Harresa e njërit nga heronjtë më të mëdhenj të Shqipërisë Etnike
Sot bëhen 38 vjet nga vdekja e Salih Shatrit, njërit ndër figurat më të ndritura të rezistencës shqiptare kundër terrorit serb pas Luftës së Dytë Botërore. Ai lindi në Tomoc të Istogut dhe si nxënës i Normales së Gjakovës, në vitin 1948 u detyrua të arratisej në Shqipëri bashkë me disa shokë, për t’i shpëtuar arrestimit nga regjimi famëkeq i Aleksandër Rankoviqit. Në Tiranë, Salih Shatri u përfshi menjëherë në radhët e njësive komando shqiptare, duke u bërë një prej udhëheqësve të tyre më të guximshëm. Ai mori pjesë në dhjetëra aksione të suksesshme kundër personelit serb që ushtronte dhunë, masakra dhe tortura mbi shqiptarët në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi. Ideali i tij ishte i qartë dhe i pandryshueshëm,pra bashkimi i trojeve shqiptare në një shtet të vetëm, në Shqipërinë Etnike. Për këtë qëllim ai jetoi, luftoi dhe vdiq, duke mbetur deri në fund besnik ndaj betimit për atdheun.
T’i shohim në vijim këto pika:
I) Një hero i harruar nga dy shtetet shqiptare- Edhe pse veprimtaria e Salih Shatrit është pjesë e historisë më të lavdishme të qëndresës shqiptare pas vitit 1945, as shteti i Shqipërisë dhe as ai i Kosovës nuk kanë bërë asgjë për ta përjetësuar emrin e tij. Asnjë përmendore, asnjë rrugë, asnjë shkollë nuk mban emrin e tij. As Presidenca e Shqipërisë dhe as Presidenca e Kosovës nuk e kanë shpallur Hero Kombëtar, megjithëse ai ka luftuar për idealet më të larta të kombit. Në librat shkollorë të historisë, nuk gjendet asnjë rresht për të. Emri i tij përmendet vetëm në një këngë folklorike të kënduar nga rapsodët Brati-Kastrati, dhe në një shkrim gazetaresk të një autori nga Isniqi. Përtej këtyre, harresa ka qenë e plotë.
II) Pasojat e harresës ,gjenerata pa kujtesë historike- Kjo neglizhencë nuk është vetëm padrejtësi ndaj një njeriu që sakrifikoi gjithçka për kombin,por është dëm i drejtpërdrejtë për gjeneratat e reja. Të rinjtë sot nuk e dinë kush ishte Salih Shatri, çfarë ka bërë, përse është arratisur dhe përse ka luftuar. Në mungesë të shembujve të tillë, frymën atdhetare e zë një boshllëk i rrezikshëm që mbushet me indiferencë, konformizëm dhe mungesë përgjegjësie kombëtare. Mosnjohja e figurave si Shatri do të thotë të mos njohësh vazhdimësinë e përpjekjeve shqiptare për liri, e të mos kesh më modele të qëndresës dhe guximit. Kjo është arsyeja pse shumë të rinj e shohin historinë e kombit të tyre si diçka të largët dhe të padobishme për jetën e sotme , një pasojë e drejtpërdrejtë e mungesës së politikave për kujtesën kombëtare.
III) Dështimi i institucioneve shkencore dhe shtetërore- Akademia e Shkencave e Tiranës dhe ajo e Prishtinës, që duhej të ishin ruajtëse të kujtesës historike kombëtare, nuk kanë kryer asnjë studim për veprimtarinë e Salih Shatrit. Ministritë e Arsimit në të dy shtetet nuk e kanë përfshirë emrin e tij në kurrikulat mësimore, ndërsa institucionet kulturore nuk kanë organizuar asnjë simpozium për veprën e tij. Ky boshllëk institucional nuk është rastësi: ai dëshmon mungesë vizioni kombëtar dhe nënvlerësim të sakrificës së atyre që luftuan për idealin e bashkimit.
IV) Kërkesë për rivlerësim kombëtar- Në 38-vjetorin e vdekjes së tij, është koha që institucionet e të dy shteteve shqiptare të korrigjojnë këtë padrejtësi historike.
Figura e Salih Shatrit duhet të zërë vendin që i takon në historinë e kombit tonë, përmes:
a) Shpalljes Hero Kombëtar me dekret presidencial,
b) Ngritjes së një përmendoreje në Tiranë dhe në vendlindjen e tij në Tomoc të Istogut,
c) Përfshirjes së tij në tekstet shkollore të historisë,
d) Organizimit të konferencave shkencore mbi veprimtarinë e tij dhe të njësive komando shqiptare të pasluftës së dytë botërore.
Përfundimisht mund të thuhet se Salih Shatri nuk ishte vetëm një luftëtar,por ai ishte simbol i guximit, i idealit dhe i sakrificës për Shqipërinë Etnike. Harresa e tij është një turp për institucionet, por edhe një thirrje ndërgjegjeje për kombin shqiptar që të mos lejojë më që figurat e vërteta të rezistencës të mbeten në errësirë. 38 vjet pas ndarjes nga jeta, është koha që emri i Salih Shatrit të kthehet në kujtesën kombëtare, aty ku e meriton, pra përjetësisht në radhën e heronjve të mëdhenj të Shqipërisë. /Fatmir M. Shatri
