HISTORIA EMOCIONUESE/Dashuria e shqiptarit dhe vajzës belge gjen rrugën pas 35 vitesh
E kemi lexuar nëpër libra se dashuritë e mëdha , herët a vonë, e gjejnë gjithmonë rrugën për te njëri-tjetri. Dhe këtë e vërtetojnë më së miri, Ramadani dhe Anne Van Esse, historia e dashurisë e të cilëve është fiks si ato romanet që kemi lexuar apo filmat romantikë që kemi parë.
Ramadan Rushiti, shqiptari 13 vjeçar asoj kohe u dashurua me vajzën belge, e cila kishte një baba që ishte absolutisht kundër lidhjes të së bijës me shtetas të huaj.
Ndonëse në fshehtësi ata arritën të shijonin për dy vite dashurinë e tyre fëmijnore, nën emocionet e forta të moshës, babai i Anne Van Esse arriti që t’i ndante duke “thyer” kështu zemrat e dy adoleshentëve që pa kuptuar kishin arritur të gjenin te njëri-tjetri dashurinë e jetës së tyre.
E kështu, secili bëri jetën e tij, të dy u martuan me të tjerë persona, lindën fëmijë e më pas u divorcuan, por pas 35 vitesh Zoti deshi që rrugët e “dy adoleshentëve çapkënë”, tashmë të rritur, të bashkoheshin sërish.
Vetë Ramadani ka treguar se ka qenë një shoku i tij i cili gjeti dashurinë e vjetër të mikut në “Facebook” dhe menjëherë ia tregoi atij. Pa humbur kohë Ramadani e kontaktoi dhe më pas filluan të bisedojnë.
Tashmë janë bashkë, madje Ramadani ka shkuar i ka kërkuar dorën babait të Annës dhe në muajin maj të vitit 2024 ata do të kurorëzojnë në Krujë dashurinë e tyre disavjeçare, e cila pavarësisht pengesave, viteve s’u shua kurrë.