Arratisja nga Spaçi që e çoi drejt plumbave, biseda e fundit me Ahmet Hoxhën më ‘79! Dosja e pus*katimit, si u hap dalja në galerinë e burgut
BEDRI BLLOSHMI/ Kur më çuan në burgun e Spaçit, më caktuan të punoja në zonën e dytë. Isha i interesuar të merrja vesh më saktë atë që më kishte treguar vëllai (Vilsoni) për revoltën e ndodhur në burgun e Spaçit. Vilsoni e kishte dëgjuar nga Radio “Vatikani” dhe Radio “Prishtina”, emisione të cilat ai i dëgjonte në mbrëmje kur kthehej nga miniera e Përrenjasit. Ishim bashkë me xhaxhanë tim, Hasan Blloshmi në burg. Në atë kohë Spaçi ishte plot me të dënuar; dy pallatet ku rrinim ne të dënuarit që na nxirrnin për të punuar në galeri dhe tjetri, të dënuarit e tjerë pleq dhe sakatë, ose të sëmurë dhe të verbër që ishin të paaftë për të punuar. Të aftët për punë punonin në 5 zona dhe me tre turne, pra pa pushim, natë e ditë.
Në kamp më tërhiqte vëmendjen dhe kureshtjen veçanërisht një burrë shumë i heshtur. Mbante në kokë një kapele nga ato që bëheshin në kamp nga të dënuarit. Ai shpesh bënte xhiro në kamp krejt i vetmuar, kurse gjatë pushimit shoqërohej me fare pak persona. Të shumtën e herëve pinte kafe me Hysni Pallën dhe xhaxhanë tim, Hasanin. Kështu e njoha edhe unë Ahmet Hoxhën. Fliste me ngadalë, nuk i besonte cilitdo, sepse prej sëmundjes ngaqë kishte bërë shumë burg e birucë, ishte bërë dyshues dhe as vinte buzën në gaz e jo më të thuash se kishte qeshur ndonjëherë në jetën e tij. Një jetë si e tija s‘të jep fort raste. Babanë ia kishin vrarë që shpejt, kishte qenë një nga ata të arratisurit që e urrenin komunizmin, ndaj dhe e kishin përndjekur pa iu ndarë. Kishte rënë në përpjekje me Sigurimin një radhë mbasi hynte e dilte shpesh në kufi.
Kishte tre fëmijë, njëri prej të cilëve quhej Ahmet Hoxha ishte nga Kolonja e Gjirokastrës. Sapo kishte mbushur moshën për t’u futur në burg e kishin arrestuar me akuzën “tentativë për arratisje” dhe e dënojnë me 20 vjet heqje lirie. Punoi në disa kampe dhe në fund arratiset nga kampi i Laçit. E kapin dhe dënohet përsëri me 25 vjet burg nga Gjykata e rrethit të Shkodrës. Nga atje e sjellin në Spaç. Kisha shumë muhabet me Ahmetin ngaqë njiheshim mirë. Ishte njeri shumë besnik, ndaj nuk kishim asnjë rezervë në bisedat që bënim.
GALERIA 20/1 NË ZONËN E DYTË
Një ditë sapo u kthyem nga turni i parë, Ahmeti më thotë, “Bedri mbasi të hash drekë, eja të pimë një kafe vetëm të dy tek kuzhina private”. E vura re që ishte shumë i mërzitur. “Po – i thashë – do ta pimë, Ahmet”. Duke pirë kafen, isha në pritje se çfarë do më thoshte, vura re që dora që mbante filxhanin i dridhej shumë, aq sa kafeja po i derdhej. I flas i pari: “Ahmet çfarë ke? Të shoh të shqetësuar, apo e ke nga lodhja në punë?”. “Bedri – më thotë – kërkoj një ndihmë nga ti, vetëm tek ti kam besim”. “Fol” – i them. “Unë nuk duroj dot më. Do ta provoj edhe një herë fatin. Nuk rrihet gjithë jetën në burg. Ç‘fat të kem! Ndërsa ti nuk do të vish me ne dhe të mos të të ngelet qejfi”. “Zoti ta priftë mbarë Ahmet – i thashë – më thuaj me çfarë mund të të ndihmoj dhe kujdes po qe me shokë të tjerë”.
