counter create hit SKANDAL! Gaz lotsjellës të skaduar që u hodh ndaj protestuesve, a do të hetohet Ilir Proda? - Shqipet

SKANDAL! Gaz lotsjellës të skaduar që u hodh ndaj protestuesve, a do të hetohet Ilir Proda?

Përtej skenave të përplasjeve që tashmë kanë bërë xhiron e Botës, një skandal që u zbulua nga gazetarët dhe mund të marrë përmasa të tjera, ishte fakti se gazi lotsjellës që u hodh në masë ishte i skaduar. Në bombulat që u gjetën në rrugë e trotuare shkruhet se data e prodhimit të gazit ishte 2019-të, ndërsa skandenca është e 3 viteve më parë, 2023…

Partia Demokratike dhe aleatët e saj organizuan pasditen e së shtunës një protestë, e cila nisi në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” përpara Kryeministrisë dhe u përmbyll te godina e Parlamentit. Protesta regjistroi një seri incidentesh, që nisën me hedhjen e molotovëve dhe fishekzjarrjeve në drejtim të godinës qeveritare, ndërsa policia u përgjigj me gazlotsjellës për të shpërndarë turmat.

Përplasjet më të shumta u regjistruan te Parlamenti, ku policia ndaloi disa protestues, por përdori në sasi edhe më të madhe gazin dhe ujin me presion, duke e justifikuar këtë me kundërpërgjigje ndaj sulmeve të protestuesve që hodhën gurë dhe çadra në drejtim të uniformave blu.

Situata precipitoi, ndërsa forca speciale të policisë tentuan të hyjnë edhe brenda oborrit të selisë së PD-së, por u ndalën nga një grup deputetësh që bllokuan makinën që përdoret për hedhje uji me presion.

E gjithë skena zgjati jo më shumë se 3 orë, nga momenti i nisjes së protestës, deri në mbylljen e saj, ndërsa policia njoftoi arrestimin e 18 protestuesve dhe vendosjen nën hetim të disa deputetëve dhe zyrtarëve demokratë, duke i akuzuar ato se kanë kundërstuar me forcë veprimet e policisë.

Disa dhjetra bombula gazi u lëshuan nga policia ndaj protestuesve, ndërsa nuk pati një numër zyrtar të qytetarëve të dëmtuar, ndërsa në anën tjetër autoritetet deklaruan se janë dëmtuar 11 policë, disa nga molotovët dhe të tjerët nga sendet e forta (kryesisht gurë) që u hodhën ndaj tyre.

Përtej skenave të përplasjeve që tashmë kanë bërë xhiron e Botës, një skandal që u zbulua nga gazetarët dhe mund të marrë përmasa të tjera, ishte fakti se gazi lotsjellës që u hodh në masë ishte i skaduar. Në bombulat që u gjetën në rrugë e trotuare shkruhet se data e prodhimit të gazit ishte 2019-të, ndërsa skandenca është e 3 viteve më parë, 2023.

Dhe përdorimi i gazit, në rastin konkret të skaduar, është i përfshirë në atë planin e masave, që policia harton dhe zbaton sa herë ka protesta, që miratohet nga drejtuesi i saj, në rastin konkret Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ilir Proda.

Opozita nxitoi të deklaronte se kjo përbën një krim, por nuk dihet nëse përfaqësues të saj do të depozitojnë kallëzime penale ndaj uniformave blu së pari për “përgjigjen jo propocionale” ndaj protestuesve, sikundër pretendohet, por edhe për faktin se bombulat që u hodhën ndaj protestuesve ishin të skaduara.

Mjafton një kërkim i thjeshtë për të kuptuar se ky lloj gazi, pra i përdorur përtej datës së skandecës, krijon shumë më tepër probleme se sa gazi që përdoret për të njëjtat qëllime, por është brenda afatit të përdorimit.

Së pari me kalimin e kohës, përbërësit kimikë të gazit lotsjellës degradohen dhe mund të krijojnë substanca më irrituese ose toksike. Si rezultat pasojat janë: irritim më të fortë të syve, lëkurës dhe mushkërive, rritet rreziku për vështirësi në frymëmarrje, kollë të fortë, djegie në sy/lëkurë, marramendje ose të përziera. Por gjithashtu rrezik përbën edhe për përdoruesit, pra forcat që e përdorin, në rastin konkret ato të policisë, kundër protestuesve. Një bombul e skaduar mund të ketë rrjedhje apo të shpërthejë, çka mund të kthehet në një “rrezik” për vetë forcat e policisë.

Nuk dihet nëse ky skandal do të hetohet, qoftë nga AMP (Agjencia e Mbikqyrjes Policore) apo nga Prokuroria, e cila me nxitim zbarkoi mbrëmjen e së shtunës në dy vendngjarje: Kryeministri dhe zonën rreth Kuvendit të Shqipërisë.

Grupet hetimore thuhet se kanë mbledhur prova lidhur me atë që e konsiderojnë sulm ndaj policisë, por nuk dihet nëse mes provave janë edhe ato bombulat që u hodhën me shumicë ndaj protestuesve dhe që referuar përcaktimeve teknike, duhej të ishin jashtë funksionit, dhe jo të përdoreshin kundër turmave, aq më tepër në qendër të kryeqytetit. /Pamfleti/

Scroll to Top