Jul Deda revoltohet me PD, pas zyrtarizimit të Florian Binajt: Kur kandidova unë më thanë “nuk shkojmë në bashki për gallatë”
Aktori Julian Deda ka reaguar pas vendimit të Partisë Demokratike për të mbështetur kandidaturën e aktorit tjetër të humorit, Florjan Binaj, në garën për Bashkinë e Tiranës. Dy vite më parë, edhe Juli ka qenë kandidat në Primaret e PD, por nuk u zgjodh nga lidershipi.
“Thyerje tabush ne PD, e cila ka vendosur te mbeshtese nje aktor humori ne garen per bashkine e Tiranes. Sot po behet fakt, diçka qe para dy vitesh (ne primaret e 2023) ishte e tmerrshme te ndodhte, pikerisht kandidimi i nje aktori humori per kryetar bashkie.
Mbaj mend, kur kandidova ne primare, nje funksionar i larte, adult dhe injorant aty, me tha: “nuk do shkojme ne bashki per gallate”. Ndersa sot, ky mentalitet ka ndryshuar, progres i madh, komplimente PD-se”, shkruan Jul Deda.
Aktori ka qenë një ndër mbështetësit dhe aktivistët e fortë të Partisë Demokratike, por për shkak të vendimeve të lidershipit dhe humbjeve të njëpasnjëshme në zgjedhje, edhe Jul Deda duket se është distancuar nga kjo forcë politike.
Ai shpreh mbështetjen për Flor Binaj dhe kërkon që edhe mbështetja e opozitës të jetë e vërtetë, jo sa për t’u dukur në publik e për t’a djegur atë si figurë.
“Florit i uroj me gjithe zemer suksese ne kete gare, shpresoj qe mbeshtetja nga PD dhe opozites te jete e vertete dhe jo “m’ka çu halla me la gojen”, qe te mos perfundoje e djegur edhe nje figure tjeter e mire, si shume te tjera”, përmbyll Jul Deda.