Ahmeti më thotë: “Tek Galeria 20/1 është mundësia që të dalim. Galerinë e ka studiuar Sali Çako. Bashkë do ikim. Nga ti dua baromina 2-3 metër dhe më të gjata për të hapur vrimën e daljes”. Përballë galerisë 20/1 ishte kapanoni i ushtarëve që na ruanin ne. Poshtë kapanonit ishte një transhe, në të cilën bënin stërvitje ushtarët dhe galeria nga e cila mendonte të arratisej Ahmeti me Salinë, dilte drejt e në transhe. Ai front (degëzim i galerisë) ishte shfrytëzuar nga minerali dhe nuk punohej më, ishte front i bllokuar nga inxhinieri i minierës. Sipas bisedës së bërë me Ahmetin e Salinë, u dërgoja baromina për të hapur daljen. Kur Saliu ishte turni i dytë nuk kishte si të siguronte levat e hekurit, sepse sipas rregullit, kovaçi dilte vetëm turni i parë. Unë i siguroja barominat duke i lënë në kanalin e rrjedhjes së ujërave të galerisë për të mos i parë brigadieri i dënuar apo polici i punës kur futeshin për të kontrolluar frontet e punës ose dhe atje ku nuk punohej. Komunikoja me Saliun, i cili edhe ky punonte në zonën e dytë. Ahmeti punonte në zonën e tretë në sipërfaqe, ngarkonte makinat me mineral bakri te tremozhat (tremozhe quhet vendi ku grumbullohet minerali i nxjerrë nga galeria). Pas disa ditësh Saliu e hapi vrimën për të dalë, bisedon me mua dhe më thotë se nuk i duheshin më baromina. Pas një jave që ishim turni i dytë, Ahmeti me Saliun e vendosin për t’u arratisur dhe dalin përtej shëndoshë e mirë pa u kuptuar nga askush që në fillim të turnit. Zgjodhën këtë orë me qëllim që të kishin kohë për t’u larguar sa më shumë nga kampi. Zakonisht, nëse mungonte njeri, merrej vesh vetëm në fund të turnit, gjatë numërimit kur niseshim për në kamp. Në zonën e tretë vjen një makinë për t’u ngarkuar me mineral. Bien në sy që punëtori i ngarkimit mungonte dhe njoftojnë policinë.
Jepet alarmi duke rënë disa herë boria. Kërkojnë për Ahmetin, mbasi dalin nga puna, rreshtohen si zakonisht. Bëhet numërimi, mungonte një i dënuar. Brigadieri bëri apelin me emra. Doli se mungonte edhe Sali Çako. Brigadieri i dënuar futet për kontroll në galeri (se kishte raste që na zinte gjumi), por asnjë gjurmë. Në kamp, bëhej prapë apeli dhe përsëri Ahmeti dhe Saliu mungonin. Mbas 5- 6 ditësh në kamp u hap fjala se i kishin kapur sapo kishin kaluar Drinin. Sigurimi kishte ngritur gjithë Dibrën në këmbë për t‘i kapur. Sali Çako kishte qenë oficer në Dibër dhe e njihte mirë vendin, kufirin, brezin e butë dhe shtigjet nga mund të kalohej pa u ndeshur me patrullat. Mirëpo fati i tyre keq, posa kaluan lumin ndeshën me Sigurimin dhe çetat vullnetare, burra e gra të kooperativave. I kapin dhe i sjellin në Degën e Brendshme të Rrëshenit, bëjnë një gjyq formal dhe Ahmetin e dënuan me vdekje pushkatim, ndërsa Saliun me 25 vjet heqje lirie. Ahmetin e pushkatojnë më datë 31 janar 1979 në vendin e tyre të fshehtë të quajtur “Varianti i Druve”, kthesa e Kaçinarit. Kur u kthyen me këtë lajm, horrat sigurimsa dukeshin të kënaqur dhe mua m’u kujtua biseda me Ahmetin, emocioni i tij tek pinte kafenë dhe kuptova që poshtërsia kishte fituar edhe njëherë mbi ne, të vuajturit dhe të sfiliturit dhe e përfytyrova Ahmetin të shpuar nga plumbat, të shtrirë në dheun e zi të Rrëshenit.
