Voskopoja, qyteti që u shkatërrua nga luksi i femrave! Detaje interesante

Jean-Claude Faveyrial (1817-1893), autor i librit “Historia e Shqipërisë”, ishte një nga personazhet spikatëse në Gadishullin Ballkanik, si një nga përfaqësuesit më në zë të Kishës lazariste të shenjtit Saint Vincent de Paul. Ai iu kushtua popujve të këtij rajoni me tërë humanizmin që mund të mbartë një zemër, një jetë. Por, ajo që përbënte dhe karakteristikën e tij themelore ishte se kudo që shkonte, edhe pse në emër të fesë, ishte një mbrojtës i së drejtës dhe së pari i lirisë, i gjuhës dhe kulturës së popujve dhe komuniteteve.

Faveyrial ka mbajtur një lidhje të vazhdueshme me shqiptarët dhe ishte pikërisht udhëtimi i tij në jug-lindjen e Shqipërisë, në Korçë e Voskopojë, që e nxiti ta shkruante historinë e vjetër të shqiptarëve.

Në shkrimet e tij, Voskopoja kishte tri kisha të mëdha: ajo e Shën Mërisë, e Karallambit dhe e Shën Nikollës. Ajo kishte më se 45 mijë banorë. Shkollat e saj ishin të shumta dhe në lulëzim. Ato frekuentoheshin jo vetëm nga fëmijët e qytetit, por dhe nga të ardhur të tjerë nga Nikolica, Lipoteni dhe nganjëherë edhe shumë larg. Nga Voskopoja, ashtu si nga Janina, për të përfunduar studimet shkohej më pas në shkollat e Italisë…

Voskopoja, ky qytet i lulëzuar, u plaçkit për herë të parë në vitin 1753 ose më 1754. Hordhitë osmane të Dangëllisë dhe Kolonjës, qenë fillimi i këtyre fatkeqësive. Ata plaçkitnin karvanët dhe vrisnin ata që vinin në tregun e këtij qyteti. Për Shqipërinë e Epërme, pasuria e Voskopojës dhe Vithkuqit ishte një burim begatie. T’i shkatërroje ato, ishte si të shkatërroje vendin.

Megjithatë, Voskopoja do të plaçkitej përsëri më vonë dhe këtë Faveyrial e kishte mësuar nga dëshmitë e shumë prej voskopojarëve që i kishte takuar dhe që ende banonin atje.

“Voskopojarët ia vunë fajin luksit të tepruar të femrave të tyre. Kjo është aq e vërtetë, saqë vetë Perëndia vuri në punë duart e njerëzve të ligj për të çuar në udhë të drejtë ata që kanë dalë nga udha e Zotit. Duke e parë të pamundur të qëndrojnë në një vend të mbushur me armiq, voskopojarët kërkuan një garnizon. Por, garnizoni përfundoi atë çfarë kishin filluar kaçakët e tjerë. Dhe, atëherë, të gjithë të pasurit e braktisën këtë vend të mallkuar, njëri pas tjetrit”. /Standard/Telegrafi/

Scroll to Top