“MË BËNË PRESION TË MOS HEТОЈА NGJARJEN”- META PËR VRASJEN E AZEM HAJDARIT: MUND TË PARANDALOHEJ, FATOS NANO NUK DONTE TË …
Ilir Meta ka bërë publike një rrëfim të gjatë për vrasjen e Azem Hajdarit, duke pretenduar se i është bërë presion i drejtpërdrejtë për të mos e çuar deri në fund zbardhjen e ngjarjes, e cila sipas tij mund dhe duhej të ishte parandaluar.
Në një reagim në rrjetet sociale, Meta thekson se vrasja e 12 shtatorit 1998 nuk ishte një konflikt i zakonshëm, por një akt politik i mirëorganizuar, ndërsa personi më i painteresuar që të ndodhte ajo ngjarje, sipas tij, ishte ish-kryeministri Fatos Nano.
“Vrasja e Azem Hajdarit ishte e paralajmëruar dhe duhej të ishte parandaluar. Nuk ishte produkt i një konflikti lokal, por e qëndisur nga duar të padukshme që shfrytëzuan persona të caktuar për të arritur objektiva politike”, shkruan Meta.
Ai ndalet edhe te ngjarjet e 13 dhe 14 shtatorit, duke treguar se në mbrëmjen e 13 shtatorit, Nano kishte zhvilluar një mbledhje urgjente me anëtarë të qeverisë dhe të Kryesisë së PS-së, pas sugjerimeve të diplomatëve të huaj për dorëheqjen e tij me qëllim ç’tensionimin e situatës.
Sipas Metës, Nano ishte i gatshëm të jepte dorëheqjen, por u tërhoq pasi u përmend emri i një pasuesi të mundshëm, gjë që shkaktoi kundërshtime të forta brenda Partisë Socialiste.
“U humb një mundësi e madhe për të shmangur 14 shtatorin dhe pasojat e tij”, shprehet Meta, duke theksuar se përgjegjësia ishte kolektive.
Duke folur për periudhën kur u bë kryeministër në tetor 1999, Meta tregon se çështja Hajdari ishte një nga dosjet më të vështira për qeverinë, për shkak të presionit të brendshëm dhe atij ndërkombëtar. Ai thotë se nxiti Prokurorinë për zbardhjen e plotë të ngjarjes, por paralelisht nisi një fushatë presioni ndaj tij.
