VIDEO/ Mark Shllaku, ditari i një mësuesi të pushkatuar
Amaneti i paplotësuar për varrin e pagjetur dhe kalvari i bijës së tij në kërkim të një vendi ku të mund të vendoste një tufë lulesh
Juli Dukagjini, ndërroi jetë në gusht të vitit 2021. U largua nga kjo botë me një brengë të madhe, pasi nuk mundi kurrë të vendosë një tufë me lule mbi varrin e të atit. Babai i saj, Mark Shllaku, ishte një ndër djemtë e Shkodrës që u shpallën “armiq të popullit” qysh në fillimet e diktaturës.
Në fundin e viteve ’40, Shkodra ishte një qytet që jetonte mes frikës dhe heshtjes. Ishte koha kur po vendosej diktatura komuniste në Shqipëri. Në atë klimë terrori, mësuesi Mark Shllaku ishte ndër ata që nuk heshti. Ai iu bashkua grupit të intelektualëve shkodranë të Partisë Socialdemokrate, përkrah Musine Kokalarit, me ëndrrën për një Shqipëri ku respektoheshin liria dhe dinjiteti njerëzor.
Por ëndrra e tij do të paguhej me jetë. Si shumë të tjerë që guxuan të mendonin ndryshe, Mark Shllaku u dënua me pushkatim. Në orët midis 30 dhe 31 tetorit të vitit 1949, kur ai u mor nga qelia për t’u ekzekutuar, Marku shkroi amanetet e tij në copa letre të grisura nga paketat e cigareve që pinte njëra pas tjetrës. Ato letra të zverdhura, të shkruara me dorë që dridhej, do të mbeteshin dëshmia më e dhimbshme e asaj kohe, amanetet e një bashkëshorti dhe babai që dinte se nuk do ta shihte më familjen e tij.
Në takimin e fundit, vajza e tij e vogël, Juli, vetëm tetë vjeçe, mbante dorën e nënës së saj, Angjes, pa e kuptuar plotësisht se po e shihte të atin për herë të fundit. Marku i foli me qetësinë e një njeriu që kishte pranuar fatin, por që e dinte se fjala e tij nuk do të vdiste. I la Angjes porosi për disa letra të fshehura mes sendeve personale, letrat që më vonë do t’i ktheheshin familjes pas ekzekutimit.
Kur ato letra mbërritën, Angjia nisi menjëherë kërkimet për trupin e bashkëshortit. Ishte një kërkim që nuk do të mbaronte kurrë, sepse diktatura nuk e vrau vetëm trupin e Markut, fshehu edhe varrin e tij, ashtu si mijëra të tjerë.
Vitet që pasuan ishin kalvar i gjatë vuajtjesh. Pasuria e familjes u grabit dhe mbi ta ra vula e pashlyeshme e “armikut të popullit”. Juli u rrit me këtë persekutim që do ta ndiqte gjithë jetën. Ajo, nëna dhe motra e vogël jetuan me mungesën, me frikën, me kujtimet e pakta që mbetën nga babai. Por asnjëherë nuk harruan amanetin e tij: ta gjenin trupin e zhdukur dhe t’i jepnin një varr me emër.
Në 72 vitet që pasuan, Juli kërkoi, pyeti, trokiti në çdo derë. Asnjëherë nuk mori përgjigje. Pyetjet e saj mbetën pezull, si një plagë që nuk mbyllet: “Ku është trupi i tim eti? Pse nuk kërkohet varri i të zhdukurve nga diktatura? Pse pas 30 vitesh demokraci, shteti ende hesht?”
Katër vjet më parë, Juli Dukagjini u nda nga jeta në moshën 81-vjeçare. U largua me të njëjtën brengë që e kishte shoqëruar që prej asaj dite të ftohtë të vitit 1949. U largua pa mundur të vendosë një tufë lulesh mbi varrin e të atit, sepse varri nuk u gjet kurrë.
Si Mark Shllaku, janë rreth 6 mijë persona të zhdukur gjatë diktaturës komuniste në Shqipëri. U zhdukën në qelitë e hetuesisë apo u varrosën në fshehtësi në kampet e internimit.
Në një vend që ende nuk ka gjetur trupat e të pushkatuarve, drejtësia vazhdon të mbetet po aq e varrosur sa edhe kujtimet e tyre. Dhe derisa të gjendet qoftë edhe një i zhdukur i vetëm, amaneti i Mark Shllakut dhe i së bijës do të mbetet i paplotësuar. Tema sjell dëshminë e plotë të Juli Dukagjinit, realizuar katër vite më parë.
