Skandal/ Shiringa me gjak, age e mbetje të rrezikshme “gëlojnë” në spitale
Në Spitalin e Fierit, gjatë një mëngjesi të një dite pune, në mes të urgjencës dhe maternitetit, brenda dhe jashtë kazanëve të mbetjeve urbane, gjetëm të hedhura sasi të konsiderueshme mbetjesh spitalore të rrezikshme.
Ne pamë me sy të lirë age, shiringa, sende qelqi, sende me gjak dhe risk të lartë. Drejtoresha e spitalit të Fierit, nuk dha shpjegime për situatën, por shqiptoi formulën e kërkesës së një shkresë zyrtare.
Sekretarja, Dr. Spitalit Fier: Duan të sqarojnë diçka për mbetjet spitalore. Shkresë zyrtare!
Gazetari: Drejtoreshë, të lutem një takim për mbetjet spitalore, si është situata, të lutem!
Pas sinjalizmit nga ana jonë, Inspektorati i Shëndetësisë Fier, na njoftoi se spitalit iu vu 1 milionë lekë të reja gjobë, pasi u konstatuan shkelje në procedurën e menaxhimit të mbetjeve.
I njëjti denoncim na mbërriti në redaksi edhe për spitalin e Beratit, ku ne gjetëm vetë mbetje të rrezikshme spitalore në kazanët e mbetjeve urbane. Drejtoria Vendore e Policisë së Beratit iu përgjigj menjëherë denoncimit të emisionit “Stop”, duke vënë në dispozicion eskpertët e fushës, të cilët bënë kqyrjen e mbetjeve spitalore të depozituara në ambiente publike në shkelje të plotë të ligjit.
Nëndrejtoresha teknike e këtij spitali, u tregua indiferente, kur gazetari i “Stop” e njohur me situatën. Shqetësimi i saj i vetëm ishte të dinte, se sa e madhe ishte sasia e mbetjeve spitalore, që ai kishte gjetur.
Gazetari: Mbetje spitalore.
N/drejtoresha: Sa? Çfarë sasie?
Gazetari: Aq sa për të vënë alarmin, që këtu hidhen mbetje të keqmenaxhuara.
N/drejtoresha: Sa sasi ka?
Gazetari: Ç’rëndësi ka sasia?
N/drejtoresha: Ka shumë rëndësi.
Gazetari: E dinë zotërinjtë, ata janë specialistë.
Ne kontaktuam edhe me administratorin e V.A.L.E Recycling, Elvis Miri, i cili tha se një ose dy herë në javë merr mbetjet e spitalit të Beratit. Pjesa tjetër nuk është përgjegjësi e tij.
Përsa i përket Spitalit të Beratit, policia na njoftoi, se ka nisur procedim penal për spitalin për veprën “menaxhimi i mbetjeve” dhe materialet i kanë kaluar prokurorisë.
Faik Shosha, kryeinspektor i ISHSH Berat, tha se bëhet fjalë për mbetje të rrezikshme spitalore, ndaj dha ka ngritur grupin e punës, për ndjekjen ligjore të çështjes.
“Sapo njoftova inspektorët që të ngrenë grupin e inspektimit për të kryer një inspektim në flagrancë, nëpërmjet denoncimit që bëri emisioni juaj. Do të shkojmë atje, do shikojmë situatën, do të bëjmë edhe ne fotot përkatëse dhe do merren masat, siç është gjoba, për rastin konkret, për institucionin. Dhe do të bisedojmë edhe me institucionet e tjera që ju keni kontaktuar, për të rakorduar veprimet. Po i pashë dhe janë mbetje të rrezikshme spitalore që nga age, shiringa, flakone të përdorura, që absolutisht nuk duhet të jenë as brenda në kosh, as në ambient. Thjesht në kutitë përkatëse, siç është dhe ligji, për t’i magazinuar dhe për t’i çuar tek inceneratorët që kanë kontratë përkatëse me çdo spital dhe me çdo prodhues të mbetjeve të rrezikshme spitalore” – përfundon Faik Shosha.
Zyrtarisht na u komunikua, se spitalit iu vendos gjobë 1 milionë lekë të reja. /TV KLAN