Zbulohet dokumenti i parë diplomatik i qeverisë së Ismail Qemalit më 1912! Pavarësia, si prelud i fjalës së Hasan Prishtinës në parlamentin turk

Pasi ka botuar dhe promovuar më parë librat “Kur binte një zymare në festivalet botërore” dhe “Arti i tingujve”, studiuesi i mirënjohur Shaqir Rexhvelaj, sjell për lexuesin librin e sapo botuar “Sovranistët”, ku përshkruhen imtësisht, ngjarje, faktorë dhe personazhe.

Me këtë botim dinjitoz ai vjen si njohës gjer në perfeksion, interpretues mjeshtëror i ngjarjeve e personazheve shqiptare, nga Rilindja Kombëtare deri tek Kongresi i Lushnjës dhe përçues i meritave të atyre burrave shteti të dinjitetshëm, që qëndrojnë në panteonin e vlerave tona kombëtare, si organizues e drejtues të Lëvizjeve e kryengritjeve shqiptare, siç ishte dhe qëndresa heroike për mbrojtjen e Shkodrës…, dhe që ideuan, krijuan dhe drejtuan me mençuri e sakrifica shtetin e parë shqiptar. Bazuar në qindra referenca të librave të 20 autorëve shqiptarë dhe të huaj (si dhe në 15 artikuj të shtypit të kohës), po ashtu dhe në dokumente arkivore (AQSH, F.1503/3V.1920.D.50.Fl, 2), Rexhvelaj na njeh me ngjarje, faktorë e personazhe që ndikuan në zhvillimet e vrullshme të Shqipërisë së fundshekullit të XIX – fillimi i shek. XX. Në një këndvështrim të përgjithshëm ky libër (botim ï Shtëpisë Botuese prestigjioze “M & B” është një përpjekje e re për të hedhur dritë mbi ngjarjet e Shqipërisë dhe personalitetet e saj që kishin si objektiv pavarësinë dhe shtetin tonë sovran. Libri “Sovranistët” i autorit Shaqir Rexhvelaj na sjell në vëmendje njerëz, ngjarje, pushtues e mbrojtës; na njeh me vuajtje e qëndresë, nga fundi i shekullit 19-të e fillimi i shekullit 20-të, periudhë që vendosi fatin e shtetit shqiptar.

Ideologët

Për lexuesin, do të mjaftonte qoftë edhe vetëm artikulli “Sovranistët – ideologët e Kombit Shqiptar”, (Në kapitullin e parë të librit (“Gjendja e shqiptarëve në fund të shekullit XIX – fillimi i Shek. XX fq. 67), ku autori jep fakte dhe argumente të formësimit, brumosjes, dhe ndërgjegjësimit të shtresës intelektuale shqiptare. Është koha kur sipas autorit u formësua, u brumos, dhe u ndërgjegjësua shtresa intelektuale e nevojshme. Ata që hynë në historinë tonë kombëtare me ide dhe vepra në shërbim të kombit shqiptar ishin Sovranistët…, që përpunuan platformën kombëtare, siç edhe ka hyrë dhe njihet në historinë tonë edhe si slogan: “Me pushkë dhe pendë”. “Të gjithë ideologët e kombit shqiptar, pavarësisht përkatësive fetare, kontribuan me orientimin drejt yllit polar, se “feja e shqiptarit është shqiptaria”.

Me këtë motiv – ide, ata përcaktuan rrugën, se drejt Pavarësisë së Shqipërisë, duhej shkuar të bashkuar si një Komb i vetëm”, shkruan Rexhvelaj. Në kontekstin historik të zhvillimeve autori evidenton rolin që luajtën shoqëritë kulturore atdhetare të Stambollit, Kajros, Bostonit, Bukureshtit, Sofjes etj. Më tej, lidhur me rolin e Komitetit Kombëtar i Stambollit, në këtë libër trajtohen rrethanat e krijimit dhe ideologët e lëvizjes kombëtare që e drejtuan gjithë propagandën e tyre kryesisht kundër përpjekjeve të “pansllavistëve” dhe “panhelenistëve”, të cilët donin të përçanin popullin shqiptar duke shfrytëzuar ndasitë fetare. Ndërsa ata shfrytëzuan teorinë antishqiptare “fe atdhe” dhe prapambetjen e madhe ekonomike, arsimore e kulturore nën sundimin e gjatë të Perandorisë Osmane, autori vlerëson se “nga ana tjetër, ideologët shqiptarë, hartuan programin e lëvizjes kombëtare shqiptare, që çonte në shtetformim përmes sovranizmit”.

