Shota e Haklajve paralajmëron Sali Berishën: Jemi mbi 50 familje, mos harro fjalët e Fatmirit
Hapja e “Dosjes” Tropoja ka tërbuar Sali Berishën. Pak javë më parë SPAK mori në pyetje Aishe Haklajn, e cila për 12 orë dha dëshmi dhe dorëzoi prova përvëluese ndaj Berishës. Si duket ky i fundit është trembur. Në një emision para zgjedhjeve të 14 majit, ai foli për herë të parë për këtë dosje dhe ka sulmuar familjen Haklaj.
Berisha u shpreh se njëra nga motrat Haklaj, Zylfia është vrasëse dhe ka vrarë 2 njerëz në mes të kafenesë. Sipas tij, Haklajt kanë kryer më shumë vrasje në Tropojë se 100 vjet të marra së bashku. Gjithashtu ai tha se familjen Haklaj po e përdor Partia Socialiste për shkak të zgjedhjeve.
Gazeta “SOT” kontaktoi me Zylfie Haklajn që në momentin kur ish-kryeministri lëshoi këto akuza të rënda, por ajo zgjodhi që t’i përgjigjet pas votimeve. Në reagimin e saj, Zylfie Haklaj rendit të gjitha vrasjet ku është implikuar Sali Berisha. “Dy fjalë për tradhtarin e betuar të kombit shqiptar Sali Berisha. Para pak ditësh tha dy fjalë për motrat e Fatmirit. Është hera e parë që po i përmend emrin Fatmirit, “kanë mendue që nuk ja dinë emrin Fatmirit”. Nuk t’u përgjigja para votimeve, sepse akuzove Ajshen që e thirri SPAK për interes të votave. Ajo ishte një datë e caktuar që duhet të paraqitej para se të kalonte afati.
Por t’i shkove në Tropojë dy herë brenda një muaji për interes të votave dhe ju bërë thirrje veriorëve nga Tropoja mos votojnë Edi Ramën, meqenëse është jugor. Gjysh Isuf Groshi thoshte, mos e dvete se e tregon vetë se kush është. Tropoja ta dha përgjigjen e merituar. Nëse ju krahasoj juve me Millosheviçin, e fyej atë me ju, sepse ai ka vrarë shqiptarë, jo popullin e tij. Ju keni futur vëllavrasje në popull në të gjithë Shqipërinë, duke hapur depot e armatimit dhe dërguar veriorë të vrasin vëllezërit e tyre në jug të Shqipërisë. Gjyshi thoshte “i keqi ta nxanë rrugën e nuk ki e ka shkon pa u marrë me ta. E ndjejmë për turp që kemi të bëjmë me ty. Ju jeni një fundërrinë, jeni turp i popullit shqiptar. Fute vëllavrasje në Tropojë të vriten tropojanët që janë rritur së bashku dhe kanë ngrënë bukë në një sofër”, tha Zylfie Haklaj.
Vrasja e Remzi Hoxhës, “Gërdeci”, “21 Janari” dhe lidhjet me Millosheviçin
Sipas Zylfie Haklajt, Berisha zhduku Remzi Hoxhën vetëm sepse e kishte filmuar me Millosheviçin. Ajo u shpreh se ish-kryeministri demokrat përdori Tropojën si mish për top për të djegur më pas të gjithë Shqipërinë.
Në reagimin e saj, Zylfia thotë se Berisha ekzekutoi Shkëlqim Haklajn për të hequr Fatmirin nga puna pasi nuk arriti të merrte Komisariatin e Tropojës. Pra Berisha, personi i cili, thjeshtë dhe vetëm për egoizëm e cinizëm katundaresk, për të mos parë si “komandant” përveç vetes, askënd nga fiset apo njerëzit e Tropojës, ka sulmuar fisin “Haklaj”, i cili në vitet 1990-1999, u shfaq si fis dominues në Tropojë.
“Nuk ta ktheva përgjigjen para votimeve, se do thoje po më përdor Partia Socialiste. Me gjakun e të vdekurve nuk bajmë lojë, as nuk i shesim, as nuk jetojmë as me lekët e Vladimir Putinit, as të Sllobodanit. Më akuzove, thoshte gjtshi marrja rrinë dhe Zoti nuk rrinë. Ju jeni njeriu më tradhtar që ka patur kombi shqiptar në të gjithë kohërat. As një udhëheqës nuk e ka bërë në Shqipëri atë që ju e keni bërë. Enveri ka vrarë, por popullin nuk e ka përçarë. Në vitin 1997 i morët paratë popullit dhe e latë në mes të rrugës. Hapët depot e armatimit duke organizuar luftë civile në Shqipëri në një kohë që në Kosovë populli masakrohej. Ne në vend që të ishim organizuar për t’i ardhur në ndihmë motrave dhe vëllezërve kosovarë, po vriteshim me njëri-tjetrin në vend që të vriteshim në Kosovë kundra pushtuesit. Zhdukët Remzi Hoxhën vetëm se ju kishte filmuar me Millosheviçin. Organizove vrasjet në Tropojë për ta përdorur Tropojën si mish për top, pastaj nën shembullin e Tropojës, të fillohej me rrethet e tjera të Shqipërisë.
Vrave Shkëlqimin, që ta hiqnit Fatmirin nga puna sepse nuk munde të përdorje Komisariatin e Bajram Currit për të vrarë jugorë në 1997. 26 persona u vranë në Gërdec nga pangopshmëria juaj për të gllabëruar çdo gjë. Vrave katër protestues në mes të turmës me duar në xhepa. Me paturpësinë më të madhe thua se i kishit pesë snajperë në pesë dritare të Kryeministrisë. Tani del edhe mban ligjëratë se Haklajt duhet të zhdukeshin. E dini ju atë shprehje, një bie dhe mijëra ngrihen. Vetëm nga trungu i gjyshit kemi mbi 50 familje, pa llogaritur kushërinj, të afërm dhe dashamirës në të gjitha trojet shqiptare që ju jemi shumë mirënjohës. Gjyshi thoshte, njeriu ka një dell në ballë dhe po i pëlciti ai del i bahet log çdo gjë.
Juve ju ka pëlcitur delli i turpit dhe nuk e keni problem për asgjë. Rrënove partinë, rrënove Shqipërinë dhe i doli fjala Fatmir Haklajt që tha tek gazeta “Koha Jonë” në tetor të vitit 1999, “kur t’ju mbarohen budallenjtë që ju besojnë ju, do të ktheheni të hani njëri-tjetrin”. Një njeri që është i rrezikshëm për popullin në masë si Sali Berisha, duhet të kurohet në një psikiatri me mjekim të detyrueshëm dhe të mbahet i izoluar. Me mendje, shpirt dhe zemër jemi në Shqipëri. Urojmë dhe dëshirojmë që Shqipëria dhe të gjithë trojet shqiptare të bëhen të begata dhe të denja për të gjithë shqiptarët pa dallim krahine apo ideje. Të gjithë të bashkuar rreth një ideje që jemi vëllezër e mora të një gjaku. Shqipëria është e të gjithë shqiptarëve. Poshtë tradhtarët. Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët”, përfundon reagimin e saj Zylfie Haklaj. /Sot