Tha se nuk ka lidhje me Ramën, Laert Kasaj mori miliona Euro tendera
Një ngjarje e rëndë është raportuar se ndodhi dy ditë më parë rreth orës 22:30 në ambientet e kompleksit “Delijorgji” në Tiranë, ku pronari i restorantit “Tokyo”, Laert Kasaj, është dhunuar brutalisht nga disa persona.
Burime për JOQ Albania bëjnë me dije se sulmuesit dyshohet të jenë pronarët e barit “Stockholm”, përballë kompleksit, të cilët — sipas të njëjtave burime — nuk e kanë përtypur mirë një denoncim të mundshëm të bërë nga Kasaj pranë kryeministrit, lidhur me zaptimin e hapësirave publike dhe përdorimin e tendave pa leje nga lokalet përreth.
Deri këtu gjithçka duket si një konflikt banal mes fqinjësh. Por drama sapo ka filluar.
Ditën e sotme, vetë z. Kasaj u paraqit si… viktima për herë të dytë e ngjarjes. Jo më e dhunës fizike, por e dhunës mediatike. Në vend që të merrej me personat që e rrahën dhe e bënë për spital, ai sulmoi median që publikoi lajmin, JOQ. Dhe si çdo qytetar pa lidhje me pushtetin, ai nxitoi të sqarojë publikisht: “Nuk kam asnjë lidhje me Ramën.”
Ironia nis këtu. Me një verifikim të thjeshtë, rezulton që i njëjti Laert Kasaj — që nuk ka “asnjë lidhje” me kryeministrin — ka përfituar rreth 7.3 milionë euro nga tendera dhe pagesa publike në vitet e fundit. Lista e institucioneve shtetërore që i kanë kaluar këto fonde është më e gjatë se menyja e restorantit të tij.
Dhe si për rastësi, reagimi i tij ndaj ngjarjes, më shumë u shpërnda në portale dhe media afër pushtetit, sesa në ndonjë vend ku zakonisht dëgjohen zërat kritikë. Madje ka dyshime të arsyeshme se ky reagim u shpërnda me pagesë — ndoshta nga ato të ardhurat e tenderave që “nuk kanë lidhje” me pushtetin.
Tani, nëse IMT vendos të shembë ndonjë tarracë të lokalit të tij, mos u shqetësoni: z. Kasaj ka me çfarë të mbulojë dëmet. 7.3 milionë euro janë më shumë se të mjaftueshme për të ndërtuar jo një, por nëntë “Tokyo” të reja. Dhe ndoshta edhe një portal të vetin, që të shkruajë vetëm atë që i pëlqen.