Historia dhe fundi tragjik i ish-trajnerit të futbollit, Agim Çeta! E bija kërkoi ndihmë në “Pa Gjurmë”
82-vjeçari Agim Çeta, i cili u denoncua i humbur në emisionin investigativ ‘Pa Gjurmë’ në Report Tv nga e bija është gjetur dje pa shenja jete në afërsi të njësisë Dajt, në Tiranë. Ai kishte katër ditë që kishte dalë nga shtëpia për të pirë kafe dhe nuk ishte kthyer më.
Stafi i emisioni “Pa gjurmë” u angazhua për të gjetur vendndodhjen e tij, pasi e bija mëngjesin e datës 30 shtator u shfaq në dyert e Report Tv për të kërkuar ndihmë.
‘Jam sërish në Report Tv, me shpresën që sot do ta gjej babain tim’
Ish-trajneri i futbollit Agim Çeta, kishte 4 ditë që rezultonte i humbur. Telefonatat në studio live nisën të sillnin informacionet e para. Një pjesë e redaksisë u instalua në Linzë, atje ku ai ishte parë për herë të fundit, atje ku edhe kërkimet kishin vazhduar pa ndërprerje prej 24 orëve nga familjarë, miq dhe shokë të familjes Çeta.
I moshuari vuante nga skleroza dhe çdo minutë që kalonte mund të ishte fatale.
Në një lidhje direkte familjarët njoftuan se kishin arritur ta gjenin e më pas erdhi dhe konfirmimi i vajzës.
‘Po është babai im, po po ai është. Rrobat janë të tijat ’- konfirmoi vajza nga studio edhe pse askush nuk e kuptoi atë moment në ishte gjallë apo i vdekur?
Në këto kushte, moderatorja Odeta Dume u detyrua të ndërpriste emisionin duke kërkuar ndihmën e Urgjencës Kombëtare dhe të policisë së Shtetit.
Fatkeqësisht ato pak sekonda shprese dhe lumturie, do të zëvëndësoheshin me trishtim dhe dhimbje për familjen Çeta.
I pari që iu afrua trupit ishte dhëndri Artan Xhaja. I moshuari kishte disa orë që kishte ndërruar jetë.
Më pas mbërriti dhe policia dhe ndihma e shpejtë të cilët nuk u ngeli veçse të kryenin procedurat ligjore. Trupi i pajetë i të moshuarit u përcoll në morgun e Tiranës ndërsa nuk u kostatua asnjë shenjë dhune, veçse njëra këmbë ishte gërvishur dhe pizhamet që mbante ishin grisur, që të lë të dyshosh se 82-vjeçari mund të ketë rrëshkitur, dhe sfilitur nga lodhja nuk ka mundur të dalë nga ai shteg i ngushtë ku u gjet i pajetë.
“Nuk e ndihmuan askush se menduan se ishte i çmendur. I ka shkuar tek dera e kanë parë por kanë larguar dhe i kanë mbyllur derën. Kjo është për të ardhur keq. Babai im nuk ishte i çmendur, ishte i sëmurë. Po unë nuk do bëhem plakë. Këta njerëz duhet ti mbrojmë. Kush i gjen le të telefonojë në polici, sepse ndihmon familjen” tha sot e bija me lot në sy.
4 ditë endje nepër rrugët e Linzës ishin shumë për një të moshuar…
4 ditë pa kujtesë, pa bukë, pa ujë …
4 ditë pa ndihmë…
Një banor i zonës dëshmoi– “Menduam se ishte me probleme mendore ndaj nuk i folëm fare”
Por, 4 ditë indiferencë janë shumë për një komunitet….
Ngushëlllime familjes Çeta!