Lidhja kombëtare

Në librin e autorit Rexhvelaj “Sovranistët”, jepen fakte dhe argumente, se si gjatë pranverës së vitit 1878, krahas hovit që mori lëvizja e protestave kundër Traktatit të Shën – Stefanit, triumfoi edhe ideja për të kundërshtuar me armë vendimet, që mund të merreshin në Kongresin e Berlinit, në dëm të tërësisë tokësore të atdheut. Në këto rrethana,- shkruan autori, kërkesa për të formuar një “Lidhje” të përgjithshme kombëtare mbarëshqiptare u bë mjaft popullore dhe e domosdoshme. “Për krijimin e kësaj Lidhjeje të Përgjithshme Kombëtare, lindën dy rryma politike kryesore. – Njërën prej tyre e përbënin qarqet patriotike shqiptare, të përfaqësuara kryesisht nga Komiteti Kombëtar i Stambollit dhe të mbështetur edhe nga masa popullore. Rryma patriotike, apo rryma ‘radikale’ siç u quajt nga vëzhguesit e huaj të kohës, synonte formimin e një Lidhje Shqiptare, e cila në emër të ‘të drejtave kombëtare’ të Shqipërisë dhe për mbrojtjen territoriale, kërkonte krijimin e një vilajeti ‘autonom’ shqiptar ose po ta lejonin rrethanat ndërkombëtare, të një ‘shteti shqiptar autonom’. Rryma e dytë ishte ajo e të ‘moderuarve’ siç edhe u cilësua nga bashkëkohësit, e cila mbështetjen kryesore e kishte kryesisht te qarqet çifligaro – reshpere, të përfaqësuara nga personalitete të njohura si Ali bej Gucia, Iljaz Pashë Dibra, Abedin pashë Dino etj” (fq.77).

E rëndësishme, sipas autorit Rexhvelaj ishte se që të dyja rrymat e pranonin në parim edhe idenë e krijimit të një vilajeti autonom shqiptar, madje disa prej të “moderuarve” deri edhe të një shteti autonom. Në këtë optikë trajtohen në këtë libër edhe roli i Komitetit shqiptar të Stambollit, zhvillimet e kohës së Lidhjes shqiptare të Prizrenit, Çështja shqiptare në Kongresin e Berlinit, Kuvendi i Dibrës, Kuvendi i Prevezës, (11 janar 1879), Besëlidhja shqiptare të Pejës ((janar 1899); Kuvendi i Ferizajt (18 korrik 1908); Klubet Kombëtare Shqiptare (1908) etj.

KLUBET SHQIPTARE

Një vend të veçantë u kushton autori Rexhvelaj përpjekjeve të sovranistëve shqiptarë për ruajtjen e gjuhës amtare. Kështu ai shkruan se “rrethanat e reja të krijuara pas shpalljes së ‘Kushtetutës’ me ardhjen në pushtet të Xhonturqëve, në vitin 1908, ndihmuan rilindësit shqiptarë që të kapnin momentin e duhur për thirrjen e Kongresit për njësimin alfabetit të gjuhës shqipe. Dhe ishte klubi ‘Bashkimi i Manastirit’, që e mori këtë nisëm historike. Ky klub, që me themelimin e tij, e shpalli zgjidhjen e kësaj çështje si detyrë të ngutshme të lëvizjes kulturore – kombëtare. Gjatë muajve gusht – shtator, pasi kishte marrë edhe pëlqimin e klubeve të tjera atdhetare, klubi i Manastirit ndërmori masat konkrete për thirrjen e kongresit kombëtar për alfabetin.

