Orkestra Frymore “Zana e Malit”, e fotografuar më 25 mars 1912 në Shkup
Orkestra Frymore “Zana Malit”,e fotografuar më 25 mars 1912, në Shkup.Ulur i treti nga e djathta është Nikollë (Kolë) Bojaxhiu, babai i të dashurës sonë Nënë Tereza.
Orkestra frymore “Zana Malit” u themelua në janar të vitit 1910, e iniciuar dhe e mbështetur me vendosmëri nga “Klubi Shqip”. Kjo orkestër luajti një rol të rëndësishëm në forcimin e frymës patriotike midis shqiptarëve në qytetin e Shkupit.
Fotografia e datës 25 mars të vitit 1912 është e vetmja që njohim deri më sot për orkestrën frymore të Shkupit. Muzikantët kanë dalë në fotografi së bashku me një pjesë të pleqësisë së klubit shqip. Fotografa është bërë në oborrin e Kishës së vjetër. Në rreshtin e parë te ulur mbi qilim, dhe në rreshtin e tretë janë muzikantët e orkestrës, në rreshtin e dytë, ulur mbi karrige, janë anëtarët e pleqësisë. I treti, ulur në karrige në rreshtin e mesit me papion dhe me bastun në dorë, është dirigjenti. Në reshtin e parë, i shtrirë mbi qilim, me një letër në dorë ku shkruhet emri i orkestrës, është djali i kryetarit Gjon Shën Kolli. Kjo fotografi e datës 25 mars 1912, përshkruan Orkestrën “Zana Malit” në të, Kolë Bojaxhiu është ulur i treti nga e djathta duke mbajtur një trombë.
Kolë Bojaxhiu (1874–1919)
Midis muzikantëve të kësaj orkestre ishte Kolë Bojaxhiu, një trombetist dhe patriot i njohur me origjinë nga Prizreni, i cili ishte edhe babai i të dashurës sonë Nënë Terezës. Gruaja e tij, Drane Brenaj, vinte nga Gjakova. Pasi u martuan në Prizren, çifti u vendos në Shkup.
Kolë Bojaxhiu ishte një intelektual thellësisht i përfshirë në çështjen kombëtare dhe i lidhur ngushtë me idealet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Ai ishte mik i ngushtë i figurave të shquara të lëvizjes kombëtare shqiptare si Bajram Curri, Hasan Prishtina, Lazër Mjeda, Mati Logoreci dhe të tjerë. Ai u përfshi në veprimtarinë atdhetare për shkollimin e të rinjve shqiptarë në qytetin e Shkupit. Kolë Bojaxhiu ka vdekur në vitin 1919 dhe disa biografë e kanë lidhur vdekjen e tij me helmimin prej agjenturës serbë. Djali i tij Lazar konsideron që teoria e helmimit të jetë një gjë e sigurt, ndërsa vajza e tij, Age Bojaxhiu, e përshkroi atë si të pakonfirmuar.
Pas vdekjes së babait të saj, nëna e Nënë Terezës, Drane Bojaxhiu, e çonte rregullisht Gonxhe Bojaxhiun në Kishën Katolike në Shkup, ku ajo iu bashkua korit të kishës. Ishte atje, që në moshë të vogël kur filloi udhëtimi i saj shpirtëror, një udhëtim që do të formësonte tërë jetën e saj.
Përgatiti : Hemelita Boriҫi