontrollin venedikas para pushtimit osman të shekullit të pesëmbëdhjetë. Fushatat ushtarake osmane të viteve 1466 dhe 1467 shkatërruan pjesën më të madhe të vendit. Ishte politikë e sulltanit që të zbrazte vendin nga banorët vendas, në rast se ata do të rezistonin. Fior Jonima i Shkodrës, pasardhës i familjes fisnike shqiptare Jonima, e cila zotëronte shumë toka ndërmjet lumenjve Mat dhe Ishëm, u shkroi këtë përgjigje autoriteteve tatimore venedikase, të cilat e kishin pyetur se përse nga Shqipëria po vinin kaq pak të ardhura. Kronologjia e shkurtër e katastrofave që Jonima paraqet në këtë letër tregon se pjesa më e madhe e Shqipërisë ishte kthyer në shkretëtirë në atë kohë. Kjo është dëshmia më e hershme personale e dhënë nga një shqiptar për gjendjen e vendit të tij.[1]
Nga: Fior Jonima[2]
Përktheu nga italishtja (në anglisht): Robert Elsie
Përktheu nga anglishtja (në shqip): Agron Shala
Unë, Fior Jonima, qytetar i Shkodrës dhe për momentin ambasador i këtij komuniteti, u pyeta, me urdhër të Shkëlqesisë së Tij, Administratorit të të Ardhurave, se çfarë dija rreth veprimeve të turqve në këtë pjesë të Shqipërisë gjatë viteve 1466 dhe 1467.
Mund të deklaroj se rreth fundit të prillit të vitit 1466, vetë Turku i Madh erdhi në këtë vend dhe dërgoi më përpara kapitenin e tij, i cili përshkoi vendin dhe e plaçkiti atë. Ai vodhi shumë bagëti dhe rrëmbeu shumë njerëz.
Pasi u largua, Ballabani mbërriti për të rrethuar Croian [Krujën]. Edhe ai grabiti dhe plaçkiti qytetet e Sinjorisë, duke rrëmbyer shumë njerëz.
Lexo po ashtu: Rrethimi i Shkodrës më 1474
Menjëherë më pas mbërriti Sinan Beu, i cili solli edhe më shumë shkatërrim dhe rrënim. Ai rrëmbeu bagëti dhe njerëz dhe i vuri zjarrin vendit.
Pas kësaj erdhi vojvoda i Serbisë, i quajtur Amur Beu, i cili shkaktoi shkatërrim të madh. Jo vetëm që vodhi një numër të pafund bagëtish, por gjithashtu i vuri zjarrin vendit dhe rrëmbeu jo pak njerëz.
Pastaj erdhi zoti Progon Dukagjini, i cili gjithashtu grabiti dhe i vuri zjarrin gjithçkaje që kishte mbetur.
Turku i Madh u kthye sërish në këtë vend në vitin 1467 dhe dërgoi Pashën e Rumanisë [Rumelisë] me një ushtri të fortë [për ta nënshtruar]. Ai grabiti, plaçkiti dhe mori me vete një numër të pafund njerëzish. Pasi ishte ngopur me grabitje dhe plaçkitje, vazhdoi drejt rajonit të Skutarit [Shkodrës], ku u përlesh me popullin. Më në fund hyri në qytetin e hapur jashtë kështjellës, të cilin e grabiti dhe e plaçkiti.
Pastaj erdhi një vojvod i quajtur Feriz Beu, i cili gjithashtu grabiti dhe plaçkiti.
Pastaj erdhi Nikollë Dukagjini, i cili gjithashtu grabiti, plaçkiti dhe rrëmbeu shumë njerëz.
Pas kësaj, vojvoda i Serbisë u kthye për herë të dytë për të grabitur, plaçkitur dhe rrëmbyer më shumë njerëz.
Pastaj erdhi vojvoda i Dibrës, i cili grabiti, plaçkiti dhe rrëmbeu shumë njerëz.
Për fund mund të them se gjatë periudhës në fjalë, ky vend u kthye në një shkretëtirë. Ka mbetur i tillë deri në ditët e sotme. Janë zhdukur jo vetëm vendbanimet, por edhe njerëzit, me përjashtim të atyre pak fshatrave që janë rindërtuar. Do të ishte pra e nevojshme që të burgosurit e dënuar apo të internuar të falen dhe të dërgohen në këtë vend [për ta ripopulluar].
28 dhjetor 1470
/Telegrafi/
_______________
[1] Titulli është i redaksisë së Telegrafi-t.
[2] Nga: Archivio di Stato di Venezia, Governatori delle pubbliche entrate, registri multorum B. 145 (vëll. 35), 13r-v; ribotuar nga Oliver Jens Schmitt: Das venezianische Albanien (1392-1479), Munich 2001, f. 646. Përkthyer nga italishtja venedikase nga Robert Elsie.