FJALA E FUNDIT E AHMET HOXHËS PARA PUSHKATIMIT
Kryetari i Degës, Skënder Lika, urdhëron shefin e policisë të bëjë planin e pushkatimit. Mesnatën e 31 janarit të vitit 1979 Ahmet Hoxhën e çojnë në Kthesën e Kaçinarit, tek vendi “Varianti i Druve” për ta pushkatuar. Kur e çuan para gropës që kishin bërë gati për ta groposur pasi ta pushkatonin, i kërkuan të thotë fjalën e fundit. Ahmeti qëndron me kokën lart para skuadrës së pushkatimit dhe pa iu dridhur zëri thotë: “Unë e kam urryer këtë regjim që në fillim, se është një regjim që ka ardhur në fuqi me gjak dhe prandaj nuk e dua. Kam qenë armik i këtij pushteti dhe i kësaj partie dhe jam armik i kësaj partie se ka ardhur në fuqi me gjak dhe me gjak e ka mbajtur, por edhe me gjak do mbarojë”!
AHMET HOXHA PA VARR
Ahmet Hoxha ashtu si qindra të burgosur politikë nuk ka një varr. Pasi e pushkatuan, Ahmetin e hedhin në një gropë dhe e mbulojnë me dhe në një përrua. Nuk dihet se ku ndodhen eshtrat e tij. Edhe sot mbas shumë përpjekjesh nga familjarët dhe shokët e burgut për gjetjen e vend-groposjes së Ahmet Hoxhës mbeten pa rezultat. Ai kalbet diku në përrenjtë e Rrëshenit i groposur nga sigurimsat sipas urdhrave të klikës së Tiranës, në shkelje të çdo zakoni njerëzor e veçanërisht shqiptar. Ahmet Hoxha ka lindur në fshatin Kolonjë të rrethit Gjirokastër në vitin 1940, nga prindërit Manxhar dhe Bago. Ata ishin tre fëmijë, dy vëllezër dhe një motër. Ahmeti ishte fëmija i parë. Arsimin fillor e ka mbaruar në fshatin e lindjes. Ahmet Hoxha ishte i pamartuar dhe punonte në bujqësi. Më 1958, kur kishte mbushur moshën 18 vjeç, arrestohet dhe dënohet nga Gjykata e Gjirokastrës për tentativë arratisjeje me 20 vjet heqje lirie. Në vitin 1963 arratiset nga burgu i Laçit dhe më 21 dhjetor të po këtij viti Gjykata e rrethit Shkodër e dënoi për tentative arratisjeje me 25 vjet heqje lirie. Për të vuajtur dënimin e sjellin në kampin Spaçit. Ai nuk heq dorë, më 10 tetor 1978 arratiset përsëri bashkë me Sali Çakon, nga galeria 20 e vjetër e zonës së dytë, përballë repartit ushtarak. Mbas dy-tri ditësh, duke ecur natën e fshehur ditën, arrijnë tek lumi Drin dhe e kalojnë atë. Sali Çako kishte qënë oficer në Dibër dhe e njihte terrenin.
