javascript hit counter VIDEO/ Ribotohet ‘Skënderbeu’ i Schmitt/ Namir Lapardhaja: A do të nxisë sërish debate historikja përballë mitikes? - Shqipet

VIDEO/ Ribotohet ‘Skënderbeu’ i Schmitt/ Namir Lapardhaja: A do të nxisë sërish debate historikja përballë mitikes?

Në prag të Panairit të Librit në Tiranë, shtëpia botuese “Dora Distria” ka ribotuar veprën studimore “Skënderbeu – Një hero arbëror i Europës” të historianit zviceran Oliver Jens Schmitt, e cila vite më parë ndezi debat të gjerë për mënyrën se si trajtohet figura e Gjergj Kastriotit në kujtesën historike shqiptare.

Në një reagim për gazetën TemA, studiuesi Namir Lapardhaja e cilëson këtë ribotim si “një ftesë për ta parë Skënderbeun pa ngarkesën e mitikes, në dritën e fakteve historike.”
Sipas tij, ky rikthim në treg “vjen pas një mungese të gjatë dhe është një rast i mirë për të rihapur debatin mbi mënyrën se si historia lexohet dhe përjetohet në Shqipëri”.

“Schmitt e vendos Skënderbeun në kontekstin e ndërlikuar të shekullit XV – një Evropë që përballej me Perandorinë Osmane, ku politika, feja dhe personalja ndërthureshin. Ai i afrohet figurës së Kastriotit jo si mit, por si njeri i kohës së tij: strateg i aftë, diplomat i kujdesshëm, por edhe prijës që manovronte mes fuqive të mëdha për të mbijetuar,” – shprehet Lapardhaja për TemA.

Sipas tij, forca e këtij libri qëndron pikërisht në qasjen njerëzore, jo në përpjekjen për të rrëzuar heronjtë, por për t’i vendosur ata në realitetin historik të kohës.
“Në këtë mënyrë, Schmitt nuk e zbeh madhështinë e Skënderbeut, por e bën atë më interesant, më të kuptueshëm dhe më të besueshëm.”

Lapardhaja kujton se në recensionet europiane, vepra është vlerësuar për “seriozitetin e kërkimit, përdorimin e burimeve arkivore dhe stilin narrativ që e bën leximin tërheqës edhe për publikun e gjerë.” Por, sipas tij, rëndësia e këtij ribotimi nuk qëndron vetëm në aspektin akademik:
“Ky libër është një kujtesë se historia jonë nuk është pronë e miteve, por e fakteve; dhe se Skënderbeu nuk është vetëm simbol kombëtar, por pjesë e historisë europiane ku Shqipëria ka rrënjët e saj.”

Me këtë ribotim, “Skënderbeu” i Schmitt-it rikthehet në libraritë shqiptare si një ‘provokim’ intelektual dhe një mundësi për reflektim: sa të gatshëm jemi ta pranojmë historinë tonë në gjithë kompleksitetin e saj?/TemA

Scroll to Top