Në ‘Zëdhënien’ që u shpërnda me këtë rast ftoheshin të merrnin pjesë në kongres gjithë shqiptarët, brenda e jashtë Shqipërisë, si dhe çdo filolog shqiptar. Kjo u prit mirë nga atdhetarët shqiptarë dhe nga klubet e shoqëritë patriotike brenda dhe jashtë vendit, të cilët u treguan të gatshëm të dërgojnë përfaqësuesit e tyre në këtë Kongres. Kongresi u hap në Manastir më 14 nëntor 1908 dhe vijoi punimet deri më 22 nëntor. Në kongres morën pjesë 32 delegatë me të drejtë vote, që përfaqësonin 26 qytete e shoqëri të ndryshme shqiptare brenda e jashtë atdheut, si dhe 18 delegatë të tjerë si pjesëmarrës pa të drejtë vote. Kongresi i Manastirit mori formën dhe përmasat e një kongresi mbarëshqiptar, sepse morën pjesë gjithsej 50 delegatë nga të gjithë anët e Shqipërisë, nga qytetet e vilajeteve te Manastirit, të Kosovës, të Janinës e të Shkodrës, si edhe nga shoqëritë shqiptare të Bukureshtit, të Sofjes, të SHBA-së, të Egjiptit, të Arbëreshëve të Italisë etj” (fq,147).

Pavarësi

Autori Rexhvelaj jep, gjithashtu, fakte dhe argumente se si i paraprinë shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë kryengritjet e Shqipërisë së Veriut (1910-1912), ku sipas tij në organizimin e këtyre kryengritjeve rol të rëndësishëm patën Kuvendet e Greçës dhe Junikut. Më pas ai sjell referenca nga historiani i njohur prof. dr. Kristo Frashëri, në librin e tij “Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë” (botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë – Tiranë, 2008), kur bën fjalë për “Kryengritjet e Përgjithshme Çlirimtare 1912”, i cili (faqe 63) ndër të tjera shkruan: “Shqiptarët, në fillim të vitit 1912, ishin thellësisht të egërsuar ndaj Stambollit. Më 11 janar 1912, Hasan Prishtina në emër të grupit të deputetëve shqiptarë në parlamentin osman, paralajmëroi Qeverinë Xhonturke, se po të mos hiqte dorë nga politika shtypëse, shumë shpejt në Shqipëri do të shpërthente revolucioni çlirimtar”. Fjala e deputetit shqiptar Hasan Prishtina bëri një jehonë të madhe. Ajo ushtoi si kambana që ftonte shqiptarët për kryengritje çlirimtare. Përshtypje të thellë ajo la dhe në Parlamentin Perandorak. Në po atë seancë parlamentare u ngritën zëra proteste, jo vetëm nga deputetët shqiptarë, por edhe nga deputetë të kombësive të tjera joturke. Po në atë mbrëmje, në shtëpinë e Hasan Prishtinës shkoi për vizitë Ismail Qemali për të përgëzuar patriotin kosovar për fjalimin e tij kategorik dhe për të biseduar shtruar rreth “fatit” të mëtejshëm të Shqipërisë. Gjatë bisedës, Ismail Qemali i kujtoi Hasan Prishtinës se Ai i kishte shkruar në zemër fjalët që ai tha në Parlament se: “kam me ken njani e ndoshta i pari i atyne qi kam për ta ngrehë flamurin e kryengritjes”. Hasan Prishtina në kujtimet e veta shkruan se: “matem shumë para se me folë, por mundem me ju sigurue qi zakoni em asht me e mbajt fjalen qi del nga goja. “Pra –Ju drejtua Ismail Qemalit- mbasi edhe zotnia Juaj, po e ndieni nevojën e nji kryengritje, ndoshta vetëm vendimi ynë nuk mund të mjaftojë për me qitë në krye (me realizue) kët qellim (të madh), më duket se do të na duhet me u bashkue edhe me katër a pesë vetë rreth këtij vendimi”.

Të nesërmen u morën vesh që për këtë qellim, pra (organizimin e një kryengritje shqiptare), të thirreshin edhe disa personalitete shqiptare që ndodheshin në Stamboll, të cilët kishin ndikim në Shqipëri, (mbasi ishin deputetë të zgjedhur në Shqipëri) në një mbledhje të posaçme. Historiani i njohur prof. dr. Kristo Frashëri (f.64) shkruan se: “Në një ditë të javës midis 11 dhe 18 janarit 1912 u zhvillua mbledhja historike e fshehtë, e cila ka marrë emrin në histori ‘Mbledhja e Taksimit’, nga se shtëpia e Syria bej Vlorës, ku u organizua mbledhja ndodhej në lagjen ‘Taksim’ të Stambollit. (një lagje ku jetonin shumë shqiptarë – Sh.R).

