Zbulimet në Lin mahnisin Botën! “Reuters”: Qytetërimi më i vjetër në Evropë mbi një liqen në Shqipëri
Agjencia prestigjioze ndërkombëtare e lajmeve “Reuters” i ka kushtuar një vëmendje të veçantë zbulimeve në Liqenin e Ohrit në Pogradec, ku theksohet zbulimi i vendbanimit më të vjetër njerëzor në Evropë të ndërtuar mbi një liqen.
Arkeologët, thuhet në material, kanë gjetur prova të një komuniteti të organizuar gjuetie dhe bujqësie që jetonte deri në 8,000 vjet më parë.
Ekipi, nga Zvicra dhe Shqipëria, kalon orë të tëra çdo ditë rreth tre metra nën ujë, duke nxjerrë me kujdes shtyllat prej druri që mbështesnin shtëpitë, shtohet ndër të tjera duke veçuar se kanë mbledhur gjithashtu eshtra të kafshëve të zbutura dhe të egra, objekte prej bakri dhe enë qeramike me gdhendje të detajuara.
Albert Hafner, nga Universiteti i Bernës, tha për “Reuters” se vendbanime të ngjashme janë gjetur në rajonet alpine dhe mesdhetare, por vendbanimi në fshatin Lin është gjysmë mijëvjeçari më i vjetër, duke datuar mes 6,000 dhe 8,000 vjet më parë.
“Për shkak se është nën ujë, materiali organik është ruajtur mirë dhe kjo na lejon të zbulojmë se çfarë hanin këta njerëz, çfarë mbillnin”, tha Hafner.
Mosha e zbulimeve përcaktohet përmes datimit me radio-karbon dhe dendro-kronologjisë, e cila mat unazat vjetore të rritjes në pemë.
Më shumë se një mijë mostra druri janë mbledhur nga siti, që mund të ketë strehuar disa qindra njerëz.
Besimi është se vendbanimi mbulon rreth gjashtë hektarë, por deri tani është gërmuar vetëm rreth 1% e tij pas gjashtë vitesh punë.
Hafner tha se zbulimet tregojnë se njerëzit që jetonin në këtë liqen ndihmuan në përhapjen e bujqësisë dhe blegtorisë në pjesë të tjera të Evropës.
“Ata ende merreshin me gjueti dhe mbledhje, por të ardhurat e qëndrueshme për ushqimin vinin nga bujqësia”, tha ai.
Arkeologu shqiptar Adrian Anastasi tha se mund të duhen dekada për të eksploruar plotësisht zonën.
“Nga mënyra se si jetonin, hanin, gjuanin, peshkonin dhe nga mënyra si ishte ndërtuar arkitektura e vendbanimit të tyre, mund të themi se ishin shumë të zgjuar për kohën e tyre,” tha Anastasi. Një muaj më parë aty përfundoi dhe faza e parë e ndërtimeve ku u zbuluan jo vetëm ndërtime për jetesë por edhe rrethim për tu mbrojtur.