Zbulim historik në Shqipëri: Fshati më i vjetër mbi një liqen në Europë ndodhet në Lin
Një zbulim i jashtëzakonshëm arkeologjik është bërë buzë liqenit të Ohrit në Shqipëri, ku studiuesit besojnë se kanë gjetur vendbanimin më të vjetër njerëzor të ndërtuar ndonjëherë mbi një liqen në Europë, me dëshmi të një komuniteti të organizuar gjuetarësh dhe fermerësh që jetoi deri në 8000 vite më parë.
Prej kohësh, ekipi i përbashkët shqiptar dhe zviceran po bëjnë kërkime dhe hulumtime rreth tre metra nën ujë, ku kanë zbuluar dhjetëra shtylla druri që dikur mbështesnin shtëpitë mbi ujë. Përveç kësaj, janë gjetur edhe eshtra kafshësh të egra dhe të zbutura, objekte prej bakri dhe qeramikë me gdhendje të hollësishme, shkruan Reuters.
Sipas profesorit Albert Hafner nga Universiteti i Bernës, vendbanime të ngjashme janë zbuluar në rajonet alpine dhe mesdhetare, por ai i Linit është të paktën 500 vjet më i vjetër. “Fakti që ndodhet nën ujë e ka ruajtur në mënyrë perfekte materialin organik, gjë që na lejon të kuptojmë se çfarë hanin dhe çfarë mbillnin këta njerëz,” – shprehet ai.
Liqeni i Ohrit, i cili ndahet midis Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, është liqeni më i vjetër në Europë, me një moshë që kalon 1 milion vjet. Moshat e gjetjeve janë përcaktuar përmes datimit me radiokarbon dhe analizës së unazave vjetore të pemëve. Deri më tani janë mbledhur mbi 1000 mostra druri, ndërsa besohet se vendbanimi shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 6 hektarësh. Megjithatë, pas 6 vitesh gërmime, vetëm 1% e tij është zbuluar.
Sipas arkeologëve, ky komunitet i lashtë ka ndihmuar në përhapjen e bujqësisë dhe blegtorisë në pjesë të tjera të Europës. “Ata vazhdonin ende të gjuanin, por ushqyerja bazike vinte nga bujqësia,” – shprehet Hafner.
Arkeologu shqiptar, Adrian Anastasi, thotë se eksplorimi i plotë i zonës mund të zgjasë me dekada. “Nga mënyra se si jetonin, hanin, gjuanin, peshkonin dhe ndërtuan banesat, mund të themi se ishin shumë inteligjentë për kohën e tyre,” – përfundon ai.