free web tracker "Sherri" për votat nga kandidatët e PS, zbulohet mesazhi i plotë i Ramës: Mos humbni fytyrën! Zero shanse për devijime - Shqipet

“Sherri” për votat nga kandidatët e PS, zbulohet mesazhi i plotë i Ramës: Mos humbni fytyrën! Zero shanse për devijime

Kryeministri Edi Rama i ka bërë thirrje kandidatëve të PS pas disa iniciativave personale të kërkimit të filmimeve të numërimit të votave nga KQZ, që të qëndrojnë si skuadër deri në fund dhe që “përveç humbjes së garës, mos të humbasin edhe fytyrën”.

Kryesocialisti Edi Rama apeloi kandidatët të mos ushqejnë qenërinë mediatike, që në fund mali i mbarsur të mos pjellë një mi.

Numërimi votave të diasporës po shkon drejt fundit edhe për kandidatët preferencialë dhe kur KQZ pritet të ‘vulosë’ rezultatin pasi të shqyrtojë edhe kontestimet, disa kandidatë, kanë kërkuar filmimet për të verifikuar procesin e numërimit.

“Kam marrë njoftim me trishtim për disa iniciativa individuale, për të kërkuar filmime, rinumërime e ku di unë çfarë tjetër për votën preferenciale!

Natyrisht që s’mund të ndaloj askënd të veprojë me kokën e vet, por, duke qenë se këtu në këtë dritare jemi ende një skuadër – dhe unë dua që kështu të mbetemi – do të këshilloja që të mos i hyhet asaj rruge.

Sepse, së pari, humbja e një gare s’duhet të bëhet shkak për të humbur edhe fytyrën, kur në fakt nuk ka asnjë shans, zero, që me gjithë ata sy mbi ekrane, të ketë devijime vote në përmasa që do ta mbushnin hendekun e kujtdoqoftë me ata që kanë dalë fitues – jo me 10 a 20, por me shumë më tepër vota diferencë nga pasuesit në klasifikim.

Së dyti, kjo do të thotë të hidhet hije mbi njerëzit tanë, që kanë qëndruar pafundësisht nëpër tryeza numërimi, e që nuk e meritojnë kurrkund një hije të tillë dyshimi për kontributin e tyre të madh. E së fundi, përfytyrojeni vetë se sa keq do të ndjehet kushdo që do t’i hyjë kësaj rruge, duke ushqyer qenerinë mediatike, kur në fund, mali i mbarsur mund të mos pjellë as një mi”-tha Rama.

Fillimisht ka ndërhyrë drejtuesi i diasporës, Taulant Balla, i cili i ka siguruar kandidatët se votat do numërohen me korrektësinë maksimale.

Scroll to Top