Avokati kosovar rruan kokën në shenjë proteste
Avokati Arianit Koci ka zgjedhur një formë simbolike proteste për të reaguar ndaj ngërçit politik në Kosovë: ai është qethur publikisht para ambienteve të Kuvendit, duke protestuar për moskonstituimin e tij edhe pas pesë muajsh nga zgjedhjet e 9 shkurtit.
“Po na rrezikohet shtetësia,” tha Koci, duke theksuar se kjo protestë i dedikohet edhe qytetarëve, të cilët sipas tij “kanë rënë në gjumë” dhe ndodhen në një “depresion kolektiv”.
Ai u shpreh se i ka ardhur fundi krizës politike dhe se ky akt simbolik është një formë ndërgjegjësimi për të gjithë ata që po e ndjekin në heshtje bllokimin institucional që po zgjat prej muajsh.