HISTORIKE / Një nga 50 baret më të mira në botë, është në Bllok!
Nga Ani Jaupaj
Me një pamje minimaliste, në qendër të ish-Bllokut, ashtu siç është konceptuar, një bar i vogël që nuk i tërheq të gjithë sytë, është listuar në 50 baret më të mira të botës për koktejet.
Sofokli Cali ka ëndërruar për barin që ka sot që kur ishte 16 vjeç. Përshtypjet që i la bari i parë, në Athinë, ende adoleshent, i mbajti deri sa hapi të tijin.
Sofokliu emigroi me familjen në Athinë, por u kthye në Tiranë për të studiuar për inxhinieri të përpunimit të drurit. Në kohën e shkollës dhe për ca vite të tjera më vonë, punoi ku mundi, i provoi të gjitha, banakier, kamarier, restorant dhe i shijonte çdo ditë të gjitha punët që bënte, informon dritare.net
Në 2009-ën, kur ishte vetëm 25 vjeç, i bindi prindërit ta ndihmonin për të hapur barin e parë, ‘Bossa Nova’ gjithashtu me kokteje, në jug të vendit, prej nga kanë origjinën.
Pas suksesit të sezonit të parë, me t’u kthyer në Tiranë, Sofokliu hapi Nouvelle Vague, versionin urban të Bossa Nova-s. Në 22 dhjetor të 2012-ës Nouvelle Vague shërbeu pijen e parë. Sot, bari është pjesë e guidës së bareve më të mirë të botës “50 Best Bars in the World”.
Koktejet me raki dhe çaj mali
Bashkë me menynë bashkëkohore, Sofokliu krijon recetat origjinale të koktejeve që e bëjnë barin e tij unik. Sapo ka përfunduar menynë ‘Original’ dhe meqë e pëlqen shumë rakinë, provoi receta edhe me të.
“Përpiqem gjithnjë të jem sa më egoist që mundem në këtë punë dhe të zhvilloj vetëm gjërat që më bëjnë të lumtur”. Kaq vite më vonë, me praktikën e lumturisë, Sofokliu ka qëlluar në shenjë. Po të bëni një shëtitje darkave në fundjavë, do ta kuptoni edhe se pse kur të pini një koktej me raki.
“Përdorimi i rakisë në kokteje ishte sfidues, jo vetëm për kombinimin e recetave, por edhe për t’i bindur të rinjtë për ta provuar”.
Sot, të rinjtë nga e gjithë bota nuk kanë asnjë mëdyshje për të provuar kokteje me raki as ato me çaj mali që sapo janë përfshirë në menynë e re të barit. Mbase, po të ndjekësh mendimet e lumtura, mund t’ia dalësh!/dritare.net