VIDEO/ I riu shqiptar tenton të ‘vrasë’ veten dhe hedh videon në TikTok
Edhe pse qeveria shpalli vendimin për mbylljen e “TikTok”, duke e cilësuar si një platformë që nxit dhunën, agresivitetin dhe ofron modele të deformuara për rininë, ky vendim nuk është zbatuar asnjë ditë. Platforma vazhdon të përdoret masivisht, duke u kthyer shpesh në një hapësirë për akte të papërgjegjshme dhe të rrezikshme.
Rasti më i fundit ka në qendër disa të rinj, të cilët gjatë udhëtimit me automjet, kryejnë veprime ekstreme dhe të rrezikshme për jetën. Njëri prej tyre, pasagjeri i sediljes së parë, shihet teksa del nga dritarja e makinës në lëvizje, kalon mbi tavanin e automjetit dhe futet sërish nga dritarja e shoferit.
Kjo “sfidë” u filmua nga një tjetër pasagjer dhe më pas u publikua në “TikTok”, duke u promovuar si një “trimëri” për ndjekësit.
Siç ndodh rëndom, videoja mori reagime dhe komente të shumta, duke e bërë këtë veprim të papërgjegjshëm të përhapet dhe të shihet nga një audiencë e gjerë, kryesisht e re.
Ky rast është një tjetër alarm për rrezikun që sjellin këto sfida virale, të cilat jo vetëm që nuk kanë asnjë vlerë, por mund të përfundojnë në tragjedi. Është e domosdoshme që të rinjtë të kuptojnë se jeta nuk është një lojë për klikime dhe se pasojat e veprimeve të tilla mund të jenë fatale.