Kush e vrau Hasan Riza Pashën, mbrojtësin e Shkodrës!

Përparim Rexhepaj, studiues ushtarak i ftuar në Shqip nga Dritan Hila në DritareTv tregoi se si u vra mbrojtësi i Shkodrës, Hasan Riza Pasha, nga truproja e Esat Pashë Toptanit, ndërsa trupat serbo-malazeze kërkonin të merrnin qytetin në 1913-ën.

“Nuk e kam të qartë se çfarë qëndrimi mbajti komanda e lartë turke ndaj Janinës dhe Shkodrës. T’i dorëzonin apo jo. Më 3 dhjetor, nga Cetina erdhi konsulli i Austro-Hungarisë dhe takoi Hasan Rizanë. Konsulli i dorëzoi një letër që e kishte nisur mbreti Nikolla që kërkonte që Hasan Riza Pasha të dorëzonte qytetin, sepse ishte bërë një marrëveshje nga Porta e Lartë. Pra ishte vendosur që Shkodrën ta merrnin aleatët ballkanikë. Riza Pasha kundërshtoi, nuk e dorëzoi Shkodrën. Atëherë vazhdoi bombardimi.

Në janar u bënë bashkë forcat serbo-malazeze dhe në shkurt bënë një mësymje të përgjithshme për të pushtuar Shkodrën. Në janar Hasan Riza Pasha shkoi te arqipeshkviu i Shkodrës dhe i kërkoi që malësorët katolikë që ishin bashkuar me forcat malazeze të tërhiqeshin dhe të bashkoheshin me forcat shqiptare për të sulmuar ushtrinë serbo-malazeze. U ra dakord dhe më datën 30 janar 1913, Hasan Riza shkoi te shtëpia e Esat Pashë Toptanit dhe biseduan. Ky u fundit i tha të marrë një oficer që ta shoqërojë. Hasani ishte trim dhe nuk pranoi. Kur doli nga Esati, i dolën tre vetë para dhe e qëlluan, dy herë në këmbë me pistoletë dhe një herë pasi u rrëzua. Mjekët e morën e futën në shtëpi, që ishte afër shtëpisë së Esat Pashë Toptanit.

Fajin për vrasjen ia lanë Esat Pashë Toptanit. Në grahmat e fundit të jetës Hasan Rizai, u tha të mos mendojnë më për të, por si të mbrojnë Shkodrën. Vetë Hasan Rizai e kuptoi kush e qëlloi. Pra, Osman Bardhi, që ishte truproja kryesore e Esat Pashë Toptanit, bashkë me dy rezervistë të tjerë shqiptarë. Pasi u vra Rizai, i takonte shefit të shtabit të ushtrisë të merrte drejtimin, jo Esat Pashë Toptanit, që ishte oficer xhandarmerie. Por ata ranë dakord që komandant të ishte Esat Pashe Toptani. Po atë ditë që u vra Rizai, Esat Pashë Toptani i dërgoi një letër ushtrisë serbo-malazeze duke i thënë që të bisedojnë për një armëpushim.

Ndërsa forcat serbo-malazeze u thanë: Ne kemi kohë që ju themi të dorëzoheni, ju nuk u dorëzuat, atëherë përgatituni për luftë. Sepse ata ishin të sigurt që do ta merrnin Shkodrën me luftë.”, u shpreh zoti Përparim Rexhepaj, i cili është nënkolonel në pension, historian ushtarak dhe për shpjegimin që bën i referohet arkivave serbe, malazeze, greke, otomane, shqiptare dhe botimeve amerikane e angleze./K.C/dritare.net

 

Scroll to Top