free web tracker Megaoperacion Shqipëri-Itali/ ‘Çmontohet’ grupi kriminal me bazë në Durrës, në kërkim 'Visi i Pojës'! 52 masa sigurie, ekzekutohen 42! Trafik droge me vlerë 7 mln euro (VIDEO) - Shqipet

Megaoperacion Shqipëri-Itali/ ‘Çmontohet’ grupi kriminal me bazë në Durrës, në kërkim ‘Visi i Pojës’! 52 masa sigurie, ekzekutohen 42! Trafik droge me vlerë 7 mln euro (VIDEO)

Një megaoperacion mes autoriteteve shqiptare dhe italiane, ka goditur një nga grupet më të fuqishme kriminale me bazë në Durrës, që operonin në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe pastrimit të parave në Shqipëri. Operacioni, i koduar me emrin “Ura” u zhvillua prej orëve të para të mëngjesit të sotëm dhe nga 52 masat e sigurisë që janë lëshuar, deri më tani janë ekzekutuar 42 prej tyre. Sa i takon Shqipërisë, GJKKO ka lëshuar 29 masa arrest me burg, të cilat përveç anëtarëve të grupit kriminal kanë shkuar edhe për policë, avokat, pronar biznesesh dhe zyrtarë të tjerë. Masat për përfshirje në trafik ndërkombëtar të sasive të mëdha të lëndëve narkotike, pastrim parash dhe shpërdorim detyre.

Megaoperacioni është zhvilluar në Shqipëri nga SPAK, i cili ka marrë firmën e GJKKO për 29 arreste me burg, të cilat përveç anëtarëve të grupit kriminal kanë shkuar edhe për policë, avokat, pronar biznesesh dhe zyrtarë të tjerë. Nga masat për 40 shqiptarë dhe 12 italianë janë gjithsej 49 në burg, 1 arrest shtëpie dhe 2 detyrim paraqitje.

Nga 51 masat e sigurisë dhe një urdhër ndalimi janë ekzekutuar 40, ndërsa mbetet në kërkim Ervis Doçi, i njohur si ‘Visi i Pojës’, një emër shumë i njohur i botës së krimit në Durrës, të cilit në një operacion një vit më parë, iu gjetën 3 milionë euro cash në shtëpi. Disa pasuri të tij janë sekuestruar.

Në vendimin e gjykatës së Barit, që Report Tv e disponon, janë edhe emra të tjerë të njohur të krimit si Adi Çoba, Ekil Nderjaku, Indrit Tafili etj. Adi Çoba, është në cilësinë e kreut të njërit prej 3 grupeve kriminale, me masë sigurie arrest në burg.

40 janë edhe episodet e trafikimit të kokainës dhe heroinës, të zbardhura falë edhe zbulimit të komunikimeve në SKYECC, në periudhën 2020-2023, ndërsa sipas antimafias italiane ndihmë kanë dhënë edhe 3 bashkëpunëtorë të drejtësisë, mes të cilëve edhe Nuredin Dumani.

Sa i përket punonjësve të policisë njëri akuzohet për korrupsion si polic kufiri, ndërsa Altin Morina, ish efektivi i arrestuar më herët, si anëtarë i grupit kriminal.

Antimafia italiane thotë se në operacione të mëparshme grupeve i janë sekuestruar 2 ton kokainë në portin e Roterdamit; 932 kilogramë kokainë në portin e Gioia Tauro në Reggio Calabria, dhe 400 kilogramë hashash në Bari.

Autoritetet kanë arritur të dokumentojnë të gjithë shtrirjen e aktivitetit kriminal, që nga Shqipëria shkonte fillimisht në Pulia, pastaj në të gjithë territorin italian e më pas në disa vende evropian dhe në Amerikën e jugut. E reja e këtij hetimi është se janë përdorur në mënyrë të menjëhershme edhe platforma të komunikimit të enkriptuar si SKYECC. Episodet e zbardhura janë 30 në Itali, 10 në Shqipëri dhe vendet të tjera të BE.

Operacioni mes autoriteteve shqiptare dhe italiane u krye në bashkëpunim të ngushtë mes SPAK, Drejtorisë Hetimore Antimafia të Barit dhe autoritetet shqiptare, me ndihmën e Interpolit dhe Eurojust-it.

Prokurori i çështjes për Shqipërinë, Vladimir Mara, tha se grupi i struktura kriminal kishte 3 nëndarje që funksionin si më vetë dhe secili kishte rolin e saj, duke përfshirë të gjithë aktivitetin kriminal që niste me trafikun e drogës dhe përfundonte me pastrimin e parave, edhe përmes kriptove.

Skema e transferimit të parave për në Shqipëri është zbardhur totalisht thotë prokurori italian. Janë dokumentuar me video se si paratë futeshin në autobusët e ‘Ligori Travel’ dhe vinin në Shqipëri. Nga provat e siguruara rezulton se janë transferuar 4.5 milionë euro, të gjetura këto edhe nga shënime të mbajtura nga trafikantët dhe të dërguara me foto në celularë përmes skyecc.

Miliona euro pasuri janë sekuestruar si në Itali ashtu edhe në Shqipëri. Në vendin fqinj janë 9 apartamente, 4 kompani, 7 llogari bankare dhe 3 makina. Ndërsa në Shqipëri janë sekuestruar prona të ndryshme me vlera disa miliona euro përfshirë 2 kompani ndërtimi, 4 restorante luksoze, 1 agjenci imobiliare, 1 televizion në Vlorë, të dyshuara që vinin nga trafiku ndërkombëtar i drogës.

Scroll to Top