counter create hit 8 korsi dhe shpejtësi deri në 140 km/orë, ja si do të ndryshojë superstrada Tiranë–Durrës - Shqipet

8 korsi dhe shpejtësi deri në 140 km/orë, ja si do të ndryshojë superstrada Tiranë–Durrës

Arredimi dhe rikualifikimi urban i superstradës Tiranë – Durrës, nga kthesa e Kamzës, deri në urën e Limuthit parashikohet të kushtojë rreth 1.4 mld lekë. Autoriteti Rrugor Shqiptar ka bërë gati tenderin që përfshin fazat I, II dhe III, ku aktualisht po punohet për zgjerimin e këtij aksi të rëndësishëm rrugor.

Ndërkaq, brenda këtij muaji pritet të hapen për qarkullimin e automjeteve korsitë e reja që janë ndërtuar në segmentin që nis pas kthesës së Kamzës dhe përfundon te mbikalimi i Rinasit.

Më hërët përfaqësues të ARRSH-së kanë deklaruar se kjo të varet shumë nga koha sepse një mot i ftohtë nuk e favorizon shtresën e asfaltit të fundit që ka ngelur, por pritshëmritë janë që të mos ketë pengesa.

Hapja për qarkullimin e automjeteve do të bëhet përpara afatiti kontraktual, pasi njëra prej tyre e ka afatin deri në maj dhe tjetra e ka në shtator të këtij viti.

Ndërkohë, kontrata e tretë është nënshkruar gjatë 3-mujorit të fundit të vitit 2025, por synohet që brenda vitit të ketë rezultate konkrete.

Kjo fazë përfshin ndërtimin e nyjes që lidh rrugën e Laknasit me projektin e zgjerimit të autostradës, teksa në dokumentet e tenderit specifikohej se zona ku kërkohet të realizohet ky projekt është një zonë me zhvillim të lartë industrial dhe së fundmi edhe me zhvillim të rëndësishëm urban.

Pas përfundimit, autostrada do të ketë 8 korsi në total, nga 4 në secilin drejtim, ndërsa shpejtësia e lejuar do të variojë nga 90 -140 km në orë.

Scroll to Top