javascript hit counter Pse po ‘mbijnë’ të afërmit e Nexhmije Hoxhës në qeverinë e Edi Ramës? - Shqipet

Pse po ‘mbijnë’ të afërmit e Nexhmije Hoxhës në qeverinë e Edi Ramës?

Aleanca e Kryeministrit me klane dhe tarafe të trashëguara nga PPSH nuk është rastësi, por skemë politike për të kontrolluar PS-në dhe për të bllokuar lindjen e lobeve të reja…

Shqipëria, si një vend i vogël, ka qenë gjithmonë dhe do të mbetet e përfshirë nga disa tabiate mesjetare si nepotizmi, krahinorizmi, tarafet e krushqisë, miqësisë apo kumarisë.
Si një “fshat i madh” që jemi, është shumë e lehtë të gjesh lidhje kudo në kupolën apo në infrastrukturën e shtetit, nga të gjitha anët. Mbiemra që ngjajnë ose janë të njëjtë, të njërit që po lufton krimin nga njëra anë apo të një kryekrimineli nga ana tjetër. Afri dhe marrëdhënie brezash ndërmjet zyrtarësh apo politikanësh që luftojnë njëri-tjetrin, lidhje krushqie mes emrave të famshëm VIP në të gjitha nivelet.

Ky fenomen ka edhe të këqijat, por edhe të mirat e veta. Një nga këto të fundit është fakti që çdo njeri, në çdo cep të vendit, e di dhe e njeh “biografinë” familjare të çdokujt që ngrihet në pushtet, duke e nxjerrë shpejt e shpejt gjithë historikun dhe rrjetën gjenealogjike të fisit, gjakut, miqësisë dhe tarafit.

Jemi vend ekstremesh, pasi ekspozimi ndaj pushtetit dhe parasë ka bërë që shumë familje të jenë në konflikt me njëra-tjetrën, deri në urrejtje të egër. Siç thuhet në një barcaletë: nëse do të shikosh si shkojnë familjet shqiptare, shko në gjykata ku trajtohen çështjet e pronave.

Gjithsesi, ky fenomen nuk është aq problematik sa rrjeta e vjetër dhe e fortë e nepotizmit politik, e cila në vend që të prishej pas rrëzimit të komunizmit, u zgjerua edhe më shumë. Ajo rrjetë, dikur e kufizuar për bllokun e udhëheqjes komuniste, u shtua e u zgjerua me kastën e re të politikanëve të tranzicionit 34-vjeçar.

Është interesant fakti se, sa i përket nepotizmit politik, dalin në dritë lidhjet e kupolës së vjetër, të cilat, si atëherë në diktaturë, ashtu edhe sot, nuk reshtin së dhëni benefite të rëndësishme.

Shembulli i fundit ishte ndarja nga jeta e Abdi Baletës, diplomatit, juristit dhe politikanit që pati karrierë në dy sisteme, edhe pse për fat të tij të keq, jo shumë të gjatë. Sado i aftë dhe i zoti të ketë qenë Baleta, shtysën e shpejtë drejt majës së OKB-së ia dha krushqia me familjarë të Nexhmije Hoxhës.

Nexhmija, sipas një plani të detajuar edhe nga i shoqi, krijoi një rrjet tarafesh fisnore e krushqërie, që u implantua në administratë për të njohur gjendjen dhe për të balancuar klanet e Mehmet Shehut, Hysni Kapos etj.

Sapo Edi Rama emëroi qeverinë e re, në Dibër pati kuriozitet për rrokadën në Ministrinë e Drejtësisë, ku dibrani Ulsi Manja u zëvendësua me “patriotin” e tij Besfort Lamallari. Një djalë i rritur dhe i shkolluar në Tiranë, me prindër të ardhur nga Peshkopia pas viteve ’90. Familja e tij kishte lidhje me rrethin e gjerë të Nexhmije Hoxhës, e cila në Dibër kishte ngritur një rrjet të tërë klani e tarafi, që u rrit edhe më shumë kur Haxhi Lleshit i ra fuqia.

Edi Rama nuk është hera e parë që sjell kushërinjtë e Nexhmijes në qeveri. Ai ka mbajtur në poste të rëndësishme fëmijë e nipa të anëtarëve të Byrosë Politike të Enver Hoxhës, nga krahu i tij i djathtë deri më poshtë, si drejtorë, zv.ministra apo ambasadorë. Kritikët kanë vënë në dukje se afërsia e Ramës me këto tarafe lidhet edhe me faktin se familja e tij jetonte pranë bllokut të vjetër. Lidhja me “dajën” Spiro Koleka mjafton për të “dekonspiruar” gjithçka.

Ky “hobi” i Ramës për matrioshkat e vjetra të Byrosë Politike nuk është rastësor dhe nuk është thjesht punë qokash. Sjellja e tij këto vite tregon se është një skemë e qartë politike. Aleanca e Ramës me klanet dhe lobet e vjetra komuniste ka synime elektorale, por edhe politike: për të mbajtur kontrollin dhe për të ndaluar krijimin e klaneve të reja brenda PS-së.

Rama e tregonte shpesh si barcaletë një episod gjatë referendumit të Kushtetutës në nëntor 1998, kur si ministër i Kulturës i sapozgjedhur, u vonua të votonte sepse komisioni tha “Shoku Edi, prit pak, se janë më të moshuar shoku Pali dhe shoku Rita”. Këtë e përdorte për humor, por e pa ndikimin e rrjetit të vjetër në elektoratin e majtë.

Duke mbajtur gjallë lidhjet e klaneve të vjetra rudimentare dhe të kontrollueshme, Rama bllokon krijimin e linjave të reja të karrierës politike. Kjo shihet qartë: ndërkohë që ka përfshirë fëmijë të Byrosë Politike në qeveri, ai ka goditur që në nisje tentativën e Erion Veliajt për të ngritur një lobi të ri politik në Tiranë dhe PS. Po kështu, në mandatin e katërt po godet klanin e Gramoz Ruçit në “Zonën e Parë Operative”, pasi e fuqizoi dhe e përdori.

Në këtë mënyrë, Rama ruan linjën e vjetër hierarkike të PPSH-së, të cilën ka bërë sikur e ka përçmuar, por prej së cilës ka përfituar familjarisht gjithë jetën. Dhe njëkohësisht bllokon lindjen e lobeve të reja. Kaq e thjeshtë është historia./Pamfleti

Scroll to Top