800 milionë rrogë në vit: Zbulohen pagat e çmendura te Bankers
Një dosje tronditëse hetimore e siguruar nga mediat nxjerr në pah mashtrimin financiar më të madh të dekadës: Bankers Petroleum, kompania që prej 20 vitesh thith naftën shqiptare, nuk ka derdhur asnjë lek në buxhetin e shtetit, ndërsa drejtuesit dhe punonjësit e saj janë shpërblyer me paga marramendëse.
Prokuroria ka zbuluar se paga e një drejtori financiar ka arritur deri në 800 milionë lekë të vjetra në vit, ndërsa një tjetër ka marrë 25 mijë dollarë në muaj. Ndërkohë, shtetasit kinezë të pozicionuar në nivele të larta rezultojnë me shpërblime shumë më të larta se punonjësit shqiptarë.
Hetimi ka zbuluar:
Lianyi Wang, Drejtor Financash, pagë mujore 2.57 milionë lekë
Ardit Kero, Menaxher i Financave/Taksave, pagë mujore 857,673 lekë
Flavia Capo, Drejtoreshë Kontrolli Financiar, pagë mujore 1.35 milionë lekë
Majlinda Thana, Menaxhere Thesari, pagë mujore 485,882 lekë
Këta emra, sipas prokurorisë, janë pjesë e një skeme të organizuar mashtrimi financiar, që përfshin fshehje të të ardhurave, fatura fiktive, kontrata klienteliste dhe shmangie tatimore.
Në një përgjim të datës 7 maj 2025, drejtori i financës Lianyi Wang dhe menaxheri i taksave Ardit Kero flasin qartë për problematikat me inspektorët tatimorë dhe mungesën e dokumentacionit për kompanitë nënkontraktuese. Kero ngre zërin për një KPI penalizues dhe shpreh qartësisht që ai nuk ka fuqi të mbulojë shkeljet sistematike të kompanisë.
Sipas prokurorisë, vetëm në 5 muajt e parë të vitit 2023, Bankers ka shpërndarë rreth 1 milion dollarë për paga dhe bonuse vetëm për punonjësit kinezë.
Dosja nxjerr në pah një strukturë të mirëorganizuar, ku punonjësit shqiptarë në pozita kyçe janë përdorur si bashkëpunëtorë për të fshehur dokumente, për të devijuar kontrollin tatimor dhe për të mbuluar transfertat e dyshimta drejt llogarive bankare në Vienë.
Një kompani që ka përfituar pasuritë natyrore të Shqipërisë, ka paguar miliona vetëm për stafin, por asgjë për shtetin që po e mbush me borxhe.
Skandali është tashmë nën hetim dhe pritet që SPAK të vendosë për ndjekjen penale të drejtuesve të lartë dhe bashkëpunëtorëve të tyre.