Gjuha shqipe në epokën e globalizmit – Nga mikrofonat tek titujt, mangësitë që vërejnë gjuhëtarët
Në nisje të maturës shtetërore, kur ankthi dhe dilemat shtohen problem nuk mbetet vetëm tek rezultati, por tek zotërimi i dijeve për të ardhmen.
Për gjuhëtarin Emil Lafe, sot gjuha më shumë se mangësi ka përparësi, ndërsa një rol të rëndësishëm luan forcimi i ndikimit pedagogjik nëpër gjimnaze.
“Ka shumë përmirësime në krahasim me të shkuarën, më shumë sesa mangësi. Janë shtuar shumë lëndë, janë pasuruar bibliotekat, por çështja është që studentët duhet të vijnë me më shumë pasion dhe zell për të mësuar. Mendoj që duhet forcuar puna në shkollën e mesme”, u shpreh gjuhëtari.
Ndërsa, sot flitet për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, globalizmi ka ndikimet e tij në gjuhë dhe kulturë.
“Globalizmi ka të mirat sepse gjithmonë afrohen kulturat por kur nuk veprohet me kujdes zbeh ato karakteristika, tipare që janë kombëtare”, u shpreh Lafe.
Rolin e gazetarit, ai e vesh edhe me përgjegjësi gjuhësore, kur flet për gabimet në të shkruar apo të folurit në televizion.
“Një folës, një njeri që merr mikrofonin duhet të ketë ndjenjën e përgjegjësisë gjuhësore”, tha gjuhëtari.
Globalizmi, si çdo gjë tjetër, duket se edhe gjuhën amtare e ka vënë përballë sfidës së mbijetesës, veçanërisht për popuj të cilët nuk kujdesen për mbrojtjen e saj.
Gazetare: Elda Hasanbelli
/rtsh.al/