Skandal në Ulqin – ndëshkohet qytetari për shpalosjen e flamurit shqiptar në pronën private
Një qytetar në Ulqin është procesuar dhe ndëshkuar nga policia më 10 shtator për faktin se në pronën e tij private kishte shpalosur flamurin kombëtar shqiptar.
Qytetari eshte procesuar në stacionin e policisë në Ulqin, ku theksohet se është marrë në pyetje në lidhje me “vendosjen e flamurit të një shteti tjetër në pronën e familjes”. Ai ka refuzuar të japë deklaratë, duke sqaruar vetëm se prona është e përbashkët me vëllain e tij.
Ky veprim i policisë bie ndesh me Ligjin për Zgjedhjen, Përdorimin dhe Shfaqjen Publike të Simboleve Kombëtare, i cili garanton qartë të drejtën e qytetarëve për të përdorur lirshëm simbolet kombëtare si në hapësira publike ashtu edhe në ato private.
Reagimi i vetëm publik ndaj kësaj shkeljeje ka ardhur nga Unioni Demokratik i Shqiptarëve (UDSH), i cili e ka cilësuar rastin si diskriminues dhe shkelje flagrante të ligjit. Ky subjekt politik ka kërkuar ndërhyrjen e menjëhershme të Ministrit për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave, z. Fatmir Gjeka, si dhe marrjen e masave nga Ministri i Punëve të Brendshme, z. Danilo Sharanoviq, ndaj policëve që kanë tejkaluar kompetencat.