Jerina Dushmani, Princesha që futi në sherr princat arbër, dhe zbuloi brishtësinë e aleancës shqiptare
Në arkitekturën shpesh të heshtur të historisë sonë, ka figura që ndriçojnë me një dritë të fortë në terrin e kohës, jo sepse u shquan për trimëri apo sundim, por sepse ndikuan thellësisht dhe dramatikisht zhvillimet e epokës së mesjetës në trojet arbërore. Jerina Dushmani, bijë e një princi shqiptar të shekullit XV, është një prej tyre. Ajo nuk mbeti në kujtesën popullore si heroinë, as si viktimë, por si figurë e një dramatizimi të thellë, ku historia, nderi, dashuria dhe politika u përleshën në një tragjedi që goditi vetë shtyllat e unitetit shqiptar.
Bukuria dhe prejardhja që bartnin peshën e një aleance
Jerina ishte bijë e princit Lekë Dushmani, sundimtar i Zadrimës dhe një nga nënshkruesit e Besëlidhjes së Lezhës më 1444. Në një epokë ku martesa ishte mjet diplomacie dhe gratë shpesh përfaqësonin gurë shahu në lojën e aleancave mes princërve, Jerina ishte më shumë se një princeshë, ajo ishte një çelës për pushtet, ndikim dhe prestigj.
Bukuria e saj e rrallë dhe gjaku fisnik e vendosën në qendër të një gare të egër mes dy pretendentëve të mëdhenj: Lekë Zaharisë, zot i Danjës, dhe Lekë Dukagjinit, themeluesit të mëvonshëm të Kodit zakonor që do të mbante emrin e tij.
Dueli i krenarisë që u kthye në vëllavrasje
Jerina, sipas dëshmive të Barletit, kishte shprehur pëlqimin për t’u martuar me Lekë Zaharinë. Për Lekë Dukagjinin, kjo ishte një fyerje që nuk mund të kapërdihej, jo vetëm si mashkull, por si princ që pretendonte epërsi në rajonin verior.
Dasma e Mamica Kastriotit me Muzakë Topinë, në mungesë të Skënderbeut, u kthye në arenën ku konflikti shpërtheu. Fjalët u kthyen në përbuzje, përbuzja në duel, dhe dueli në masakër. Në atë ngjarje, e cila në dukje kishte për motiv dashurinë për Jerinën, mbetën të vdekur më shumë se njëqind vetë. Vetë Lekë Dukagjini u plagos rëndë me një heshtë në kraharor.
Vrasja që çimentoi përçarjen
Disa vite më pas, një kushëri i Dukagjinit, Nikolla, vrau Lekë Zaharinë, ndoshta si akt hakmarrjeje për Jerinën, ndoshta si manovër për të marrë kështjellën e Danjës, që përfaqësonte një pozicion strategjik në veri. Ajo vrasje vulosi një përçarje që nuk u fashit më. Aleanca e Lezhës, Besëlidhja e Princave më 1444, që dikur u ngrit për të bashkuar shqiptarët kundër turqve, nisi të shkatërrohej nga brenda, pikërisht për shkak të një gruaje që askush nuk e pyeti për dëshirat e saj.
Jerina, hija që u dëbua nga kujtesa
Pas gjithë kësaj gjakderdhjeje, Jerina zhduket nga historia. Nuk përmendet më, as në martesë, as në oborr mbretëror, as në ndonjë manastir. Fati i saj mbetet mister. Historia e ka heshtur, ndoshta me qëllim. Por ajo heshtje është vetë akuza më e fortë, për një shoqëri që përdori trupin dhe nderin e një gruaje si arsye për luftë, dhe që pastaj nuk i fali as kujtimin.
Ajo që mbeti, një pasqyrë e fisnikërisë së plagosur
Jerina nuk ishte shkatërruese, por u shndërrua në justifikimin e shkatërrimit që pasoi. Në një epokë ku burrat e armatosur u udhëhoqën më shumë nga pasioni se nga urtësia, ajo ishte trofeu për të cilin vriteshin vëllezërit, prisheshin aleancat, dhe i hapej rruga armikut.
Tragjedia e saj është pasqyra e një kohe ku fjala “nder” rëndonte më shumë se jeta, dhe ku krenaria u kthye në armën që vrau unitetin.
Jerina Dushmani, një emër që meriton të mos harrohet
Jerina Dushmani është më shumë se një figurë e heshtur mes rreshtave të kronikave. Ajo është një kujtesë e gjallë për brishtësinë e unitetit shqiptar përballë egoizmave princërorë. Ajo përfaqëson një të kaluar që nuk duhet as të glorifikohet, as të mbulohet me harresë, por të njihet si histori nga e cila duhet mësuar. Sepse përherë do të ketë një Jerinë tjetër që, pa dëshirë, do të bëhet arsye për gjak, nëse burrat nuk mësojnë të zgjedhin bashkimin mbi përçarjen, arsyen mbi pasionin, dhe drejtësinë mbi krenarinë boshe.
Referime:
• Marin Barleti: Historia e Skënderbeut, kapitujt mbi Besëlidhjen dhe princërit.
• Fan Noli: Historia e Skënderbeut – analizë për përçarjet brenda besëlidhjes.
• Kristo Frashëri: Gjergj Kastrioti Skënderbeu, vështrime mbi raportet e Lekë Dukagjinit me Zaharinë dhe Kastriotin.
• Studime për pozitën e gruas në Mesjetën shqiptare – një temë që kërkon më shumë hulumtim e shpalosje.
Albert Vataj