Kuvendi

Padyshim që autori Rexhvelaj do ta vlerësonte rolin e sovranistëve me aktin e tyre final – kurorëzimin e shpalljes së pavarësisë dhe krijimin e shtetit të ri shqiptar më 28 Nëntor 1912. Për këtë ai nuk flet vetë, por sjell referenca nga studiuesi Ilir Ikonomi në librin e tij “Pavarësia”, botuar në vitin 2012. Kështu (faqe 230) ai na jep edhe disa hollësi për telegramet historike që Ismail Qemali iu dërgon Ministrave të Jashtëm të Fuqive të Mëdha. Ai shkruan se telegrami i shkurtër, vetëm me tre paragrafë, ishte një tekst diplomatik mjaft inteligjent. Aty thuhej për shembull, se: ”Qeveria ishte shpallur nga delegatët e të gjitha krahinave pa dallim feje” dhe me këtë Ismail Qemali kërkonte të zhdukte dyshimet e përhapura në Evropë, se dallimet krahinore dhe fetare, e bënin të pamundur që shqiptarët të kishin një qeveri kombëtare.

Në paragrafin e dytë ishte pika më delikate, njohja. ”Kam nderin t’i lutem Qeverisë së Madhërisë Suaj Perandorake dhe Mbretërore, të keni mirësinë të njihni këtë ndryshim të jetës politike të kombit shqiptar”,-thoshte Ismaili në telegram dhe pak rreshta më poshtë, u kujton të Mëdhenjve se ‘shqiptarët ishin më të lashtët ndër popujt e Ballkanit’. Ky ishte dokumenti i parë diplomatik i qeverisë së re dhe përmbajtja e tij u botua në shumë gazeta kryesore evropiane.

Ismail bej Vlora, si një politikan dhe diplomat i nivelit të lartë të kohës së tij, e njihte më mirë se kushdo tjetër Portën e Lartë. Me ngritjen e flamurit kombëtar më 28 nëntor 1912 në Vlorë, për ‘babain e kombit’, Ismail bej Vlorën, tashmë kishte marrë fund nata e stërgjatur prej disa shekujsh a qindra vjeçarësh e Perandorisë Osmane, në Shqipëri. Në vështrimin historik ky kapitull tashmë ishte mbyllur njëherë e përgjithmonë. Shqipëria tashmë e kishte kthyer fytyrën nga Perëndimi dhe shpresën, në ardhmërinë e saj e kishin në duart e tyre, Fuqitë e Mëdha”.

Lufta

Në kreun e tretë që rrjedh logjikisht pas atyre dy krerëve të parë, të librit të autorit Rexhvelaj, ngrihet madhështore si një epope heroike, Lufta për Mbrojtjen e Shkodrës [tetor 1912-prill 1913], e cila vuri në themelet e pavarësisë së sapo shpallur shqiptare disa mijë martirë dhe shumë të plagosur. (Gjyshi i autorit, Bisho Bajram Rexhvelaj është një prej martirëve të asaj lufte).

Në parathënien e librit, Dr.Arian Starova, ndër të tjera shkruan se thjesht, vetëm si lexues i këtij libri, do të guxonte të shprehej se, ndoshta Lufta për Mbrojtjen e Shkodrës duhet t’i nxisë më fort historianët, tani dhe në të ardhmen, që të shkruajnë më shumë dhe në mënyrë më analitike mbi luftërat e tjera të ngjashme me të edhe në krahinat e tjera të Shqipërisë. Kjo sipas diplomatit dhe analistit Starova për faktin se fryma e kohëve të reja thekson fort nevojën e bashkëpunimit, dialogut dhe integrimit ndërmjet popujve, por edhe faktet e kohëve të reja që ngulmojnë fort se nuk duhet harruar asnjëherë vazhdimësia historike e gjeopolitikës, dhe kjo vlen, para së gjithave, për brezat e rinj. Megjithatë, Starova shprehet se edhe mbi Luftën për Mbrojtjen e Shkodrës ka ende nevojë për analiza dhe kërkime mbi faktet e ngjarjeve dhe rolet e aktorëve të saj. Kjo sipas tij për faktin se për këtë luftë ende pak është folur dhe shkruar siç duhet. Ndoshta edhe sepse një nga aktorët e saj të rëndësishëm, Esat Pashë Toptani, ende nuk ka marrë vlerësimin e duhur.

