SPECIALE/ Çamëria, nga vitet ‘46-’90 e papërfshirë në tekstet shkollore!
Ndërtimi i historisë, e kaluara dhe marrëdhëniet e çdo kombi nisin prej fakteve, dëshmive dhe gjurmëve që qytetërimet ruajnë ndër breza. Dikur përbënte skajin më jugor të Shqipërisë, por pas vendimit të Konferencës së Ambasadorëve të Londrës në 1913 historia ndërroi tragjikisht për krahinën etnografike të Çamërisë. Ku kanë mbetur sot të dhënat historike? Sa njihet dhe sa e pranishme është në kurrikulat dhe tekstet shkollore historia e Çamërisë? Studiuesit Beqir Meta dhe Vojsava Kumbulla tregojnë se vetëm trajtimi dhe përcjellja me objektivitet e Historisë në brezat e ardhshëm është çelësi për të ndërtuar prespektivën dhe të ardhmen e brezave të rinj që sipas tyre nuk duhet të rriten pa e njohur atë.
Në çdo kohë, të vërtetat, e kaluara dhe marrëdhëniet e çdo kombi nisin prej fakteve, dëshmive dhe gjurmëve që qytetërimet ruajnë ndër breza. Ndodhur gjeografikisht në skajin më jugor të territorit në lindje të detit Jon, qytete, fshatra dhe zona të tëra të Çamërisë, më 1913-n në Konferencën e Londrës iu shkëputën trupit të Shqipërisë, duke iu lënë Greqisë. Prej asaj kohe për këtë krahinë etnografike shqiptare dhe popullin çam historia ndërroi tragjikisht.
Nën ndërtimin e një realitetit të ri demografik për mijëra shqiptarë që iu nënshtruan një vale të madhe persekutimesh dhe spastrimesh etnike historia foli dhe u shkruajt në mënyra të ndryshme. Po ku kanë mbetur këto të dhëna historike sot? Sa njihet dhe sa e pranishme është në kurrikulat dhe tekstet shkollore Historia e Çamërisë? Për mësuesen dhe studiuesen Vojsava Kumbulla, Historia si lëndë luan një rol kyç jo vetëm në edukimin qytetar, por mirënjohja e saj nga brezat e rinj është një çelës objektiv për të ndërtuar prespektivën e së ardhmes tek të rinjtë.
“Historia është e ndjeshme për arsye sepse ka të shkuarën, përmes saj shohim të tashmen dhe do të ndërtojmë të ardhmen. Si rrjedhim, historiani e studiuesi duhet të jetë objektiv në atë çfarë shpreh. Po aq sa mësuesi duhet të shprehi argumente dhe të bëj analizën përmes fakteve për të qenë sa më objektiv në atë çfarë ne do të përcjellim tek nxënësit apo tek të rinjtë. Mësuesit i vjen në ndihmë programet e hartuara dhe tekstet shkollore të cilat janë të ndryshme të cilat janë në formën e altertekstit dhe janë të ndryshme në shkolla të ndryshme. Historia është ajo që ndërton perspektivën e së nesërmes, ndaj duhet të jetë sa më e saktë”, thotw ajo.
Sipas mësueses Kumbulla çështja Çame fillon të jetë prezente mbi bazën e programeve të hartuara nga Agjencia e Sigurimit të Cilësisë që në klasën e tetë, në arsimin 9-vjeçar.
“Çështja është prezente në tekstet shkollore, të themi që në klasën e 8-të në sistemin 9-vjeçar, në klasën e 9-të dhe në klasën e 10-të, të 11-të dhe 12-të në sistemin e Arsimit të Mesëm. Historia e Çamërisë fillon pas Konferencës së Ambasadorëve në Londrës, ku tokat e Shqipërisë së jugut, Çamërisë u la jashtë territorit Shqiptar, por, si çështje në fakt ajo doli që në Kongresin e Berlinit në 1878, ku Greqia kishte pretendime pikërisht për atë që ajo e quante Epiri dhe që përfshinte tokat e Çamërisë”, vijon ajo.
Edhe pse bën pjesë në programet arsimore, studiuesja tregon që Historia e Çamërisë nuk vjen e plotë pasi mungon rrëfimi i saj pas vitit 1946.
