NËNËS SË MOSHUAR I SIGUROHET STREHIM PAS DY NETËSH NË RRUGË
Një histori që mbrëmë tronditi opinionin publik ka marrë sot një kthesë njerëzore dhe plot shpresë. E moshuara që prej dy netësh flinte jashtë, në të ftohtë, në zonën e Astirit, është strehuar falë ndërhyrjes së qytetarëve të ndjeshëm.
Pas publikimit të rastit nga redaksia e JOQ Albania, dhjetëra mesazhe kanë mbërritur nga qytetarë të cilët ofruan çdo lloj ndihme – nga strehimi, ushqimi, veshjet e ngrohta, e deri tek marrja përsipër e shpenzimeve të ndryshme që lidhen me kujdesin ndaj saj. Një zonjë nga Tirana është treguar e para që ka shkuar pranë vendit ku ndodhej e moshuara dhe e ka shoqëruar drejt një qendre strehimi.
Atje, kësaj nënë i është siguruar një shtrat i ngrohtë, një vakt i plotë dhe mbi të gjitha – ndjesia se nuk është vetëm. Në qendër, ajo po merr trajtimin dhe kujdesin e nevojshëm, ndërsa qeni i saj, shoqëruesi i pandarë, ndodhet bashkë me të.
Historia e saj prekëse, që mbrëmë preku zemrat e mijëra shqiptarëve, tregoi edhe një herë se solidariteti nuk është zhdukur. Përtej vështirësive, njerëzit e thjeshtë janë të gatshëm të zgjasin dorën dhe të bëhen mburojë për ata që janë më të pambrojtur.
Ndonëse rruga e saj ka qenë e vështirë, sonte kjo nënë fle e qetë, në një vend të sigurt dhe me njerëz që e shohin me dashuri dhe respekt. Nga errësira, ftohti dhe braktisja, drejt ngrohtësisë njerëzore, ajo ka gjetur një dritë shprese.
Kjo histori është një kujtesë se një postim, një mesazh dhe një gjest i vetëm mund të ndryshojë jetën e dikujt. Sepse ka raste kur edhe një nënë e lodhur nga jeta ka nevojë vetëm për një derë të hapur.
Faleminderit çdo qytetari që reagoi. Solidariteti është forca më e madhe që kemi.

