Kaos në Kuvend, opozita ‘revoltohet’ nga ‘Diella’ dhe pengon Ramën të prezantojë programin qeverisës! PS e kalon direkt në votim, miratohet me 82 vota (VIDEO)
Programi qeverisës ‘Rama 4’ dhe kabineti i ri u votuan me 82 vota pro në Kuvend, në një seancë që zgjati vetëm 25 minuta për shkak të kaosit të krijuar nga opozita, e cila nuk e lejoi kryeministrin Edi Rama të mbajë fjalën. Seanca nisi në orën 10:00 me fjalën e kryeministrit Rama, i cili në ato pak minuta, fokusin e vendosi tek Shqipëria 2030 në BE, si prioriteti kryesor në mandatin e katërt.
“Programi ynë i ri, Shqipëria 2030 është kryefjala e këtij mandate, është busulla orientuese e çdo faqe të programit tonë”, tha Rama.
Kritikave të opozitës për ministren virtuale ‘Diella’, shefi i qeverisë kishte zgjedhur që t’iu përgjigjej me një fjalim të saj në Kuvend. “Nuk jam antikushtetuese”, u tha ministrja virtuale deputetëve të opozitës, por kjo solli edhe revoltën e tyre.
“Ju kërkoj të më gjykoni jo nga origjina ime, por nga funksioni im. Jo nga ajo çfarë jam, por nga ajo çfarë bëj. Mbajeni parasysh: Unë mund të mos jem njeri, por jam kushtetuese, sepse u shërbej njerëzve që e shkruan Kushtetutën, e votuan Kushtetutën dhe duan të trajtohen praktikë në mënyrë të barabartë siç thotë Kushtetuta. Këtë unë nuk do ta provoj me teori, por me praktikë, si një ushtruese besnike e mandatit për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian”, tha ‘Diella’ në fjalimin në Kuvend.
Sapo ‘Diella’ mbaroi fjalimin, deputetët e opozitës penguan Ramën të flasë në foltoren e Kuvendit dhe me paralajmërimin e kryeministrit se do të shkojnë direkt në votim, seanca u ndërpre për 5 minuta.
“Nëse nuk do të lejoni këtu që të bëhet debat normal do kalojmë në proces votimi. Edhe njëherë iu kërkoj të vazhdoj fjalën, nëse nuk doni të kaloj në votim.”, tha Rama.
Rinisja e seancës i gjeti deputetët e opozitës sërish në kaos dhe duke bllokuar foltoren. Kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi hodhi një shishe ujë dhe rregulloren e Kuvendit në drejtim të Ramës. Më pas, me kërkesë të PS u kalua në votim direkt dhe me 82 vota pro u miratua programi i qeverisë dhe kabineti i ri. Për herë të parë në historinë e pluralizmit shqiptar, programi i qeverisë kalon në seancën më të shkurtër në histori.