“Historia e Çamërisë pas vitit 1946.Pra, çfarë ndodhi me çamët që erdhën në Shqipëri te detyruar nga spastrimi etnik i Napoleon Zervës. Kjo nuk trajtohet, ndryshe nga pjesa e Kosovës që bëhet prezent në të gjitha fazat. Ndërsa ,Çamëria pas vitit 1946 nuk bëhet me present. Ndoshta kjo është detyrë edhe e studiuesve dhe historianëve që të hulumtojmë më tepër rreth kësaj periudhe dhe të jetë prezente për të qartësuar Historinë, të rinjtë dhe për të mësuar nga e kaluara që konfliktet t’i lemë pas dhe të dimë që përmes asaj që na mësoi historia të ndërtojmë ura bashkëpunimi jo vetëm me fqinjin, por, në aspekt europian dhe global”, tha ajo.
Të njëjtin mendim ndan edhe studiuesi dhe historiani Beqir Meta, i cili pohon që një pjesë e historisë e Çamërisë gjatë periudhës së sistemit komunist është fashitur.
“Në rrethanat e Luftës së Dytë Botërore. Më tej politikat e sistemit komunist Implikimi në luftën civile në 1946, në Greqi ia hoqi çdo lloj mundësie pasi vuri në plan të parë interesat politike klasore të vetat përballë çështjes çame. Ia hoqi energjinë për ta mbrojtur e popullsia çame të fitonte të drejtat e veta. Në vitet ‘50 nxori një dekret që i jepte shtetësinë shqiptare të detyrueshme. Pas kësaj nuk u fol dhe nuk u shkruajt në librat e historisë, nuk u bë nëpër shkolla. Qeveria Komuniste u bë si të thuash në njëfarë mënyre fajtore pasi nuk e trajtoi në tekstet shkollore etj. Ne kemi filluar ta studiojmë çështjen çame, si problem historik vetëm pas përmbysjes së sistemit komunist…. “, u shpreh Meta.
Për studiuesin Beqir Meta në rrafsh historik politika shqiptare ka patur një qasje të dobët pasi asnjëherë nuk ka ditur të ketë guximin për ta shtruar në tryezën e bisedimeve dypalëshe më shtetin fqinj.
“Politika shqiptare mund ta ndajmë në dy blloqe në lidhje me çështjen çame. dhe tre faza përpara vitit 1944, pas vitit 1944 deri në vitin 1991 dhe nga Viti 1991 e deri në ditët tona. Më saktë në tre faza, në fazën e parë, shteti shqiptar ka bërë ç’është e mundur për të ndaluar spastrimin etnik të shqiptarëve të Çamërisë duke angazhuar diplomat, duke shfrytëzuar lidhjet me shtetet e tjera ndonëse fuqia e tij ishte e limituar dhe arriti deri diku ta ndalonte këtë spastrim deri në 1926. Në rrethanat e Luftës së Dytë Botërore forcat komuniste partizanët që kontrolloni Shqipërinë e Jugut, që kishin aleancë me të majtën greke pasi ishin të implikuar dhe në luftën kundër gjermanëve nuk kishin vëmendjen e duhur për të bërë atë që duhej. Interesat e ngushta të pushtetit e çuan në sakrifikimin e çështjes por edhe edukata shumë e ulët e elitës politike të kohës bërë që të abandanohej çështja çame”, vijon ai.
Sa i përket politikave dhe metodave që shteti grek ndoqi përmes sistemit të saj politik për shkombëtarizimin e popullit shqiptar çam, ato kulmuan sipas historianëve dhe studiuesve sidomos gjatë Luftës Dytë Botërorë. Në vlerësimin e historianit Meta cilësia e klasës politike shqiptare lë për të dëshiruar edhe pas viteve ’90, pasi nuk ka ditur t’i japë vendin që meriton këtij problemi historik. Një tokë thuajse e ndaluar, mohuar prej më shumë se një shekulli, aty ku e kaluara dhe historia takohen me të sotmen dhe të ardhmen, sot komuniteti i shqiptarëve të Çamërisë është riorganizuar në shoqata, parti politike dhe grupime të tjera, por ende sot e drejta e tyre vijon të mbetet një kauzë e humbur në dyert e historisë. /Shqiptarja.com