counter create hit ÀT ANTONIO BELLUSCI: QEVERIA GREKE MË SULMONTE. ARSYEJA? NUK DUHEJ ZGJUAR IDENTITETI SHQIPTAR I ARVANITASVE... - Shqipet

ÀT ANTONIO BELLUSCI: QEVERIA GREKE MË SULMONTE. ARSYEJA? NUK DUHEJ ZGJUAR IDENTITETI SHQIPTAR I ARVANITASVE…

ME ARBËRORËT E GREQISË (BELLUSCI, PJ. 10)

Tradita e mikpritjes.
Kujtoj një herë një episod. Ishte kohë dreke, shumë nxehtë. Kisha ecur shumë nëpër vapë, aq sa më ishte tharë goja për një pikë ujë. Rreth e rrotull nuk kishte asnjë çezmë dhe as një dyqan për të blerë një shishe ujë.

Diku në distancë pashë një shtëpi arvanitase dhe një burrë rreth të gjashtëdhjetave që po dilte nga kantina, duke mbajtur në dorë një poçe me verë. U gëzova kur e pashë.

E përshëndeta unë i pari. Ai m’u përgjigj në shqip. Shikoja me tërë etje atë poçin me verë të freskët dhe ai, sikur të më kishte lexuar sytë, më thotë:

— Doni një gotë verë, papas?
— Oh, faleminderit! E pranoj me kënaqësi, — u përgjigja.
Ma zgjati gotën me verë, të cilën e ktheva të gjithën.
— Do të pini edhe një tjetër? — më pyeti.
— Jo, faleminderit! Mjafton një, — i thashë.
Pa m’i ndarë sytë, burri më pyeti:
— Me sa këmbë erdhe deri këtu?
— Me dy, — iu përgjigja.
— Atëherë dy gota verë do pini.

Qeshëm të dy. E falënderova, e përshëndeta dhe u ndamë. Unë vazhdova rrugën në këmbë nëpër vapë, me këngën e gjinkallave nga pas.

Këtë mikpritje nuk e hasa shpesh te priftërinjtë arvanitas gjatë punës sime kërkimore. Egërsinë e kulturës së mbyllur greke e provova mbi kurrizin tim. Unë isha paqësor dhe qëllimi im ishte të mblidhja sa më tepër dëshmi mbi arvanitasit.

Unë nuk bëja kurrë ideologji, propagandë dhe kurrë nuk më ka interesuar agjitacioni. Si prift, kërkova shpeshherë ndihmë te priftërinjtë arvanitas, por të paktë ishin ata që më dhanë ndihmë; të shumtë ishin ata që më kthyen krahët.

Ata që nuk më ndihmonin i shikoja që kishin frikë. Mbyllnin gojën, edhe pse u thosha qartë që misioni im ishte thjesht studimor. Ata ishin të verbuar nga ideologjia e autoriteteve greke antiarvanitase.

Qëndrimet e këtyre vëllezërve, në një farë mënyre, i kuptoja, por nuk i justifikoj, sepse ata s’duhet të humbasin rrënjët.

Ndër priftërinjtë arvanitas nuk do të harroj kurrë Metropolitën Panteleimon Karanikolas, metropolit arbëror, ortodoks, i Korinthit, që mbetet për mua si një prind, një vëlla i madh, një patriot, një mbështetës, një përkrahës, që më ka mbajtur si mysafir për muaj në vatrën e tij në Korinth dhe të cilin pata kënaqësinë ta ftoja në shtëpinë time, në Kalabri.

Në punën time kërkimore në Greqi më ndihmoi populli, njerëzit e thjeshtë.

Natyra më ka dhënë një dhunti: jam i hapur, spontan, krijoj lidhje horizontale, vë zemrën të parën.

Unë nuk shkoja vetëm sa t’i shkelja ato vende. Unë qëndroja për ditë e muaj. Kishte raste që flija jashtë, qëndroja në makinë, dilja në rrugë, në sheshe, nëpër bare, bisedoja, thithja folklorin prej tyre.

Te këta njerëz që intervistoja rikthehesha për t’iu dorëzuar revistën. Ata shikonin në ato revista fotografitë e tyre, lexonin ato çfarë më kishin rrëfyer. Shikoja në sytë e tyre vlerësimin që u kisha bërë dhe ndiheshin të gjallë në identitetin e tyre.

U lidha shumë me atë popull, por edhe u sulmova shumë prej qeverisë greke.

Kujtoj një herë kur u riktheva në Greqi për t’i dorëzuar një kopje të revistës një zonje arvanitase, që quhej Janulla, e cila sapo më pa, më tha:

— O Zot i madh, je ti vëlla Ndoni? Jeni ju, papas Ndoni? Qenkeni gjallë akoma? Na kishin thënë që kishit vdekur. Këtej kështu u hap lajmi.

Më shikonte sikur të isha fantazmë, nuk u besonte syve, ndërsa unë kisha shtangur prej reagimit të saj.

Pasi kuptova situatën, vura buzën në gaz. U afrova dhe ajo më hodhi duart në qafë.

Qeshja kur dëgjoja që represioni i egër grek më donte të vdekur, por në të njëjtën kohë më shtohej jeta kur shikoja këta vëllezër arvanitas që më përqafonin.

Më mjaftonte kjo, sepse ky ishte edhe objektivi im.

Foto:
Athinë, 1984. Selia e Shoqatës Kulturore Arberore “Marko Boçari” Aristidh Kollja,
Antonio Bellusci, Jorgo Gerou, Jorgo Michas, Katerina Cotou, Thanasios Bethanis, Nancy
Kollja, Jorgo Kollja.
FB: Thënie për shqiptarët

Titulli: Rrugëtimi i një arbëreshi. Jeta, vepra, kujtime…
Autori: Antonio Bellusci
Bashkëbiseduese dhe recensuese: Ornela Radovicka
Redaktore: Elona Qose
Botuesi: Tiranë, Maluka

Scroll to Top