Mirëpo në afërsi të fshatit Vranisht rrethimi që u bëjnë forcat e Sigurimit dhe çetat vullnetare, burra e gra kooperativistë, është kaq i dëndur, sa dy të arratisurit e Spaçit kapen. Në dhjetor 1978, Gjykata e Rrëshenit me kryetar Arqile Lole e prokuror Vaskë Dinoshi dënon Ahmet Hoxhën me pushkatim, kurse Sali Çakos i shtojnë 25 vjet, vendim që nuk e ndryshoi as Gjykata e Lartë as Kuvendi Popullor. Me shkresë nr.84 dt.27.01.1978 njoftohet refuzimi dhe ministri i Brendshëm Kadri Hazbiu nëpërmjet Degës së P. Br. të Rrëshenit urdhëron që Ahmet Hoxha, 37 vjeç të ekzekutohet më datën 31.01.1979 në mesnatë. Edhe sot mbas shumë përpjekjesh nga familjarët dhe shokët e burgut për gjetjen e vendgroposjes së Ahmet Hoxhës mbeten pa rezultat. Ahmet Hoxha si mijëra të tjerë nuk ka një varr, ai kalbet diku në përrenjtë e Rrëshenit i groposur nga sigurimsat sipas urdhrave të klikës së Tiranës, në shkelje të çdo zakoni njerëzor e veçanërisht shqiptar.
******
VENDIMI GJYKATËS PËR PUSHKATIMIN AHMET HOXHËS
Vendimi Nr.47
Datë 1.12.1978
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPERISE
GJYKATA POPULLORE E RRETHIT MIRDITE
Nr.50 i Regj. Them.
VENDIM
“N´Ë EMËR TË POPULLIT”
Gjykata Popullore e rrethit Mirditë e përbërë prej:
Kryetarit Arqile Lole
Nd. Gjyqtarit Mark Zef Biba
Nd. Gjyqtarit Ndue Koli me sekretar Ndue Prendi, me pjesëmarrjen e prokurorit Vaskë Dinoshi, sot më dt.1.12.1978, në seancë me dyer të hapura mori në shqyrtim çështjen penale që u takon të pandehurve:
1. Sali Çako, i biri i Servetit dhe i Xhixhos, lindur në 1948 në katundin Kapariol të rrethit Gjirokastër, me kombësi dhe shtetësi shqiptare, me origjinë shoqërore fshatar i varfër, me gjendje familjare i pamartuar, me arsim të mesëm; pa parti, me gjendje nëpunës i pushtetit popullor, i dënuar me 10 vjet heqje lirie në vitin 1976 për krimin e agjitacionit dhe propagandës kundër pushtetit popullor dhe për luajtje bixhozi, nga ana e Gjykatës rrethit Tiranë, (me vendimi Nr.x dt. 30.4.1976), dhe ndodhet aktualisht në vuajtje të dënimit në Rep.303 Spaç të këtij rrethi.
2. Ahmet Hoxha, i biri i Manxharit dhe Bagos, lindur më 1940, katundi Kolonjë të rrethit Gjirokastër, me kombësi dhe shtetësi shqiptare, me origjinë shoqërore fshatar i varfër, me arësim fillor, i pamartuar, i paorganizuar në parti, me gjendje buj individual, i dënuar dy herë, a) me vendim nr.15 dt.12.7.1958 të Gjykatës Ushtarake Gjirokastër, në bazë të neneve 64,10, 27 dhe 67 e 10 etj. të K.Penal për tentativën e tradhëtisë ndaj Atdheut e për tentativë për veprën terroriste etj. Me 20 vjet heqie lirije etj. dhe b)me vendim nr.54 dt.21 dhjetor 1963 të Gjykatës rrethit Shkodër është dënuar në bazë të neneve 64,10 e 12 të K.Penal me njëzetepesë vjet heqie lirije, aktualisht ndodhet duke vuajtur dënimet në rep.303 Spaç të këtij rrethi.
