U godit 26 herë me thikë nga i moshuari, fjalët e fundit të 6-vjeçarit palestinez: Mami jam mirë
“Mami jam mirë.” Këto ishin fjalët e fundit të djalit 6-vjeçar nga Palestina, i cili u godit me thikë nga një 71-vjeçar në Çikago të dielën.
Ditën e djeshme, qindra njerëz morën pjesë në funeralin e fëmijës për t’i dhënë lamtumirën e fundit vogëlushit. Policia thotë se i vogli Wadea al-Fayoume u sulmua nga 71-vjeçari Joseph Czuba sepse ishte mysliman.
Autori duket se ka qenë i ndikuar nga lufta Izrael-Hamas. Gjatë sulmit të tmerrshëm, fëmija 6-vjeçar u godit 26 herë me thikë, ndërsa nëna e tij u plagos rëndë dhe ndodhet në spital.
Me lot në sy, xhaxhai i Wadeas, Mahmoud Yousef, foli para kamerave në një konferencë për shtyp para funeralit, duke thënë: “ Ai është një fëmijë 6-vjeçar. Si çdo 6-vjeçar tjetër, atij i pëlqen të luajë me lodra. Unë thjesht dua t’i them gjithë botës se ne jetojmë në një vend të quajtur SHBA. Ne nuk jemi në luftë dhe nuk do ta sjellim luftën këtu”.