“Përshëndetjet” e shqiptarëve në Selanikun e shekullit XVIII
Nga: Mark Mazower (Kapitulli “Shqiptarët” nga libri “Selaniku, qyteti i fantazmave: Të krishterët, myslimanët dhe hebrenjtë, 1430-1950”)
Ndërkohë, çrrënjosja e dhunës së jeniçerëve ishte shpesh më e vështirë sesa shërimi i një sëmundjeje. Shumë pashallarë, të paaftë për t’u mbështetur te trupat, që supozohej se ishin nën komandën e tyre, mbanin shpura të armatosura personale. Ata rekrutonin të rinj, kryesisht shqiptarë nga fshatrat e varfra malore, të cilët sollën me veto një qëndrim të dukshëm agresiv ndaj jetës. Një shekull më parë, një udhëtar osman, i kishte paralajmëruar të tjerët për mënyrën se si shqiptarët i përshëndesnin. Lista e tij përfshinte shprehjet e mëposhtme të përdorshme: “Ha mut!”, “Të qifsha nënën!”, “Të qifsha gruan!” dhe “Të pjerdhsha në vesh!”.
Selaniku shtrihej ndërmjet tokave jugore të Shqipërisë e Stambollit dhe në mesin e shekullit XVIII, disa mijëra shqiptarë punonin atje në hamame, si shitës boze, armëpunues, gurgdhendës apo roja. Disa të tjerë bënin punë sezonale si barinj ose tregtarë bagëtish. Pjesa më e madhe e personelit zyrtar mbështetej te ata që ofronin forcën, e cila u mundësonte pronarëve të tokave (ajanëve) në rajonet në veri të qytetit të fitonin gjithmonë e më shumë pushtet për vete. Për shembull një pronar i frikshëm i Doiranit, i cili kishte nën kontroll pjesën me të madhe të pashallarëve të Selanikut, arriti të nxirrte në fushë tre mijë shqiptarë kundër armiqve të tij – trupave yürük, që Porta e Lartë i kishte urdhëruar kundër tij. Në të vërtetë, shumë prej bejlerëve kryesorë në zonat e thella maqedonase ishin me origjinë shqiptarë.
Autoritetet osmane, që nuk kishin mendim të mirë për shtegtarët kishin shumë dyshime për shqiptarët (pavarësisht nga fakti se shumë prej zyrtarëve më të lartë ishin vetë me origjinë shqiptare). Në mënyrë të veçantë, në një Perandori që njihte vetëm dallimet e fesë, ata u dalluan nga emri, arnaut, dhe në vitin 1730 perandori urdhëroi që të gjithë shqiptarët myslimanë dhe të krishterë, të dëboheshin nga Stambolli.
Masa të tilla e intensifikuan problemin në provinca, duke rritur numrin e banditëve e të krimeve, ndaj dhe vëmendja e qeverisë u drejtua gradualisht drejt tyre. Pas luftës së gjatë me Rusinë, në mes të shekullit, pasi i shërbyen sulltanit në Peloponez, trupat shqiptare vazhduan plaçkitjen e tokave greke, derisa sulltan Abdylhamiti I, i mbështetur nga admirali i tij reformist, Gazi Hasan Pasha, vendosi të ndërmerrte veprime kundër tyre.
Gjatë asaj kohe për konsullin francez në Selanik, ata ishin më shumë sesa thjesht një faktor ngacmues. Në të vërtetë, rreziku për vetë Perandorinë nuk mund të ishte më i madh se kaq. Ai i shkroi Parisit:
Të gjithë burrat me gjykim të shëndoshë shpresojnë që Kapedan Pasha të ndjekë shembullin e Topal Osman Pashës, i cili e mbuloi Shqipërinë me lumenj gjaku duke zbatuar urdhrat e sulltan Mahmutit në vitin 1731. Nëse kjo nuk ndodh, duhet të frikësohemi se ky komb, i cili është i madh dhe njëkohësisht shumë i varfër, do të shpërdorojë zakonin e tij të mbajtjes së armëve dhe do të bëhet i fuqishëm e i rrezikshëm për këtë Perandori. Të gjitha qytetet e hapura të Rumelisë janë të ekspozuara ndaj shkatërrimeve të tij, që mund ta çojnë atë te portat e Kostandinopojës, nëse ndonjë ambicioz do të dijë si të përfitojë nga numri, kurajoja dhe disiplina e natyrshme e këtij kombi.