Akuzuar: që në bashkëpunim me njeri tjetrin kanë kryer krimin e tradhtisë ndaj atdheut, në formën e arratisjes jashtë shtetit ngelur në tentativë, parashikuar nga neni 47, pika “gj” dhe nenet 13 e 11/2 të K.Penal. Gjykata, pasi studioi materialet e hetuesisë, provat e (palexueshme) gjatë shqyrtimit gjyqësor, pasi dëgjoi prokurorin që u shfaq i (palexueshme) për masën e dënimit me vdekje për të pandehurin Ahmet Hoxha dhe me 25 vjet heqje lirie për të pandehurin Sali Çako, pasi dëgjoi fjalën e mbrojtjes dhe të fundit të dy të pandehurve që kërkuan mëshirë,
VËREN
Të pandehurit Sali Çako dhe Ahmet Hoxha kanë qenë duke vuajtur dënimet me heqje lirie për krime kundër shtetit në rep.303 Spaç. Duke qenë thellësisht në pozita armiqësore me shtetin e diktaturës së proletariatit dhe me pushtetin popullor, në vend që të rehabilitoheshin, hyjnë më thellë në llumin e veprimtarisë armiqësore. Të dy kanë rënë në marrëveshje që të arratiseshin jashtë shtetit në Jugosllavi dhe prej këndej në perëndim, nëpërmjet territorit të rrethit Peshkopisë, ku i pandehuri Sali ka qenë me shërbim në atë zonë si oficer. Për të vënë në jetë vendimin e tyre kriminale, u ngarkua i pandehuri Sali për të gjetur një vend të përshtatshëm për dalje. Mbas kërkimesh dhe vrojtimesh mund të gjente se nëpërmjet galerisë Nr.21, ku punonte si minator, si rezultat i shembjeve dhe punimeve të ndryshme që ishin bërë, mund të dilnje jashtë rrethimit. Për këtë të dy të pandehurit, vendosën që të arratiseshin nëpërmjet kësaj dalje. Kështu, sipas marrëveshjes, më dt. 10 tetor 1978 rreth orës 20, takohen të dy në hyrje të galerisë Nr.21 dhe nëpërmjet saj dalin jashtë rrethimit, në përrua, ngjiten në majën e kodrave të Spaçit, kalojnë lumin Fan dhe ngjiten malit përpjetë.
Në vazhdim duke shkuar majave të kodrave dhe maleve me qëllim që tu shmangen njerëzve, duke mbajtur sipas marrëveshjes, drejtimin nga lind dielli, pra nga lindja, mbas disa ditëve arrijnë në afërsi të liqeneve të Lurës. Prej andej nëpërmjet një gryke zbresin në fushë Alije, deri sa mëngjesin e ditës së pestë arrijnë në breg të lumit Drin. Prej këndej për të kaluar kufirin me qëllim arratisje jashtë shtetit, qëndrojnë gjithë ditën deri sa të errej. Për gjatë kësaj kohe vrojtonin vendet e mundshme për të kapërcyer lumin në va”. Në kohën kur u errë, të pandehurit kuptuan që po ndiqeshin. Për këtë i pandehuri Sali me not doli në anën tjetër të lumit, kurse i pandehuri Ahmet, mbasi kaloi në vah, nëpërmjet degëzimeve të lumit qëndroi sa për të kaluar degëzimin e fundit por në pamundësi pasi kapet nga populli. Ndërkohë i pandehuri Sali si kaloi lumin, nëpërmjet një përroi hyn në zonën kufitare dhe në të dalë të fshatit Vranisht, brenda zonës kufitare, në afërsi të brezit kufitar kapet nga forcat e çetës vullnetare të fshatit. Faktet e sipërme vërtetohen me shpjegimet e të pandehurve, me thëniet e dëshmitarëve Mustafa Daci, Selman Tatraku dhe me proçes-verbalin e kapjes në flagrancë ndodhur në dosje.
