Përse “e duan” të huajt Shqipërinë? Gati gjysma për punësim, vetëm 4% për shkollim. Rriten me 21.6% lejet e qëndrimit
Vitet e fundit Shqipëria padyshim që ka patur një sezon të suksesshëm sa i përket turizmit, por të huajt nuk e vizitojnë Shqipërinë vetëm në periudhat sezonale pasi një pjesë e tyre kërkojnë të jetojnë në vendin tonë. Sipas të dhënave të INSTAT në vitin që lamë pas, pra vitin 2022, për të huajt u aprovuan gjithsej 18,151 leje qëndrimi, duke konstatuar kështu një rritje me 21.6% krahasuar me vitin 2021. Por si paraqitet profili i një të huaji me leje qëndrimi në Shqipëri?
‘Scan Intel’ ka analizuar të dhënat për të huajt që gëzojnë leje qëndrimi në vendin tonë sipas moshës, gjinisë, qëllimit dhe vendit të tyre të origjinës. Shifrat tregojnë se 20% e të huajve që qëndrojnë në Shqipëri i përkasin grupmoshës 30-39 vjeç, 18% e tyre janë 50-59 vjeç, ndërkohë të rinjtë përbëjnë rreth 26%.
Sa i përket shpërndarjes së të huajve sipas gjinisë, të dhënat tregojnë se të huajt që zotërojnë leje qëndrimi në vendin tonë janë më shumë meshkuj sesa femra. Konkretisht në vitin 2022 ishin përfitues të lejes rreth 11,300 meshkuj dhe 6,900 femra. E shprehur në përqindje themi se meshkujt përbëjnë 63% të totalit ndërsa femrat 37%. Ky trend ka qenë i njëjtë edhe në vitet paraardhëse.
Por pse të huajt kërkojnë të qëndrojnë në Shqipëri? Sipas të dhënave rezulton se arsyeja kryesore është punësimi, pra rreth 43.7% shtetas të huaj janë të interesuar të integrohen në tregun e punës, 23.9% prej tyre kanë përfituar leje qëndrimi si rezultat i bashkimit familjar dhe shumë më pak të huaj kanë kërkuar leje qëndrimi për arsye të studimeve akademike.
Gjithashtu, të huajt që preferojnë të qëndrojnë në Shqipëri për arsyet e përmendura më lart paraqesin një diversitet të lartë pasi vijnë nga vende të ndryshme të botës. Në terma absolutë themi se janë aprovuar leje qëndrimi për 13,300 shtetas nga Europa të cilët përbëjnë 73% të totalit, ndërsa të dytët në radhë renditen 2,600 shtetas nga Azia ose 15% e totalit të lejeve të qëndrimit të dhëna gjithsej. Më pak shtetas nga Afrika dhe Amerika kanë paraqitur interes për të fituar të drejtën e qëndrimit në Shqipëri.