FAKTE QË NUK UA KANË THENË KURRË-MË I MENÇURI I PERANDORISË OSMANE ISHTE NJË DIBRAN
Shkollimin fillor e kreu në Aleancën Izraelite në Izmir, ndërsa një pjesë të arsimit të mesëm në gjimnazin Gallatasarai të Stambollit. Gjatë studimeve të larta në Mylkiye, në vitin 1888, u përjashtua nga fakulteti për shkak se lexonte poezi dhe shkrime liridashëse të Namik Qemalit. Më pas kaloi në Fakultetin e Mjekësisë, ku u diplomua me vështirësi, pasi kishte një shpirt rebel dhe kundërshtues.
Për shkak se kishte vizituar Ismail Qemal Vlorën në Stamboll, u përball edhe me burgun e sulltan Abdylhamitit. Dr. Riza Tevfik, i cili punonte si mjek në zyrën e doganës, që në rininë e tij u angazhua në aktivitet letrar dhe kulturor. Ai thurte poema popullore, shkruante artikuj letrarë e kritikë, të cilat i botonte në revista të njohura të kohës si “Serveti Funun”, “Malumat”, “Peyami Ati” etj.
Regjimi tiranik i sulltan Abdylhamitit e detyroi të bashkëpunonte me xhonturqit që vepronin ilegalisht. Në vitin 1908 u zgjodh deputet i Edrenesë dhe mbante fjalime të zjarrta për demokracinë shumëpartiake. Megjithatë, u largua shpejt nga Partia “Bashkim-Përparim”, të cilën e akuzonte për hipokrizi politike.
Në vitin 1911 iu bashkua partisë liberale-demokratike “Hyrriyet ve Ittihat” (Bashkim e Liri), ku bënte pjesë edhe Ismail Qemal Vlora. Paralelisht, dha mësim në shkollën amerikane “Robert Kolezh” në Stamboll dhe ligjëroi në disa disiplina shkencore e letrare në Universitetin e Stambollit.
Gjatë jetës, Dr. Riza Tevfik bëri një gabim fatal: nënshkroi si delegat i qeverisë kukull të Damat Ferid Pashës Marrëveshjen e Sevrës, e cila praktikisht shpallte shpërbërjen e Perandorisë Osmane. Ky akt u dënua ashpër nga rinia turke dhe e detyroi të jepte dorëheqjen si profesor dhe si ministër i arsimit.
Edhe pse njihej për zgjuarsinë e tij, nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje mbeti një njollë e pashlyeshme në jetën e tij, pasi ajo nuk shkatërronte vetëm dinastinë osmane, por copëtonte edhe tokat e popullit turk.
Profesori i letërsisë turke Ismail Habib shkruante për të:
“Dr. Tevfik ka merita të jashtëzakonshme në letërsi, mjekësi, filozofi, kulturë, poezi, folklor, diplomaci dhe politikë. Po t’i përzije të gjitha këto cilësi, do të dilte një aliazh i vetëm: poezia lirike popullore e nivelit të lartë e Riza Tevfik.”
Ai ishte ndër të parët që studioi dhe prezantoi folklorin në mënyrë shkencore. Në një nga poezitë e tij ai pohon hapur origjinën:
“Kushdo që dëshiron ta dijë, babanë e kam shqiptar dhe nënën çerkeze…”
Edhe pse nuk pati lidhje direkte me autonomistët shqiptarë, ai gjithmonë u interesua për kulturën shqiptare dhe përkrahu pavarësinë e Shqipërisë. Botoi shkrime në shtypin shqiptar, si te gazeta “Shqiptari” e Dervish Himës dhe në almanakë vjetorë, ku shkroi edhe për figurën e Hoxhë Hasan Tahsinit.
Pas shpalljes së Republikës së Turqisë nga Mustafa Qemal Ataturku, Dr. Riza Tevfik u përfshi në listën e 150 personave të dëbuar nga vendi. U vendos në Liban, ku e pranoi publikisht gabimin e tij dhe e shprehu pendesën në krijimtarinë letrare.
Në vitin 1938, Ataturku e fali dhe ai u kthye në Turqi, ku jetoi deri më 31 dhjetor 1949. Në vitet e fundit botoi kujtime dhe mbajti ligjërata të shumta.
Ndër veprat e tij më të njohura janë:
Mësimet e filozofisë
Fjalori i plotë filozofik
Kritika filozofike për Abdylhak Hamit Tarhan
Rubairat e Omar Khajamit
Për të janë botuar shumë monografi dhe antologji poetike, që e vlerësojnë si një nga figurat më komplekse të mendimit dhe letërsisë turke.