Si rrjedhim, ne vitin 1779, admirali osman drejtoi një grup prej më shumë se tridhjetë mijë burrash kundër tyre. Rrugës për në Peloponez, në një operacion mbresëlënës, për sa i përket shpejtësisë dhe vendosmërisë brutale, ai vetë u preu kokën dy pronarëve shumë të mëdhenj tokash dhe vrau rivalët e tyre kryesorë. Në Kostandinopojë u dërguan 34 koka të prera dhe tokat e tyre iu shpërndanë pjesëtarëve të familjes Evrenos si dhe familjeve të tjera të rëndësishme. Hasan Pasha u dha dritën jeshile turqve dhe grekëve, që të ndërmerrnin çfarëdolloj veprimi që dëshironin kundër shqiptarëve që do t’i hasnin: vrasja e tyre nuk ishte krim. Në vazhdim të marshimit të tij, ai ekzekutoi çdo shqiptar që takoi, u vuri zjarrin manastireve ku fshiheshin ata dhe ofroi pesë zekinë për çdo kokë shqiptari që i dërgonin. Në Selanik, brenda pesë ditësh, guvernatori dëboi më shumë se katër mijë shqiptarë (në përkthimin shqip me gjasë gabimisht thuhet: 400 mijë), duke përfshirë disa qindra prej tyre, të cilët bënin pjesë në shpurën e tij, dhe lejoi të qëndronin vetëm disa banorë që ishin ngulur aty kohë më parë.
Megjithatë, kjo ishte një zgjidhje e përkohshme dhe nuk pati ndonjë rezultat që shqiptarët të pajtoheshin me sundimin osman. Shumica e tyre ishin myslimanë, por feja e tyre e përbashkët nuk mund të mposhtte përbuzjen që ata ndienin tashmë për turqit. «Shqiptarët nuk e njohin më autoritetin e Lartmadhërisë së Tij», – shkroi një vëzhgues disa vite më vonë – «dhe as atë të pashës së Selanikut, të cilin e konsiderojnë një armik të urryer». Në vitin 1793, pashai i Shkodrës mundi një ushtri osmane, kapi disa zyrtarë të lartë dhe i ktheu sërish pas me mjekra të rruara në shenjë përbuzjeje për sulltanin. Në Selanik, ata po shkaktonin sërish probleme. Kur pashai u përpoq të arrestonte një ngatërrestar të njohur, të quajtur
Alizotoglou, në vitin 1793, u zbulua se ai strehonte në shtëpinë e tij 130 persona të tjerë si vetja dhe i furnizonte me ushqime dhe armë. Pashai, pasi u bëri thirrje «të gjithë myslimanëve të vërtetë» t’i vinin në ndihme, përdori topa kundër shtëpisë së Alizotoglout, por kundërshtari i tij u largua nga qyteti, pasi mori pengje për sigurinë e tij dhe kërcënoi i rebeluar se do të kthehej me 2 mijë burra, nëse nuk i kërkohej falje zyrtare. Një dhjetëvjeçar më vonë, u nxor një urdhër tjetër sipas të cilit zyrtarët lokalë urdhëroheshin ta pastronin qytetin nga «një numër i panjohur shqiptarësh dhe të tjerë, të cilët i përkasin të njëjtës kategori, nuk po kryejnë ndonjë shërbim, nuk kanë asnjë profesion të saktë dhe që po grumbullohen pa ndonjë qëllim të caktuar».
Dhe, ashtu siç e kishte parashikuar konsulli francez, shumë drejtues shqiptarë u bënë një kërcënim serioz për Perandorinë. Në fillim të shekullit XIX, Mehmet Aliu, një ushtar shqiptar nga Kavalla, u bë sundimtar i Egjiptit, themelues i një dinastie mbretërore dhe krijues i një perandorie jetëshkurtër në Afrikë e në tokat arabe. Më pranë atdheut ishte Ali Pasha – «Bonaparti mysliman», siç e quante Bajroni – i cili sundoi në gjithë bregdetin perëndimor të Ballkanit nga kalaja e tij në Janinë. Thirrja e tij mbërriti deri në portat e Selanikut dhe manastiret aty pranë zbuluan se ai ofronte një mbrojtje më të mirë kundër banditëve, sesa vetë guvernatori i qytetit, duke u dhënë atyre shënime të shkruara me dorë në «greqishte shumë të keqe», në «një copë letër katrore shumë të pistë», ku kërcënonte me ekzekutim çdo turk që keqtrajtonte murgjit. Ky ishte një pasha shqiptar, i cili ndërtonte shtetin e tij dhe po ofronte mbrojtje për të krishterët e rajonit, sigurinë e të cilëve sulltani nuk mund ta jepte më. Brishtësia e shtetit osman nuk mund të paraqitej më qartë se kaq.