Dy shqiptarë marrin urimet nga një oficer serb për vrasjën e një udhëheqesi të njohur shqiptar Ahmet Syla i njohur ndryshe si Ahmet Shtimja

Kjo ngjarje tronditëse ka ndodhur në Kosovën juglindore, në rajoni e Nerodimës në vitin 1923.

Në fotografi shihen dy shqiptarë të cilët marrin urimet nga një oficer serb për vrasjën e një udhëheqesi të njohur shqiptar me emrin Ahmet Syla i njohur ndryshe si Ahmet Shtimja në zonën e Nerodimës, në Kosovën juglindore.

AHMET SYLA, i njohur në popull si AHMET SHTIMJA, u lind në vitin 1887 në Shtime. Veprimtarinë e tij patriotike e filloi si pjesëmarrës në kryengritjen e përgjithshme të vitit 1910, të udhëhequr nga atdhetari dhe prijësi popullor, Isa Boletini, kundër forcave osmane të pushtimit. Në vitin 1916, nga administrata bullgare është emruar kryetar i komunës së Shtimes. Këtë post e mbajti deri në vitin 1918.

Më 18 dhjetor të vitit 1919, në Shkup me rastin e konstituimit të Kuvendit Ekzekutiv të Xhemjetit, Bashkimi, Ahmet Shtimja është zgjedhur në organin operativo-ekzekutiv të kësaj partie politike që merrej asokohe me mbrojtjen e të drejtave të popullit shqiptar në Jugosllavi. Po ashtu, Ahmet Shtimja ishte edhe veprimtar i dalluar i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” me qendër në Shkodër, të themeluar më 1 maj të vitit 1918, për mbrojtjen e popullsisë shqiptare nga politika zyrtare serbe e dhunës dhe e arbitraritetit. Ndërkaq, në kohën e Mbretërisë së Jugosllavisë në vitin 1921, Ahmet Shtimja me vota të shumicës shqiptare sërish u rizgjodh kryetar i komunës. Si anëtarë i Kryesës në Partinë e Xhemjetit, zhvilloi aktivitet të madh në masë, si dhe në Parlamentin e Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene (SKS). Për veprimtarinë e tij patriotike, në vitin 1921 xhandarmëria serbe, kryetarin e Shtimes, Ahmet Shtimja, e ka rrahur në mënyrën më të egër. Ai dhe përcjellësit e tij kanë marrë plagë të rënda. Edhe pse ishte rrahur keq, Ahmeti i kishte përballur këto tortura dhe kishte vazhduar aktivitetin e tij partiak si dhe kryerjen e detyrës së kryetarit me një angazhim edhe më të madh.

Ahmet Syla si njëri prej prijësve politikë të Xhemjetit, bashkë me kryesinë e kësaj partie politike dhe si përfaqësues i kësaj ane, kishte marrë pjesë në bisedimet që u zhvilluan në vitin 1923, në Shkup me udhëheqësinë e Partisë Radikale dhe me Nikolla Pashiqin, kryeministrin e Mbretërisë SKS-së. Gjatë këtij takimi, kërkesat e Xhemjetit i parashtroi dhe i argumentoi përfaqësuesi i saj, Ahmet Shtimja. Ai përmendi fakte të shumta për padrejtësitë, të cilat i bënin organet e pushtetit ndaj popullatës shqiptare.

Duke folur për kërkesat e Xhemjetit, Ahmeti insistoi posaçërisht:

1.Që gjuha shqipe të mësohej në shkollat fillore, në vend të mësim-besimit dhe
2.Që gjuha shqipe të përdoret edhe në administratë,
3.Që xhandarmëria dhe rojet e pyjeve të caktoheshin në përpjesëtim me përbërjen kombëtare të popullsisë dhe kërkesa të tjera.

Në pjesën e përmbylljes, Ahmet Shtimja ia tërhoqi vërejtjen Nikolla Pashiqit se: “Po qe se nuk përkrahen kërkesat e Xhemjetit, deputetët e kësaj partie do të votojnë kundër dhënies së besimit qeverisë”, gjë që do të sillte rrëzimin e saj.

Pas mbarimit të tubimit në Shkup, Ahmet Syla ishte kthyer në Ferizaj. Atë ditë ishte ditë tregu. Ai shfrytëzoi rastin ta ftojë popullin në një tubim spontan te Stacioni hekurudhor. Masën e tubuar të popullit e njoftoi me kërkesat e shqiptarëve. Ai ndër të tjera i kishte thënë popullit: “Shpejt kanë me kanë votimet dhe ai që voton për Partinë Radikale asht edhe armik i shqiptarizmit dhe i fesë sonë”.

Pas disa ditësh, në shenjë hakmarrjeje për këtë veprim të guximshëm të Ahmetit, në Shtime pushteti i atëhershëm serb organizoi “fushatë ndjekjeje”, gjoja kundër kaçakëve, kurse në të vërtetë kishte qëllim likuidimin fizik të kryetarit të komunës së Shtimes. Kështu që në natën e 11-12 korrikut të vitit 1923, në vendin e quajtur “Bërryli i Topillës” është vrarë Ahmet Shtimja në moshën 36 vjeçare, së bashku me truprojën e tij Rexhep Muratin (1890-1923) nga fshati Topillë. Organet e pushtetit serb të asaj kohe, vrasjen e tyre e paraqitën si vrasje nga kaçakët në ndjekje të Imer Devetakut.

Për veprimtarinë e çmueshme të atdhetarit dhe patriotit, Ahmet Shtimja, janë thurur edhe një varg këngësh tematike të rapsodëve popullorë që pasqyrojë veprimtarinë patriotike dhe rrethanat e vrasjes së tij.

Scroll to Top