“Prokurori” nga 10 tetori në të gjitha kinematë shqiptare, njihuni me filmin shqiptar që pritet të dalë edhe në Netflix

Për herë të parë, një film me produksion shqiptar dhe me pjesëmarrjen e veçantë të aktorit hollivudian, Danny Glover, mund të jetë pjesë e Netflix. Fatmir Doga, regjisori i filmit “Prokurori”, i cili do të shfaqet në rrjetin e kinemave “Cineplex” nga data 10 tetor, rrëfen se në ditën e premierës së filmit në Tiranë do të vijë edhe një përfaqësues i platformës gjigante Netflix, për të parë reagimin e publikut shqiptar për filmin.

Në një intervistë në emisionin “Rudina” në Tv Klan, Doga tha se filmi “Prokurori” do të ketë 5 sezone me nga 12 seri, duke e bërë një projekt gjigant kinematografik. “Do të vijë natën e premieres, në 10 tetor, dhe do të jetë dikush nga Netflix, i cili do shikojë reagimin e audiencës shqiptare për filmin. Kjo do të jetë një ndër ato që do të ndikojë në vendimmarrje. Zakonisht, Netflix edhe i dublon filmat, por shumë njerëz kanë dëshirë ta shohin me titra, për të dëgjuar gjuhën origjinale. Po të më pyesin mua, unë do u thosha të mos e dublojnë, shqipja është shumë e bukur, sidomos kur nuk e sforcon. Skeleti i kësaj ngjarje është bërë për 5 vjet, çdo vit nga 12 seri, është prodhim gjigant”, nënvizoi ai.

Episodi i parë i serialit vjen në kinematë e Tiranës nga data 10 Tetor, me regji nga Fatmir Doga dhe producentë Ylli Ujka dhe Çesk Ivanaj. Subjekti i filmit i zhanrit aksion/dramë e merr spunton nga ngjarje të përditshmërisë tonë, me fokus në reformën në drejtësi dhe luftën e një prokurori të ndershëm për t’u përballur me krimin e organizuar dhe politikanë të korruptuar.

Scroll to Top