I pandehuri Sali pranon plotësisht edhe në seancë gjyqësore mendimin dhe qëllimin e tij për arratisje jashtë shtetit si dhe bisedat e tij për këtë qëllim me të pandehurin Ahmet. Kurse ky i fundit pretendon se nuk kishte ndërmend për t’u arratisur jashtë shtetit. Ky pretendim rrëzohet nga vetë shpjegimet e tij kur thotë se të gjitha veprimet tona të çonin për arratisje jashtë shtetit. Veç kësaj dëshmitarëve të sipërpërmendur u ka thënë në kohën e kapjes se nuk do të qëndroja në Jugosllavi, por prej andej do të kaloja në shtetet perëndimore. Me veprën e sipërme të dy të pandehurit kanë tentuar të kryejnë në bashkëpunim dhe me marrëveshje të mëparshme krimin më të rëndë, tradhtinë ndaj Atdheut, në formën e arratisjes jashtë shtetit. Duke qenë të dy armiq ekziston edhe qëllimi kundërrevolucionar për minimin dhe dobësimin e diktaturës së proletariatit në Shqipëri. Në këtë drejtim cilësimi juridik i veprës i bazuar në nenin 47,11 dhe 13 të Kodit Penal është i drejtë. Vepra penale e dy të pandehurve paraqet rrezikshmëri të theksuar shoqërore. Ajo drejtohet kundër rendit politik, diktaturës proletariatit, kundër ideologjisë së marksizëm-leninizmit që sundon në vendin tonë. Edhe vetë të pandehurit paraqesin rrezikshmëri të theksuar shoqërore. Armiq konseguent të popullit shqiptar janë përsëritës specifikë në llojin e krimit kundër shtetit. Veçanërisht rrezikshmëri tepër të theksuar ka i pandehuri Ahmet Hoxha, i dënuar dy herë më parë për krimin e tradhtisë ndaj Atdheut, në formën e arratisjes jashtë shtetit, ngelur në tentative dhe për krime të tjera si vepra terroriste etj. nga ana tjetër ky i pandehur ka një predispozicion armiqësor familjar. I ati i tij Manxha Hoxha, është vrarë si diversant në vendin tonë. Në këto rrethana asnjë rrethanë lehtësonjëse nuk ka për këtë të pandehur. Për efekt të bashkimit të dënimeve të pandehurit Sali Çako i kanë ngelur për të vuajtur nga dënimi i mëparshëm edhe 6 vjet, 11 muaj e 12 ditë, ndërsa të pandehurit Ahmet Hoxha i kanë ngelur akoma për të vuajtur nga dënimi i mëparshëm edhe mbi 10 vjet heqje lirie.
PËR KËTO ARSYE
Trupi gjykues në bazë të nenit 278 e vijuesa të K.Pr.Penale
Të deklarojë fajtor të pandehurin Sali Servet Çako dhe Ahmet Manxhar Hoxha për krimin e tradhtisë ndaj Atdheut në bashkëpunim ngelur në tentativë dhe në bazë të neneve 47, germa “gj” dhe neneve 11 e 13 të K.Penal.
a) Të pandehurin Sali Servet Çako me 20 vjet heqje lirie. Në bazë të nenit 36 të K.Penal, në bashkimin e dënimeve, përfundimisht e dënon të pandehurin Sali me 25 vjet heqje lirie dhe me heqjen e së drejtës së zgjedhjeve për pesë vjet kohë duke i filluar vuajtja e dënimit nga data 1 dhjetor 1978.
b) Të pandehurin Ahmet Manxhar Hoxha e dënon me vdekje me pushkatim dhe me heqjen e së drejtës së zgjedhjeve për pesë vjet kohë. Në bazë të nenit 36 të K.Penal në bashkimin e dënimeve përfundimisht e dënon të pandehurin Ahmet Manxhar Hoxha me vdekje pushkatim dhe me heqjen e së drejtës së zgjedhjeve për pesë vjet kohë. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim dhe protestë brenda 5 ditëve nga e nesërmja e shpalljes në Gjykatën e Lartë Tiranë, duke dërguar çështjen për gjykim në shkallë të dytë edhe kryesisht. Rrëshen 1.12.1978
KRYETARI (Arqile Lole)
Shënime: meqenëse nga dy të dënuarit nuk u bë ankim.
Dosja ne shkresën Nr.50 dt. 7.12.1978, i dërgohet kryesisht Gjykatës Lartë për shqyrtim.
K/SEKRETARI
(firma)
/Gazeta Panorama

