javascript hit counter Falja e gjakut, një histori e manipuluar e plagëve shqiptare në propogandën fashiste - Shqipet

Falja e gjakut, një histori e manipuluar e plagëve shqiptare në propogandën fashiste

Nga Albert Vataj / Në historinë e popullit shqiptar, falja e gjakut ka qenë gjithnjë një akt solemn, i shenjtëruar nga Kanuni dhe nga ndjenja e lartë e besës. Nuk ishte thjesht një vendim familjar, por një akt me peshë komunitare, ku plagët e përgjakura të brezave mbylleshin nëpërmjet ndërmjetësimit të pleqve dhe klerit, dhe ku fjala e dhënë merrte fuqi mbi jetën e secilit. Falja e gjakut ishte triumfi i arsyes mbi hakmarrjen, i besës mbi urrejtjen, i jetës mbi vdekjen.

Por më 7 maj 1939, vetëm një muaj pas pushtimit fashist të Shqipërisë, ky akt i shenjtë u përdor si skenografi propagandistike. Kopertina e gazetës italiane La Tribuna Illustrata shfaqte një vizatim të Vittorio Piband ku malësorët shqiptarë falnin gjakun nën hijen e pushtuesit. Diçitura trumbetonte:

“Në Shosh dhe vende të tjera ku ekzistonte ende zakoni gjakmarrjes, kryefamiljarët e shumë familjeve, të ndarë mes tyre nga inatet dhe zënkat e vjetra, janë pajtuar publikisht dhe janë betuar për paqe në emër të Italisë, bartësit të drejtësisë.”

Duke e vëzhguar ilustrimin grafik konstatohen elementet tërësorë të këtij shtjellimi, që nga flamujt që valëvijnë, kulla në sfond si përkatësi krahine ku gjakmarrja është sundim, veshjet karakteristike si tipar tradite etnografike nga zonat që vuajnë nën këtë zgjedhë, burrat në qendër që kanë flakur përdhe armë dhe shtërngojnë duart, ndërsa një grua me fëmijë në krah është pjesë e këtij dekori, gjithashtu përballë dy të rinjë që përqafohen.

Në këtë narrativë të kujdesshme, fashizmi italian paraqitej si “shpëtimtar” i shqiptarëve, si paqebërës mes fiseve të përçara, si bartës i civilizimit në një vend të paraqitur si i egër dhe i gjakosur. Propaganda e kishte kuptuar mirë se për të fituar ndikim, nuk mjaftonin tanket dhe bajonetat. Duhej prekur edhe shpirtërorja, zakoni, kodi kulturor. Kështu, besa, mikpritja, gjakmarrja, gurët e rëndë të identitetit shqiptar, u përdorën si mjete për të zbukuruar fytyrën e pushtimit dhe për të promovuar lavdinë e pushtuesit.

Por e vërteta është krejt tjetër. Falja e gjakut në traditën shqiptare nuk ishte kurrë fryt i dhunës së huaj, as dhuratë e pushtuesit. Ajo buronte nga ndërgjegjja e njerëzve, nga dëshira për t’u çliruar nga prangat e hakmarrjes dhe për të rikthyer ekuilibrin e prishur në fis e në shoqëri. Fashizmi thjesht e përdori këtë akt si dekor, duke e vënë përpara syve të botës si provë të misionit të vet civilizues. Në fakt, ishte një manipulim i dhimbjes, një instrumentalizim i plagës shqiptare.

E megjithatë, kjo histori mbart një reflektim të vlefshëm edhe për ditët tona. Ende sot, në disa krahina të Shqipërisë dhe Kosovës, gjakmarrja nuk është zhdukur plotësisht. Edhe sot, ka familje të izoluara, ka jetë të prera, ka plagë që kërkojnë pajtim. Në këtë kuptim, kujtimi i asaj kopertine të vitit 1939 na mëson se falja nuk duhet të vijë kurrë si imponim nga jashtë, por si vendim i lirë dhe i ndërgjegjshëm i vetë njerëzve, të cilët kërkojnë dhr gjejnë forcë për të sfiduar gjakun në emër të pajtimit.

Falja e gjakut mbetet një nga aktet më fisnike të kulturës shqiptare, një thirrje për paqe që i tejkalon shekujt, akti më sublim që shënon një nga momentet më ikonike të bashkëjetesës në një rend vetëgjyqësie. Por ajo humbet kuptimin kur përdoret si vegël politike, si propagandë, si maskë e pushtimit. Vetëm kur buron nga vullneti i “viktimës”, nga ndërgjegjja e bashkësisë, nga zemra e një nëne dhe lotët e një burri, vetëm ajo është e vërtetë.

Dhe kështu, pyetja mbetet e hapur: a mund të quhet shpëtimtar ai që përdor plagët tona për të sunduar mbi ne? Përgjigjja është e qartë. Shpëtimtari nuk vjen me tanke e bajoneta, por me fjalë pajtimi; jo me propagandë dhe spektakël mediatik, por me fjalë bese të dhënë; jo me pushtim dhe represion, por me liri dhe dinjitet.

Scroll to Top