Qesharake/ Përbetimi i Ramës dy vite më parë: Asnjëherë kampe refugjatësh në Shqipëri (VIDEO)
Që Edi Rama të gënjejë apo të ndryshojë qëndrim për hir të interesave vetjake politike, kjo nuk është aspak diçka e re. Në 10 vite në krye të qeverisë e kemi parë shumë herë të konsumojë gënjeshtra me zë e figurë.
Një gënjeshtër qesharake ka qenë edhe përbetimi i tij dy vite më parë se në Shqipëri nuk do të ndërtohen kampe refugjatësh.
Asokohe kishte pasur një debat të nxitur nga mediat britanike për shndërrimin e Shqipërisë në një vend pritës të klandestinëve që mbërrinin në ishull. Pra, Shqipëria përflitej se do të ishte një lloj Ruande në Europë për të strehuar përkohësisht ata që dyndeshin në Britaninë e Madhe.
Rama u tregua i prerë gjatë një komunikimi me gazetarët në nëntor 2021 teksa iu tha. “Shqipëria nuk do të jetë kurrë një vend ku vende shumë të pasura do të krijojnë kampe për refugjatët e tyre. Asnjëherë!”. Shihni videon më poshtë.
Ndërkohë sot ai fluturoi me charter në Romë për të finalizuar marrëveshjen e mbajtur sekret e të negociuar me kryeministren italiane Giorgia Meloni gjatë pushimeve të saj në vilën qeveritare në Vlorë. Përbetimi i Ramës për të mos lejuar kampe refugjatësh të vendeve të pasura në Shqipëri ka rënë.
Ai është kapur në një tjetër gënjështër që s’ka me çfarë e mbulon sado të orvatet t’i veshë kësaj marrëveshje me Italinë nuancat e një borxhi apo solidariteti që ne duhet të tregojmë me fqinjin tonë. Gjithçka ngjan të jetë më shumë një qokë apo pazar personal me kryeministren Meloni të cilën e portretizon shpesh si një motër të re për Shqipërinë.
Në kulmin e krizës së emigrantëve që zbarkojnë në Itali, Rama i ka hedhur Melonit një komerdare shpëtimi për të lehtësuar disi krizën. Nuk dihet çfarë ka marrë në këmbim të kësaj, por nuk është asnjë çudi që Shqipëria të dalë “duarbosh”, pa ndonjë investim italian apo ndonjë lehtësi domethënëse në procesin e integrimit.
Mund të jemi para një tjetër rasti flagrant ku autokrati i Tiranës thjesht ka bërë qokën e tij të radhës në kurriz të Shqipërisë, të cilën prej 10 vitesh e trajton si të ishte plaçka e tij.©LAPSI.al