“Autori Rexhvelaj na jep informacion të bollshëm (i cili do të jetë me siguri edhe shumë më i gjerë nëse historianët do të kërkonin më tej) mbi Esat Pashën, jo vetëm si komandant i Luftës për Mbrojtjen e Shkodrës, por edhe në përgjithësi për të dhe veprimtarinë e tij. Në vlerësimet që bën autori, spikat dukshëm një qëndrim objektiv mbi figurën e Esat Pashë Toptanit, jashtë ideologjizimeve të së shkuarës komuniste, siç shprehet vetë ai. Përveç kësaj, autori Rexhvelaj shprehet me modesti se përsëri, pak është shkruar mbi atë edhe si politikan i lartë shqiptar i asaj kohe, edhe si komandant i Luftës për Mbrojtjen e Shkodrës”,-shkruan Starova.

Si një ide që ndoshta ka vlerë, ai nënvizon së fundi, se është thirrja shumë e frymëzuar, e shprehur dhe e pashprehur që e përshkon të gjithë këtë libër, thirrja drejtuar historianëve për të nxjerrë sa më shumë prej të vërtetave të ngjarjeve historike dhe të mendjeve të shquara të shqiptarëve. Ndaj dhe beson se ky libër do të mbetet si një shembull i pastër i etjes së shqiptarëve për të njohur sa më mirë historinë e tyre dhe thjesht, edhe një fakt njerëzor nxitës mbi historishkruesit.

Dr.Arian Starova shpreh admirim dhe mirënjohje për punën e palodhur, të guximshme, të jashtëzakonshme dhe plot dashuri patriotike të autorit Shaqir Rexhevelaj, e cila ka kaluar përmes labirintit të shfletimit të qindra dhe mijëra faqeve, i frymëzuar vetëm nga pasioni i tij idealist për historinë, i ngjizur qysh në vitet e tij të fëmijërisë, të kaluar në Malësinë e Madhe dhe në gjirin e një familjeje e cila ka marrë pjesë me përkushtim dhe ka pasur dëshmorët e saj në luftërat historike patriotike dhe në Luftën për Mbrojtjen e Shkodrës nga kërcënimi serbomalazez në prag të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë dhe disa muaj më pas. Me këndvështrimin e tij të veçantë historik, i gjithë ky libër qëndron si një pjesëz me vlerë të veçantë e vendosur, në mozaikun e pamatë të kujtesës sonë kombëtare, e cila ende vazhdon të vuajë nga shtrembërimet dhe mosmirënjohjet e motivuara politikisht të së kaluarës.

Në këtë linjë edhe Dr. Fejzulla Gjabri nënvizon faktin se, vepra që merr në dorë lexuesi, është vepër historike, pasi ka ngjarje, veprime e njerëz realë. Mendimet e autorit janë shpalosë natyrshëm pranë veprave të cituara. Ato janë mendime, që i jep një intelektual i formuar, një ish-banor i Shkodrës, që të parët e tij e paguan shtrenjtë atë periudhë.

“Duket, se qëllimi i autorit është të bëjë të njohur fakte historike, që brezi i tij i kishte mësuar ndryshe. Kështu, që lexuesi a studiuesi do gjejë material të zhveshur nga ideologjia, se autorët që ai citon, vendas e të huaj, janë larg ideologjisë së mëparshme. Të asaj para viteve 1990. Synimi i tij është, që zhvillimet e periudhës 1912-1913, para saj e pak pas saj, të shpalosen me një këndvështrim të ri, të zhveshur nga paragjykimet, mistifikimet, të shihen nga një pozicion larg ideologjisë pesëdhjetëvjeçare, sidomos për momentet kyçe të historisë sonë kombëtare””, -shkruan Dr. Fejzulla Gjarbri në pasthënie. Ai mendon se autori ia ka arritur qëllimit, duke sjellë fakte nga shkrime të kohës (pa anshmëri), duke shfrytëzuar botimet nga shkrimtarë vendas e jo vendas, por që i kanë jetuar ato vite, duke qenë jo thjeshtë vëzhgues, po veprues e ndikues në zhvillimet e vrullshme të asaj periudhe (pak para periudhës 1912-1913 e pak më pas). Ky botim, nga analisti Gjabri, çmohet për përpjekje për t’iu përmbajtur frymës së re të lirisë së shkrimeve, që nuk imponohen nga interpretime dhe konkluzione jashtë realitetit. Faktet që sjell nga literatura e shfrytëzuar, a kërkimit shkencor historik, e bëjnë materialin të besueshëm dhe tërheqës.

Nga: Halil Rama

Scroll to Top